
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të kryeparlamentarit saudit, Abdullah Ibn Muhammad Al Sheikh.
Pjesë e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, është edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Socialiste të Shqipërisë (PS), Taulant Balla, ndërsa në fokus të takimeve janë aspektet e bashkëpunimit dypalësh në disa fusha.
“Takimi i parë i mirëseardhjes ishte me kryetarin e Parlamentit saudit Abdullah Ibn Muhammad Al Sheikh ku thelbi i bisedës ishte procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, mbështetja dhe solidariteti shumë i madh ndërkombëtar, si dhe u diskutua mbi aspekte të bashkëpunimit dypalësh politik, ekonomik e tregtar si edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në njoftim theksohet se kryetari i Parlamentit të Arabisë Saudite u shpreh se mbështetja e Arabisë Saudite do të zgjerohet së shpejti edhe në një mbështetje financiare të drejtpërdrejtë bilaterale.
“Bashkëpunimi i shkëlqyer politik midis të dy vendeve duhet të përkthehet në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe të investimeve saudite, të cilat janë të mirëpritura në Shqipëri, nënvizoi kryetari Ruçi”, thuhet më tej në njoftim.
Gjatë takimit, kryeparlamenatri saudit, “vuri në dukje vullnetin e palës saudite, posaçërisht të Mbretit të Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud” për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit është biseduar edhe për aspektet e bashkëpunimit dypalësh në fushën e turizmit dhe transportit ajror, ndërsa theksohet se së shpejti do të fillojë të funksionojë edhe linja direkte midis të dy vendeve.