Artan Behrami, këshilltari i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se kryeministri, Albin Kurti është duke e drejtuar Qeverinë nga Lindja duke e braktisur Amerikën.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka thënë se kjo Qeveri me në krye Albin kurtin po frikësohet të hyjë në një proces nga i cili mund të dalë sa herë që mendon se interesat e Kosovës po shtypen nga ajo Amerika që sipas Behramit, për ta është imperialiste.
“Qeveria Kurti frikësohet të hyjë në një proces nga i cili mund të dalë sa herë që mendon se interesat e Kosovës po shtypen nga Amerika e tyre imperialiste!”, ka shkruar Behrami.
Postimi i plotë:
“Meqë keni braktisur Amerikën dhe jeni orientuar kah Lindja, ja disa shembuj që mund të jenë të vlefshëm:
Gjatë negociatave për statusin e Kosovës që u mbajtën në Vjenë, Rusia, si armiku më i madh i Kosovës dhe i Amerikës, u bë pjesë e procesit pa e paragjykuar fundin e tij. Ata, gjatë gjithë kohës u përfshin në negociata, deri kur, në një ditë të bukur, Marti Ahtisaari propozoi pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Ai ishte momenti kur Rusia braktisi negociatat. Pjesa tjetër është histori!
Sot, mbi një dekadë më vonë, kemi një Qeveri në Kosovë, e udhëhequr nga paranoja dhe paragjykimet, që dëshiron të bëjë të kundërtën. Qeveria Kurti frikësohet të hyjë në një proces nga i cili mund të dalë sa herë që mendon se interesat e Kosovës po shtypen nga Amerika e tyre imperialiste!
Kështu, kjo Qeveri ka zgjedhur rrugën e gjatë, të mundimshme në kërkim të tokës së bekuar, e cila duhet të jetë e mbushur përplot sakrificë, mund dhe vetëmohim. Një rrugë që e kundërshtojn ë të gjithë, por ku mendimi largpamës i Mesias është më i vlefshëm se ofshamat e kuazi pro-amerikanëve!
Një rrugë që duhet shkelur, edhe me kushtin që Kosova, në fund të saj, mund të mbesë me një grusht njohjesh, e izoluar nga mobiliteti social në BE, pa fuqi punëtore, pa anëtarësim në NATO dhe në konfrontim të rrezikshëm me Amerikën!
Një rrugë e mjegulluar, me shikueshmëri prej dy metrash, por pa vizion dhe real politikë!”.