Kosova i ka ofruar mundësinë Shteteve të Bashkuara që të krijojnë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.
Ky propozim, në emër të Qeverisë së Kosovës, është dhënë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, i cili në Pentagon zhvilloi takim me nënsekretarin e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, Colin Kahl.
Sipas një njoftimi për media, ministri Mehaj ka thënë se krijimi i një baze të tillë do t’i kontribuonte “shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan”.
Kampi Bondsteel në Ferizaj është kampi më i madh ushtarak që SHBA-ja ka në Kosovë.
Ndërkaq, nënsekretari Kahl, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike, “duke theksuar se vizioni i presidentit amerikan, Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor, në BE, mbetet në agjendën prioritare”.