
Studentët të cilët diplomojnë në nivelin e studimeve bachelor, do të detyrohen të përfundojnë një kurs të gjuhëve të huaja që të mund t’i nënshtrohen studimeve në master dhe doktoraturë.
Kjo pas një Udhëzimin Administrativ të miratuar nga qeveria e Kosovës në prill të vitit 2018.
Ky Udhëzim Administrativ, obligon studentët që të pajisen me certifikatë të njohjes së gjuhëve të huaja të nivelit A1 dhe A2 për studime në master dhe së paku B1 dhe B2 për studime të doktoratës.
Të interesuarit që planifikojnë të regjistrojnë studimet master po e konsiderojnë të padrejtë udhëzimin që i obligon të kryejnë kurs të gjuhëve të huaja para se të regjistrojnë studimet.
Studentët, me një certifikatë të tillë mund të pajisen në një ose dy institucione private dhe duhet të paguajnë nga xhepi i tyre shumën e nevojshme. Udhëzimi Administrativ jep mundësinë që kandidatët që mund të zgjedhin njërën nga pesë gjuhët në të cilën mund ta kryejnë kursin si: gjuhë angleze, gjuhë gjermane, gjuhë frënge, gjuhë italiane dhe gjuhë spanjolle.
Lidhur me këtë kriter, studentët e Universitetit të Prishtinës po shprehen se paraqet barrë financiare dhe nuk është i organizuar mirë. Shumica e tyre pohojnë se një testim i tillë duhet të kryhet në fakultetet përkatëse dhe jo në institucione private.