Kanë nisur të zbatohen dy vendimet e Qeverisë së Kosovës – ai për reciprocitetin me Serbinë sa i përket dokumenteve të identifikimit të qytetarëve të dy vendeve kur ata hyjnë në njërin dhe vendin tjetër, dhe tjetri që ndalon përdorimin e targave serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës.
Ekipet e KALLXO.com gjenden në pikat kufitare me Serbinë dhe gjendja në pikën kufitare të Bërnjakut është e qetë.
Zbatimi i dy vendimeve ka nisur që nga mesnata.
Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.
Për t’u kryer kjo punë, pronarët e këtyre veturave kanë në dispozicion dy muaj, nga tani e deri më 31 tetor.
Ky vendim ishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht, por për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj.
Një rrugëtim të njëjtë si vendimi për targa ka pasur edhe vendimi për dokumente hyrje/dalje që do të lëshonte Republika e Kosovës për qytetarët serbë që do të hynin në vend, ashtu siç i lëshon Serbia për qytetarët e Kosovës.
Më 31 korrik, serbët lokalë të veriut të Kosovës kishin filluar të bllokonin rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në veri të Kosovës, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Alarmi që u lëshua tri herë brenda ditës, 9 barrikadat që u vendosën nga persona të maskuar e vështirë të verifikueshëm, sulmet ndaj qytetarëve që më pas u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, bënë që në kryeqytet Qeveria të takohej me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
Pas takimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve deri më 1 shtator 2022.
Mirëpo, për vendimin për dokumentet për hyrje/dalje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje që të njihen letërnjoftime e njëra-tjetrës dhe të mos lëshohen dokumente për hyrje/dalje.
Më 27 gusht 2022, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi për marrëveshjen e arritur.
Ai kishte njoftuar se pas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia kishte rënë dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe se Kosova ishte pajtuar që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe.
Borrell kishte shtuar se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.