Nga premtimet për përkrahjen e bizneseve vendore, thirrjes ndaj diasporës për votim dhe kontribut për vendin e deri te tubimi i PDK-së, duke e zyrtarizuar kandidatin për kryeministër dhe paraqitjen e listës së kandidatëve për deputetë nga kjo parti, ishin ngjarjet që karakterizuan të dielën e 8 shtatorit, shkruan Gazeta Insajderi.
Dita nisi me kandidaten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmanin. Ajo premtoi se posa të nisë së funksionuari Qeveria e re, sipas saj, e udhëhequr nga LDK, do të nis së zbatuari programi për mbrojtjen e prodhuesve vendorë. Këto premtime Osmani, i bëri gjatë vizitës në një biznes privat të përpunimit të qumështit.
Premtimin e Osmanit, gati e bëri edhe kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj. Ai, vizitoi një biznes tjetër në Junik. Haradinaj, pohoi se prodhuesin dhe bizneset vendore i ka vendosur si prioritet, duke ndërmarrë një varg masash mbrojtëse, që sipas tij rezultuan me ngritje të cilësisë, zgjerim të kapaciteteve dhe shtim të vendeve të reja të punës.
“Fuqia e Kosovës sipas konceptit 100% shtet matet me parametrat ekonomik, prodhimin vendor dhe konkurrueshmëri në tregun botëror”, kishte theksuar ai.
E kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, paraditen e të dielës kërkoi mbështetje financiare për partinë e tij kurse pasdite u bëri thirrje mërgimtarëve që të regjistrohen sa më shpejt që është e mundur për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Ai po ashtu ishte në një qytet të Zvicrës, ku bëri shumë ‘selfie’ me bashkatdhetarët.
Jo larg mërgimtarëve të Kurtit ishte kandidati për kryeministër nga koalicioni NISMA-AKR, Fatmir Limaj. Ai mërgimtarëve u është drejtuar me një letër të gjatë. Limaj, nuk e kërkoi votën e tyre por kërkoi nga ta të kontribuojnë në shtetndërtimin e vendit.
Ndërsa çarshia mbi tortë, mbrëmjen e 8 shtatorit ishte Partia Demokratike e Kosovës. Kjo parti, përveç që e publikoi listën e kandidatëve për deputetë, mbajti edhe tubimin në Prishtinë, ku zyrtarisht i pari i PDK-së, Kadri Veseli, u nomina për kryeministër.
Ndonëse Kadri Veseli, kishte premtuar se në listat e kandidatëve për deputetë nga radhët e PDK-së nuk do të ketë persona të cilët akuzohen nga drejtësia, megjithatë në mesin e kësaj liste gjenden edhe Xhavit Haliti e Rrustem Mustafa. Por, premtimin edhe pasi doli lista, Veseli e vazhdoi, bile duke u zotuar se në listën e tij nuk ka kandidatë të akuzuar. Ai në tubimin për nominimin e tij për kryeministër shpalosi vizionin për vendin. Veseli ndër të tjera tha se do të fitojë për të mos i lënë që të tjerët ta dështojnë Kosovën./
Discussion about this post