Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën se nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti tha se ka disa muaj që në këtë legjislaturë të Kuvendi, qeveria ka sjellë në ratifikim një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, mirëpo për shkak të mos votimit nga opozita, ato sipas tij, nuk po miratohen.
“Janë shtatë marrëveshje që janë në pritje të miratimit, dy të tjera janë në shqyrtim te komisioneve e shumë të tjera janë në proces që pritet të vijnë nga Qeveria në Kuvend”, tha Kurti.
Kurti tha se Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEK-ut në vlerë prej 40 milionë dollarësh pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 25 nëntor të vitit 2022.
Tutje kryeministri shtoi se edhe Marrëveshja për projektin “Solor for Kosovo”me BERZh-in në vlerë prej 23.2 milionë eurosh, e që pjesë e saj janë edhe 54.1 milionë euro në grante, për Projektin e kapacitetit të Termokosit pret në kuvend për ratifikim që prej datës 23 mars 2023.
Kurti përmendi disa marrëveshje që nuk janë ratifikuar, duke theksuar se vlera e këtyre marrëveshjeve tejkalon shifrën prej 360 milionë euro.“Të gjitha këto marrëveshje po presin ratifikimin me votat e 2/3 e deputetëve”, tha ai.
“Për të votuar ligje, nevojitet shumica e thjeshtë, së paku 61 vota, ndërsa Kushtetuta e Kosovës ka paraparë që për miratimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare kërkohet së paku 80 vota. Kjo është bërë që çdo Qeveri e papërgjegjshme të mos votojë marrëveshje të dëmshme ose marrëveshje që fut në obligime financiare”.
VV-ja nuk e voton rezolutën PDK-së për Policinë
Lëvizja Vetëvendosje ka abstenuar për rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila përfshinte mbështetjen për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përkrahur propozimin e rezolutës së Partisë Demokratike të Kosovës, me të cilën synonte mbështetjen për Policinë e Kosovës, që në afat prej dy javësh të prezantonte para Kuvendit, Projektligjin për pensionimin e parakohshëm të policisë, buxhetin e mjaftueshëm për sigurimin shëndetësore dhe të përmbushet obligimi për shtesat e rrezikshmërisë.
Në rezolutën e PDK-së, theksohej mbështetja për Policinë, si pensionim të parakohshëm, pagesat e rrezikshmërisë dhe sigurim shëndetësor.
Nga 93 deputetë, 53 prej tyre kanë abstenuar, ndërsa vetëm 36 deputetë kanë votuar për.
Propozimi i PDK-së u mbështet nga LDK-ja e AAK-ja, por nuk mori votat e mjaftueshme për të ndryshuar rendi i ditës pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet abstenuan.
Deputetja Kusari-Lila nga VV-ja dha arsyetimin e saj për mosbotimin e këtij propozimi. Ajo tha se për propozime të tilla duhet të merren vesh paraprakisht.
“Unë po kërkoj të diskutojmë për ato propozime që u thanë. Nuk dua të hyjmë në debat që krijon divergjenca e diskurs politik që nuk sjellë rezultat”, ka thënë pos tjerash Kusari-Lila.
PDK propozon një rezolutë e cila do të mbështetet Policinë e Kosovës
Seanca e dytë filloi me ndryshim e rendit të ditës të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ku shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, propozoi që ne rend dite të jetë një rezolutë me të cilën do të mbështetet Policia e Kosovës.
Tahiri tha se kjo rezolutë përmban tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i republikës së Kosovës dhe qeveria hyn në një agjendë mbështetëse për policinë e Kosovës.
“Përmes kësaj rezolute synojmë që ne si grup parlamentar i Partisë demokratike, në një afat prej dy javëve t’ia prezantojmë kuvendit të Kosovës Ligjin për pensionim të parakohshëm për policinë e Kosovës, po ashtu përmes kësaj rezolute do të kërkojmë që nga një janari i vitit 2024 të buxhetohet buxhet i mjaftueshëm për sigurimin shëndetësor për policinë dhe të përmbushët obligimi sa i përket shtesave të rrezikshmërisë për policinë e Kosovës”, tha Tahiri.
E, këtë propozim të PDK-së e kundërshtoi kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.
Kurse dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mbështetur propozimin e PDK-së.
S`kalon amandamenti për persona me aftësi të kufizuara
(E përditësuar, ora 10:55) Ndonëse pozitë dhe opozitë kanë përkrahën propozim amendamentin që lidhet me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, nuk ka kaluar sepse në sallë kanë munguar deputetët e Listës Serbe.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nuk ka kushte për t’u votuar propozimi i amandamentit kushtetues numër 27, që ka të bëjë me përfshirjen e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës.
Konjufca tha se arsyeja është se nuk janë të pranishëm deputetët e komuniteteve jo shumicë.
Kryeparlamentari hapi menjëherë seancën e re që sipas tij ashtu ishin dakorduar me kryesinë.
Seanca e dytë filloi me ndryshim e rendit të ditës të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ku shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, propozoi që ne rend dite të jetë një rezolutë me të cilën do të mbështetet Policia e Kosovës.
Shqyrtohet propozim-amendamenti Kushtetues nr.27
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës nisi me shqyrtimin e Propozim-amendamentit Kushtetues nr.27, pikës së vetme të seancës së parë plenare nga dy sa janë paraparë të zhvillohen sot.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë prezantimit të Propozim-amendamentin Kushtetues nr.27, ka kërkuar të përkrahet nga të gjitha partitë në Kuvend. Sipas tij, Qeveria vitin e kaluar e ka shpallë vit të personave me aftësi të kufizuara.
Vitia ka thënë se amendamenti kërkon përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës.
“Vitin 2022 e shpallëm vit të respektimit të personave me aftësi të kufizuara. Amendamenti për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës”.
Partitë opozitare në Kuvend e kanë përkrahur përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kushtetutën e Kosovës.
Gjatë shqyrtimit të propozim-amendamentin Kushtetues nr.27, opozita ka kërkuar që përveç këtij ndryshimi në Kushtetutë, personat me aftësi të kufizuara të përkrahen edhe në forma tjera.
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se e përkrahin këtë iniciativë, e se ky amendament nuk duhet të jetë i vetmi.
“E mbështesim dhe e përkrahim. Konsiderojmë se një amendament i tillë është i nevojshëm dhe nuk duhet të jetë i vetmi mirëpo duhet të kemi veprim më konkret në mbështetje financiare për këto kategori”, ka theksuar ai.
Grupi parlamentar i LDK-së e vlerëson iniciativën që konventa ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, për personat me aftësi të kufizuara të bëhet pjesë e listës të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe instrumenteve ndërkombëtare të cilat kanë prevalim juridik mbi çdo akt tjetër që kanë miratuar dhe miratoin institucionet e Kosovës.
Deputeti Driton Selmani tha se duhet të ketë veprime konkrete nga ana e institucioneve që kjo kategori të ketë përkujdesje maksimale. Selmani rikujtoi se para pak ditësh kuvendi ka miratuar ligjin për pagën minimale ku siç tha ai tri kategori shumë të rëndësishme ( Të verbëritë, paraplegjikët dhe tetraplegjikët) janë hequr nga paga minimale, që sipas Selmanit kjo është në kundërshtim me këtë konventë.
“Ne si LDK e mbështesim këtë nismë, i japim votën tonë, por me kërkesën tonë të fuqishme, që qeveria të reflektojë karshi kërkesave tona”, tha Selmani.
Kurse Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së, tha kjo iniciativë që vjen si rekomandim i komisionit për legjislacion që të ketë një amandamentim në Kushtetutën tonë, por sipas tij, kjo nuk mund të kaloi për arsye që siç tha Tahiri është një bllokadë, bojkotim të deputetëve të “Listës Serbe”.