Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen “terroriste” nga shtetet mike të Kosovës.
Një veprim të njëjtë e kishte ndërmarrë Qeveria e Kosovës më herët, shkruan lajmi.net.
“Të dielën përjetuam një sulm agresor të bandave kriminale e terroriste të Serbisë, jo vetëm ndaj Policisë, por ndaj shtetit, rendit të Republikës sonë. Ishte ditë e rëndë për vendin tonë. Policisë do t’i mungojë një pjesëtar i përkushtuar i saj. Por vrasja e tij u kthye në angazhim të shtuar për t’i luftuar bandat terroriste dhe në fitore të betejës ndaj tyre. Terroristët ose janë vrarë, ose janë arrestuar, ose janë në ndjekje pasi ikën. Afrimi u vra në pritë gjatë natës. Në zbardhje të ditës, u pa që asnjë bandë nuk mund ta mposhtë policinë tonë. Sulmi i armatosur cenoi integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë kombëtare. Sulmuesit që ikën duhet të ekstradohen, të dorëzohen në organet tona. Organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ duhet të shpallen terroriste edhe nga shtetet tona aleate, siç bëri Qeveria”, ka thënë kryeministri Kurti.