
Fundi tragjik i një të riu nga Gjilani, na bindi edhe një herë se në këtë vend, jeta e njerëzve është e pavlerë kur bëhet fjalë për politikë e pushtet.
Pandemia i ka detyruar edhe shtetet më demokratike, të ndërmarrin masa kufizuese duke cënuar kështu të drejtat e liritë e njeriut, për ta ruajtur shëndetin e popullatës nga një virus vdekjeprurës.
Karantinimi dy javor, është ndër detyrimet më të rënda, i aplikueshëm për të gjithë ata që vijnë nga jashtë. Agon Musliu ra nga godina e Qendrës së Studentëve, duke humbur tragjikisht jetën.
Ende pa u dhënë versioni zyrtar i ngjarjes që dyshohet si vetëvrasje për shkak të problemeve me shëndetin mendor, batalionet e partive nisën fushatën spekulative dhe denigruese.
Opozita po kërkon komision hetimor parlamentar. Një kërkesë e tillë, e politizon edhe zyrtarisht rastin e rëndë. Asnjë hetim parlamentar nuk sjell te vendosja e drejtësisë apo adresimi i përgjegjësisë, sidomos për një ngjarje të tillë.
Parlamenti nuk është as prokurori e as gjykatë.
Lufta mes rivalëve politikë në Kosovë është e egër dhe nuk njeh kufinj. Përplasjet e këtyre javëve në pandemi, do të mbahen mend gjatë.
Kur akuzuesit e sotëm ishin në pushtet, e mbuluan me jotransparencë (vetë)vrasjen e Astrit Deharit, në qelinë e burgut në Prizren.
Tre pacientë humbën jetën në rrethana të dyshimta në QKUK. Edhe gjatë kësaj periudhe, një paciente shtatzënë dyshohet se vdiq për shkak të gabimeve gjatë operimit. Versioni zyrtar ishte se e pësoi nga COVID-19. Asnjë nga kontaktet dhe familjarët nuk rezultoi i infektuar me koronavirus. E ndjera u zhvarros dhe rasti është nën hetime.
Kanë ndodhur raste të rënda në Kosovë. Dino Asanaj ish-kryeshef Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ishte gjetur i therur. Sipas mjekësisë ligjore, kishte bërë vetëvrasje, edhe pse këtë version, pakkush e besonte.
Jeta e secilit vlen dhe shteti është për ta garantuar, mbrojtur e respektuar atë. Izolimi ka sjellë shtimin serioz të problemeve me shëndetin mendor. Një vetëvrasje e një të reje në Prishtinë, kaloi thuajse në heshtje. Rasti i saj nuk lidhej direkt me autoritetet, prandaj opozita as që e përmendi.
Por, kur historia u përsërit, në karantinën për të ardhurit, vërshuan akuzat, ende pa ia dhënë lamtumira e fundit të ndjerit.
Me shembullin e Pacollit, që dëshironte të privilegjohej, u kuptua qartë se cilat janë rregullat për karantinim. Nëse je i sëmurë, vetëizolimi bëhet në shtëpi. Ministria e Shëndetësisë tha se Agon Musliu nuk kishte raportuar probleme shëndetësore kur mbërriti në Aeroportin e Prishtinës. Si çdo rast i tillë, duhej t’i nënshtrohej karantinës. Fatkeqësisht, për të kjo ishte me pasoja tragjike.
Kushdo që ka abuzuar me protokollin përkatës dhe rregullat e karantinimit, duke ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të të ndjerit, duhet të ballafaqohet me forcën e ligjit.
Pak e besueshme duket që një ministër si Arben Vitia, të përpiqet ta mbulojë një fatkeqësi të tillë, të fshehë faktet, të mbrojë përgjegjësit. Nëse është një person meritor për menaxhimin e pandemisë, ai nuk quhet Albin, por Arben.
Këtë e pohojnë edhe akuzuesit e partive, që kërkojnë dorëheqje.
Dorëheqje, të një ministri në dorëheqje!
Politikanët kosovarë e kanë bërë ves të shëmtuar politizimin e vrasjeve. Gjithnjë kështu kanë vepruar. LDK për shembull sa herë mbahen zgjedhje, gjithnjë zotohet se do t’i zbardhë vrasjet politike të disa veprimtarëve të saj, por pak muaj më vonë, hyn në ‘shtratin’ e pushtetit me ata që i fajësonte.
Është një farë kanibalizmi politik, ky fenomen kosovar. Nuk mund të shpjegohet ndryshe, një egërsi e tillë në kohë pandemie.