Nga Elizabeth Drayson, University of Cambridge, publikuar në revistën “The Conversation”.
Teksa lexoni këtë artikull, provoni të ktheheni pas në kohë për të kuptuar momentet kur Spanja ishte gati të bëhej fuqia më e madhe artistike në Evropë. Nuk bëhet fjalë për periudhën e Francisco Goya, e as për atë të Pablo Picasso-s, por për vitin 1492, kur vendi qeverisej nga muslimanët.
Në janar të vitit 1942, Abdallah Muhammad bin Ali, apo Muhammad XII, i njohur ndryshe edhe si Boabdil, i fundit sulltan i Granadas dhe kreu i dinastisë Nasride, u rrethua dhe u detyrua t’ia dorëzojë çelësat e Alhambrës monarkut katolik Ferdinand II dhe Isabella I të Castile-s. Sundimtarët e krishterë ishin afruar në Granada të shoqëruar nga kardinal i Spanjës, Francisco Cisneros, së bashku me oborrtarë dhe fisnikë, midis të cilëve ishte edhe Christopher Columbus.
Të gjithë mbretërorët por edhe kalorësia mbanin veshje luksoze me tunika prej mëndafshi, në gjest respekti ndaj atyre që po u merrej sundimi nga duart.
Por më tepër se ajo që pretendonin, ky ishte një pushtim që eliminoi kulturën dhe religjionin e asaj pjese që paqësisht mbretëronte dhe shkëlqente si asnjëherë më parë. Kushdo që e ka vënë këmbën në Alhambra dhe ka parë ato gjurmë të pakta që kanë mbetur, është bindur se qytetërimi dhe arti i asaj kohe ka qenë përtej imagjinatës.
Spastrimi i këtij qytetërimi nga Francisco dhe Isabella u bë realitet për disa vite, kur të gjithë muslimanët e konvertuar, të quajtur “Moriscos”, u dëbuan nga Spanja.
Por historia nuk harron.
Sundimtar musliman i Granadas, Boabdil, kur zbriti për t’ia dorëzuar çelësat mbretërve, së pari ua tregoi të gjithë bukurinë e pallatit prej ku dukej i gjithë qyteti i shkëlqyer. Në këtë dorëzim publik që po ua bënte sundimtarëve të rinj, Boadbil ia dha çelësat Ferdinandit, duke i thënë në arabisht: “Zoti po ju dashka fort. Zotëri, ja ku i ke çelësat e parajsës. Unë dhe të gjithë ne brenda qytetit u takojmë juve tashmë”.
Ky moment i dorëzimit u ruajt në imagjinatën e artistëve dhe shkrimtarëve dhe nuk u harrua as sot. Ky ishte një kryqëzim i dy feve dhe qytetërimeve, ku ai që e dorëzoi “parajsën” u soll dinjitetshëm, ndërsa ata që e shndërruan, luajtën rolin e mohuesit të qytetërimit.
Dhjetë vite para se të dorëzohej, mbretëria e Granadas ishte teatri i një prej luftërave më domethënëse në historinë evropiane. Territori i sulltanit Nasrid ishte kështjella e fundit spanjolle e një perandorie të madhe myslimane e cila fillimisht ishte shtrirë deri në Pirenej dhe më gjerë, ku përfshiheshin qytete të mëdha si Barcelona dhe Pamplona.
Rënia e Granadas ishte kulmi i asaj beteje midis dy civilizimeve të mëdha dhe kundërshtare, të cilat jo vetëm që vendosën fatin kulturor të një pjese të madhe të Evropës, por gjithashtu nisën bazën për zbulimin e Amerikës.
Në dekadën e fundit të sundimit mysliman në Spanjë nga 1482-92, sulltani Boabdil – i ri rreth të 20’tave që vështirë se i njihte kufijtë e pallatit Alhambra dhe nuk kishte përvojë të jetës jashtë familjes së tij, u ngrit në fron si i 23-ti sundimtar i dinastisë Nasrid të Granadas.
Në dhjetë vitet e ardhshme, ai i evitoi me guxim sulmet e ushtrisë së krishterë, por rezistenca pati një fund. Duke mbajtur me dinjitet humbjen dhe internimit që pasoi, ai dha shembull të paprecedent. Boabdil pastroi “mykun” e sundimtarëve të mëparshëm duke preferuar negociatat e jo dhunën, paqen e jo luftën, dhe u përpoq të gjente një mënyrë që muslimanët e mbretërisë së tij të ruanin fenë dhe zakonet e tyre përkrah bashkëqytetarëve të krishterë.
Sulltani i fundit musliman në Spanjë është simbol i fuqishëm i rezistencës kundër shtypjes, dhe i forcave të rebelimit – një hero moralist në vete, jeta e të cilit ka rëndësi edhe sot, sepse mësimet e tij tregojnë se si ruhet jeta e njeriut përmes negociatave dhe diplomacisë.
Fundi i ditëve të arta
Viti 1492 përgjithësisht shihet si një fillim, qoftë i Spanjës moderne apo zbulimit të Botës së Re. Por ajo që kishte përfunduar ishte po aq e rëndësishme. Për gati 800 vjet, që nga viti 711, gadishulli spanjoll kishte qenë shtëpi për një grup njerëzish që erdhën si pushtues, por kishin qëndruar për të krijuar një civilizim unik dhe të sofistikuar, i cili i la Spanjës një trashëgimi të paparë kulturore. Një gjë që humbi ishte krijimtaria e frytshme ndër-kulturore dhe përtëritja e lindur nga sundimi musliman.
Bashkëjetesa e të krishterëve, muslimanëve dhe hebrenjve që ishin pjesë kaq e rëndësishme e jetës spanjolle mesjetare, u zëvendësua nga konfrontimet dhe konfliktet serioze që çuan në dëbimin e muslimanëve në vitin 1609. Në vend të një shoqërie ku jetuan anëtarët e tre feve të ndryshme, Spanja e pas vitit 1492 u bë një shoqëri me një fe dhe gjuhë të vetme, një vend i mbyllur, i dyshimtë që shtypi dhe eliminoi diversitetin ndryshimin.
Historia e Boabdil dhe rënia e Granadas paraqet një qëndrim ekselent kundër mosdurimit fetar, një shembull që kundërshton fanatizmin dhe injorancën, që shmang dhunën, tensionin, paragjykimin dhe veprimet e ngutshme.
Vetëm… sikur edhe pushtetet pas tij të ndiqnin të njëjtën udhë.
Discussion about this post