Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi të konsiderueshme të mishit në Pejë, me ç’rast është arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor”.
Policia e Kosovës, Njësitet e Stacionit Policor Pejë, duke zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë, kanë realizuar një bastisje në fshatin Sigë të komunës së Pejës. Gjatë bastisjes në një depo janë gjetur të deponuara lëkura të kafshëve dhe rreth 3 mijë e 200 kilogramë lloje të ndryshme të mishit dhe në stallën e këtij objekti janë gjetur 7 krerë lopë dhe gjedhe pa numër identifikues.
Pasi që janë njoftuar nga policia, në vend të ngjarjes kanë dalë inspektoret e AUV-së dhe doganierët. “Pas verifikimit të objektit nga inspektorët është konstatuar se depoja në fjalë nuk i plotëson kushtet higjieno-sanitare dhe janë vendosur vulat zyrtare (bllombat) në dyert e depos deri sa të krijohen kushtet për asgjësim, ndërsa shtatë (7) krerë lopë dhe gjedhe janë konfiskuar pasi që nga i dyshuari nuk është prezantuar ndonjë dokument për identifikimin e prejardhjes së tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh./21Media/
Discussion about this post