(PJESA E PARË)
Para se të filloj shtjellimin e temës, është e udhës t’i përmendi dy fakte të rëndësishme që ndihmojnë në kuptimin e drejtë të rreshtave në vijim; Çka është historia sipas Kur’anit, dhe, çfarë është mesazhi i Kur’anit teksa përmend ngjarje historike të profetëve para Muhamedit a.s!
Shkruan: Mustafa Bajrami
Kemi thënë edhe më parë. Historia sipas Kur’anit nuk është ajo shkenca sociale vetëm mbi ngjarjet e së kaluarës, nuk është ajo që e mësojmë nëpër shkolla teksa flet me data për popuj e personalitete të së kaluarës. Kur’ani e sheh historinë si diçka më e thellë se kaq, më përmbajtjesore dhe që ka një mesazh më specifik. Sipas Kur’anit, historia është mësimi i marrë nga e kaluara që duhet të shërbejë sot si brumë për të sendërtuar të ardhmen. Prandaj, të gjitha tregimet e popujve të kaluar që i prezanton Libri i Zotit, kanë një korrelacion të ngushtë mes vete. Ajo që i përshkon gjithë ato tregime, është pikërisht ngjyra socio-psikologjike nëpërmes së cilës Kur’ani e jep mesazhin e vetë. Më saktë, është universalizmi që depërton tejpërtej ngjarjeve të profetëve dhe të tjerëve nëpër histori
Duke iu referuar qasjes kur’anore ndaj së kaluarës, Islami mendon se historinë duhet liruar nga stërngarkimi i panevojshëm me emra e data, e në vend të tyre, të formulohet mesazhi i nevojshëm për gjeneratat që i lexojnë ato tregime. Për Kur’anin është irelevant aspekti kohor i ndodhive. Gjithashtu, në raport me mesazhin e tyre, është krejt e njëjtë nëse ato ndodhi ishin të vërteta, legjenda apo mite. Ngjarjet e së kaluarës që i përmend Kur’ani, kanë karakterin pedagogjik para se të janë statistikore. Meqë sipas Kur’anit historia fillon me njeriun, ajo duhet t’i shërbejë të nesërmes së tij dhe, çka është më kryesorja, të vazhdojë të jetë kontribuuese serioze për ta mësuar njeriun si të qëndrojë stoik në pozitën ku e kishte vendosur Zoti; Zëvendës i Tij në tokë.
Që të kuptohet drejtë universaliteti i Kur’anit dhe të reflektojë mjaftueshëm në jetën tonë, në sjelljet dhe në marrëdhëniet tona mes vete, e ky është qëllimi kryesor i Kur’anit, ai porositë që t’i bëjmë atij një studim serioz dhe kontinuitiv. Kështu, nëpërmes studimeve tematike, ne mund të zbulojmë atë që Islami i ofron gjeneratave që vijnë.
Të përmendim edhe këtë: Edhe pse Kur’anin e përshkojnë bukuri të rralla linguistike, estetike e poetike, interpretimet e shumta që i janë bërë Kur’anit vetëm mbi bazën gjuhësore, e kanë mjegulluar mesazhin e vërtetë që fshihet në përmbajtjen e fjalëve gjuhësore. E kuptoj. Një numër jo i vogël i dijetarëve myslimanë, të magjepsur nga bukuria dhe thellësia fonetike e Kur’anit, nuk qenë të gjendje t’i rezistojnë bukurisë poetike të tij, por, ama, edhe nëse kështu, ata harxhuan shumë kohë e mund duke i shpjeguar (vetëm) aspektet gjuhësore të tijt. Thjeshtë, në vend se të merren mjaftueshëm me përmbajtjen, u morën për së tepërmi me formën. E kjo shkaktoi problemet më serioze rreth kuptimit të vërtetë të historisë, të historisë së profetëve, në rastin konkret, të historisë së izraelitëve, dhe jo vetëm.
T’i kthehemi temës!
Pluralizmi kulturor dhe shoqëror të cilin e promovon Kur’ani e me të cilin është i lidhur tepër ngushtë, ka nuanca më të forta se sa koncepti teologjik i pavarur nga përvoja e popujve të kaluar. Meqë Kur’ani e konsideron thelbërore të vepruarit mirë, apo të konkurruarit për vepra të mira, me njerëzit në përgjithësi, pra edhe me pjesëtarët e feve tjera, ai i pranon Itharët e Librit ashtu siç janë dhe nuk e pengon fare ushtrimin e lirisë së tyre fetare.
Është e pamundur të kuptohet drejtë vizioni islam mbi hebrenjtë, të krishterët dhe të pjesëtarëve të feve tjera, pa kuptuar fillimisht thellësinë e konceptit kur’anor të asaj që e quan “Ehl-ul-Kitab“, apo, Ithtarët e Librit. Sepse, përkundër shtrembërimit të realitetit historik dhe strategjik të Kur’anit që sot e dëgjojmë dhe jemi dëshmitarë të asaj që e shohim, qasja kur’anore ndaj ‘Ithtarëve të Librit’ karakterizohet nga sjellja miqësore dhe nga një nivel i lartë i respektit.
Ithtarët e Librit në Kur’an përmenden gjithsej 31 herë. Meqenëse quhen edhe me emërtime të tjera, si, “el-ledhine utul’kitab” (ata të cilëve iu është dhënë Libri), “atejnahum-ul kitab” (atyre të cilëve u kemi dhënë Librin), “urithu’l-kitab” (që kanë trshëguar Librin), etj, në esencë, Kur’ani ata i përshkruan me fjalët më të mira dhe më të buta. Fjala “nasara” që përdoret për të krishterët, në Kur’an është e përsëritur 14 herë dhe përdoret rregullisht me fjalën “jehud” (jevrenjët) dhe me derivatet e saj. Përveç këtyre togfjalëshve të zakonshëm, në Kur’an përdoret edhe shprehja tjetër për të aluduar në të krishterët, “ehl-ul-Inxhil” (Ithtarët e Ungjilit). Më vonë, në suret medinase, fjala “havarijjun” përmendet 5 herë dhe shënjon ndjekësit e Jezuit, për aq kohë sa ishte në këtë botë.
Shikuar nga këndvështrimi semantik, fjala “ehl-ul-kitab” është përdorur edhe para ardhjes së Kur’anit. Edhe fjala tjetër “jehud” ka qenë evidente në poezitë e kohës së “xhahilijetit“. Por jo edhe fjala “Benu israil“. Kjo e fundit përdoret vetëm nga Kur’ani dhe atë, për të treguar se Kur’ani nuk ndjek asnjë model të veçantë që njihej më parë në Arabi.
Edhe diçka në lidhje me këto emërtime dhe përmbajtjet e tyre: Burimet flasin se në Gadishullin Arabik, në Mekë kishte shumë pak të krishterë dhe ata ishin robër, ndërsa në Medinë, numri i tyre nuk shkonte më shumë se 50 dhe ishin të qytetarë të lirë. Pra, të krishterët nuk ishin komunitet i pavarur. Ndërsa hebrenjë kishte edhe në përmasa klanesh. Thuhet se vetëm në Medinë dhe rrethinë ishin 20 sosh.
Së këndejmi, një mori ajetesh kur’anore flasin për popujt e kaluar. Janë 56 sosh të pozicionuara thuajse në fillim të sures el-Bekare që bëjnë pasqyrimin e një kategorie të caktuar të njerëzve. Duke filluar nga ajeti 40 e deri tek ai 96, Kur’ani flet kryesisht për hebrenjtë. Përgjatë leximit të këtyre ajeteve herë pas here bie në sy një dozë digresioni që e bënë Kur’ani, ku, edhe pse krijohet një përshtypje se po dilet jashtë temës, në fakt, tema fiton një sharm edhe më të bukur. Kjo është metodë e njohur e Kur’anit. Pra, duke shtruar një çështje, bënë kërcime të herëpashershme, por, asnjëherë të ndërpritet kontinuiteti i ngjarjes. Kjo formë specifike e shpjegimit kur’anor, ngjarjeve dhe tregimeve u jep një gjallëri edhe më të madhe.
Kur’ani e fillon kështu tregimin mbi izraelitët:
“O bijtë e Israilit, kujtoni (jini mirënjohës) të mirat e Mia, të cilat ua dhurova juve dhe zbatoni premtimin që më keni dhënë. Unë zbatoj atë që u premtova dhe të më keni frikë vetëm mua”. (el-Bekare, 40)
“Dhe besoni atë, që u shpalla (Kuranin), e që vërteton atë që e keni ju (Tevratin) e mos u bëni mohues të parë të tij, dhe mos i ndërroni ajetet e Mia (Kuranin) me një vlerë të paktë, por vetëm Mua të ma keni dronë”. (el-Bekare, 41)
“E mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën dhe me vetëdije të fshihni realitetin”. (el-Bekare, 42)
Pra, në kohën kur po zbriste Kur’ani, në botë ekzistonin dy fe tjera qiellore; krishterimi dhe judaizmi. Një pjesë e besimtarëve të këtyre dy feve jetonin në Gadishullin Arabik, të cilët, edhe këta, sikur idhujtarët, i bënin rezistence kokëforte mësimeve të Kuranit.
Për dallim nga të krishterët, të cilët ende nuk paraqisnin ndonjë bazë të qëndrueshme e as kishin krijuar ndonjë shkollë të fortë teologjike, hebraizmi ishte shumë më fanatik. Siç mësojmë nga këto ajete, Kur’ani fillimisht i drejtohet hebrenjve. Ka disa arsye përse vepron kështu. Hebrenjtë ishin populli më i vjetër me fe monoteiste. Nga mesi i tyre kishin ardhur një numër i konsiderueshëm i profetëve, ndërsa të gjithë profetët e mëdhenj ishin nga ata. Kjo mund të ketë qenë arsyeja përse ata në librat e shenjt të tyre u quajtën “populli i zgjedhur i Zotit”. Këtë përparësi të tyre as Kur’ani nuk e mohoi. (Innallahe stafahum ve feddalehum).
Gjithashtu, hebrenjtë paraqisnin organizimin më të ngurtë kundër përhapjes së Islamit. E kaluara tregon se izraelitët ishin kundërshtarë kokëfortë ndaj çdo gjëje të re. Ata vranë shumë profetë. Fanatizmi i skajshëm i tyre i veshur me egoizëm si dhe vetëkënaqësia e tepruar e cila shndërrohej në intolerancë ekstreme, përbëjnë elementin bazë të kryeneçësisë izraelite edhe ndaj Isait a.s. dhe përkrahësve të tij. Kështu thuhet edhe në librat e shenjtë para Kur’anit. Historia e kaluar dhe kjo më e reja e hebrenjve është e mbushur me tundime skajshmërisht të dhimbshme. Hebrenjtë përjetuan egzodin më të madh në histori, u dëbuan me dhunë, u vranë e u persekutuan nga pushtues të shumtë. Kjo mund të jetë një arsye e fortë pse hebrenjtë mbetën kaç pak në numër, ndonëse janë ndër popujt më të lashtë në histori. Dhe, duke mos arrit të mbijetojnë vetëm me ndihmën e forcës, ata u lëshuan në mjete tjera, veçanërisht në para. Me mjete financiare u bënë të njohur, ku edhe sot e kësaj dite hebrenjtë janë faktor i rëndësishëm në botën e financave. (vazhdon)