Këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka reaguar sot ndaj ambasadorit gjerman në Prishtinë, Christian Held, raporton Gazeta Express.
Behrami ka reaguar ndaj ambasadorit, pasi që ai deklaroi se i emëruari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, do të çojë në një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të dy shtetet.
Këshilltari i presidentit thotë se me emërimin e Lajcakut është legjitimuar qasja e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtete të BE-së.
Ai thotë se dialogu duhet të zhvillohet nga negociatorët që i njohin si Kosovën ashtu edhe Serbinë.
Held ka shkruar sot në Twitter se Gjermania mirëpret emërimin e Lajçakut në këtë pozitë, duke shkruar se ai do të drejtojë një dialog të strukturuar dhe thelbësor në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Gjermania mirëpret emërimin e Miroslav Lajcak, që në emër të Bashkimit Evropian do të drejtojë një dialog të strukturuar dhe thelbësor, që çon në zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme. Si përfaqësues i BE-së ai do të veprojë dhe do të flasë për Gjermaninë dhe të gjithë shtetet anëtare. Mbani në mend Gjermania është Bashkimi Evropian, gjithashtu, BE-ja është Gjermania”, ka shkruar Held. /Gazeta Mejdani/