Me një shkrim autorial, i dërguari i Donald Trumpit për dialogun Kosovë-Shqipëri zbulon pavullnetshëm boshllëkun e marrëveshjes së Washingtonit, të cilën nuk e quan as marrëveshje.
Shkruan: Enver Robelli
Richard Grenell, diplomati zulmëmadh nga zyra e komedisë, u ankua gjatë fundjavës se mediat amerikane nuk i paskan kushtuar fare vëmendje “marrëveshjes historike” mes Kosovës e Serbisë, të nënshkruar të premten. Andaj, Grenell e mori kalemin dhe shkroi një tekst – të dobët, qesharak, kundërthënës në portalin “thehill”. Madje Grenell nuk flet për marrëveshje, por për “obligim të ndërmjetësuar” që kanë marrë palët mbi vete për “normalizim ekonomik”.
Në vijim të tekstit Grenell përmend disa projekte, si lidhja hekurudhore dhe autostrada Nish-Merdar. Projektin e autostradës Grenell është duke e shitur si ide të tij, por ky është projekt për të cilin është diskutuar në BE dhe BE-ja ka premtuar financim. Grenell po thotë se pikëkalimi në Merdar do të jetë i përbashkët, duke heshtur faktin se në disa vende të Ballkanit me përkrahjen e BE-së shumë pika kufitare menaxhohen nga policët dhe doganierët e të dy shteteve përkatëse. Edhe Merdari është projekt i tillë i BE-së.
Grenell e përmend edhe zonën e Schengenit, për të cilën për pak i doli shpirti edhe Edi Ramës – nëse ju kujtohet është i njëjti që sot e lavdëron Trumpin, e më 2016 thoshte se po fitoi ky pizeveng do të ishte katastrofë për botën, sidomos për myslimanët. (Si është e mundur që para kësaj ofensive serbe për Schengenin ballkanik të dorëzohen të dy qeveritë, në Prishtinë dhe Tiranë, pa kërkuar asgjë nga Serbia? Presidenti serb para se të shkojë në Washington tha se “për neve Schengeni ballkanik është shumë i rëndësishëm”. Pra, Serbisë i krijohen favore për të depërtuar në tregjet e Kosovës dhe Shqipërisë pa i kërkuar asnjë lëshim në raport me Kosovën që shkon në drejtim të njohjes).
Në shkrimin e tij Grenell thotë se marrëveshja e Washingtonit parasheh një moratorium njëvjeçar sa u përket kërkesave të Kosovës për pranim në organizata ndërkombëtare. Njëkohësisht, Serbia paskësh premtuar se do të ndalë për një vit fushatën për çnjohjen e Kosovës. Komedia vazhdon: Grenell mendon se këto dy çështje janë “dy nga plagët më të mëdha të konfliktit”. Një pyetje logjike: si mund të jenë kërkesat e Kosovës për hyrje në Interpol apo UNESKO plagë? Kujt po ia shkaktuaka Kosova këto plagë? Interpoli ndihmon për luftimin e krimit. (Grenell nuk flet gati kurrë për plagët e vërteta të Ballkanit: keqqeverisjen, krimin dhe korrupsionin). UNESKO mbron trashëgiminë kulturore. Pse t’i ndalohet Kosovës aplikimi? Dhe pse aplikimi, po u bë, po shkaktuaka plagë?
Grenell, i cili sillet edhe si aktivist për të drejtat e homoseksualëve dhe kjo është çështje legjitime, shkruan se të dy vendet, pra Kosova e Serbia, qenkan obliguar që të punojnë bashkë me SHBA-në që të dekriminalizohet homoseksualiteti në 69 vende, ku ende është i kriminalizuar. Së pari: si do të luftojë Serbia për të drejta të homoseksualëve kur në Serbi kisha dhe një pjesë e madhe e shoqërisë janë tepër homofobë dhe paradat e homoseksualëve janë arena të gjakderdhjes të shkaktuara nga huliganët? Ta paramendojmë një klerik serb apo Ivica Daçiqin duke shkuar në Iran në përpjekje për t’i bindur mullahët që mos t’i trajtojnë keq homoseksualët? Së dyti: mos ka Grenell pritje që Kosova do ta emërojë Skënder Hysenin emisar special për të drejtat e grupeve të margjinalizuara në botën myslimane? Si shumë pika të marrëveshjes (që s’është marrëveshje) edhe kjo pikë nuk ka kurrfarë kuptimi.
Grenell shkruan se me gjasë pika më e rëndësishme e marrëveshjes është premtimi i Serbisë se do ta zhvendosë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem (pse më e rëndësishmja?) – ndërsa Kosova ka premtuar se do të ketë njohje të ndërsjellë me Izraelin. Sa i përket Serbisë: presidenti serb tha se së pari do të hapë një zyrë ekonomike në Jerusalem. Mbetet të shihet nëse Serbia do të hapë ambasadë në Jerusalem, sepse kështu do të zemëronte shtetet arabe, disa prej të cilave i kanë ndarë miliona presidentit serb për realizimin e projektit të tij “Beogradi mbi ujë”. Në mediat sociale po qarkullon një incizim ku presidenti serb ndërron çehren kur e dëgjon Donald Trumpin duke thënë se Serbia do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem. Në Serbi dhe mes diplomatëve dhe ekspertëve të Ballkanit që vërtiten në Twitter, kjo skenë është bërë hit: Vuçiqi fytyrëvrenjtur duke mbajtur shkurt dorën në ballë kur e dëgjon Trumpin duke u marrë me objektet e ambasadave të Serbisë.
Sa i përket Kosovës dhe Izraelit: kur thotë se Kosova ka premtuar të ketë njohje të ndërsjellë me Izraelin, Grenell krijon përshtypjen sikur Kosova ka qenë ajo që e ka refuzuar njohjen nga Izraeli – jo e kundërta. Pse e bën këtë? Sepse kështu mund të plasohet narracioni se “një vend me shumicë myslimane” (Kosova) e pranoi Izraelin – dhe kjo çon ujë në mullirin elektoral të “gjeniut stabil” (Trumpi për vetveten) si “ndërmjetësues paqeje” në Lindjen e Afërt. “Izraeli e pranon Kosovën” – kjo nuk shitet mirë te disa përkrahës evangjelistë të Trumpit, të cilët besojnë se një ditë të gjithë njerëzit do të gjejnë strehë në Izrael, sepse në “tokën e shenjtë” (ku s’ka vend për palestinezë) do të kthehet Jezusi, shpëtimtari i botës dhe i njerëzimit.
Për t’u kthyer në fillim të këtij teksti: Grenell po ankohet se mediat serioze amerikane nuk po i kushtojnë rëndësi “deal-it” të Trumpit në Ballkan. Arsyen pse mediat serioze amerikane nuk po merren me këtë “pazar” e jep vetë Grenell me tekstin e tij të zbehtë, qesharak e kundërthënës. Por ndoshta gjithë kjo komedi ballkanike i shpaguhet Grenellit pas 3 nëntorit. Nëse atë ditë i fiton zgjedhjet Donald Trumpi, Grenell mund të shpresojë të ngjitet në shkallët e Departamentit të Shtetit.