Kanali i Suezit është një prej momenteve që ka shkaktuar më së shumti tundje në botë. Është produkt i ideve dhe përpjekjeve njerëzore mbi 5 vijë vjeçare. Kriza e Kanalit të Suezit ka qenë kriza më e rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore kur hedhen bombat atomike mbi Hiroshimën dhe Nagasakin. Në fakt, është momenti ku i jepet fund dominimit qindvjeçar anglo-francez në Lindje të Mesme dhe fillimit të supremacisë amerikane jo vetëm atje, por në gjithë botën. “Folur shqip”, Kanali i Suezit është vepra më e madhe që e kanë bërë ndonjëherë shqiptarët në histori. Drejtpërdrejtë me duart e tyre, apo tërthorazi me ide dhe përpjekje të gjithanshme. Përfundimisht, Kanali i Suezit është shah-damari i tregtisë botërore. Pa te, tregtia dhe bota në përgjithësi, sigurisht se do të ishin ndryshe.
Shkruan: Dr. Mustafë Bajrami
Hyrje
Xhemal (Gamal) Abdul Naser, është oficeri egjiptian që rrëzoi dinastinë shqiptare të Muhamed Ali Pashë Kavallës në Egjipt. Në vitin 1952 merr pushtetin në duar dhe i jep fund sundimit shqiptar në Lindje të Mesme. Që nga ditët e para të ardhjes në pushtet, Naseri u përpoq të zbatonte aso politika që do ta bënin Egjiptin fuqinë kryesore midis vendeve arabe. Nacionalizimi i Kanalit të Suezit (1956) ishte hapi i parë i tij në drejtim të fuqizimit të pan-arabizmit të rrezikshëm për Perëndimin. Ky vendim i Naserit për Kanalin e Suezit shkaktoi zhvillimet më të ndjeshme dhe më të rrezikshme ndonjëherë në historinë e Lindjes së Mesme. Këto zhvillime, në marrëdhëniet ndërkombëtare njihen me emrin, “Kriza e Kanalit të Suezit”.
Kriza e Kanalit të Suezit dhe ndryshimet në baraspeshat gjeostrategjike në Lindje të Mesme
Shtetet arabe, pas disfatës që pësuan në luftë me Izraeli në vitin 1948, kaluan nëpër një periudhë trazirash të mëdha politike. Ngjarjet më kritike ndodhën në Egjipt. Në vitin 1952 oficerët rebelë të mbështetur nga Vëllazëria Myslimane detyrojnë mbretin shqiptar, Farukun ta dorëzojë pushtetin dhe të ikë në mërgim. Dy vite më vonë, Naseri nisë lëvizjen pan-arabe të udhëhequr nga Egjipti që kishte për synim dëbimin e britanikëve nga Lindja e Mesme dhe shkatërrimin përfundimtar të Izraelit. Në ndërkohë, Egjipti fillon sponsorizimin e akteve të dhunës kundër Izraelit nga Rripi i Gazës dhe ndërpreu transportin përmes ngushticës së Tiranit. Britanikët ndërhynë kundër Naserit, e pak më vonë edhe francezët të cilët në këtë kohë po i luftonin nacionalistët islamikë në Marok, Algjeri dhe Tunizi.
Izraeli që nga themelimi i tij në vitin 1948, kishte nisur seriozisht ndërtimin dhe forcimin e vendit. Është i njohur trajnimi i forcave rezervë ushtarake prej 200.000 burra dhe gra të armatosur kryesisht me armë franceze. Ben Gurion besonte se arabët kurrë nuk do ta pranonin ekzistencën e Izraelit. Përveçse me forcë. Politika e SHBA-së në këtë kohë ishte e orientuar kah minimizimi i mosmarrëveshjeve arabo-izraelite dhe paralajmëronte të gjitha palët për rrezikun e depërtimit komunist. Eisenhower kishte dërguar në rajon një mision paqe në janar 1956 me shpresën e pajtimit të Kajros dhe Tel Avivit. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara ranë dakord që nëpërmes Bankës Botërore të kontribuojnë me 200,000,000 $ në projektin e Egjiptit për një digë të re të Nilit në Asuan. Megjithatë, flirtet e Naserit me Moskën i ftohën amerikanët, dhe si rezultat i kësaj ftohje e si përgjigje ndaj amerikanëve, me datë 26 korrik 1956, Xhemal Abdul Naseri shpallë nacionalizimin e Kanalit të Suezit.
Britania e Madhe dhe Franca, kundërshtuan me forcë vendimin egjiptian, dhe nisën një operacion ushtarak në rajonin e Kanalit të Suezit. Operacionit i paraprinte një marrëveshje e fshehtë midis tyre dhe Izraelit. SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, si dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë, kundërshtuan vendimin trepalësh Francë-Angli-Izrael. Nën presione të mëdha, Britania dhe Franca detyrohen të tërhiqen nga aty, ku Egjiptit iu dha shans të dalë në plan të parë në botën arabe. Lindja e Mesme tanimë po bëhej problemi më i ndërlikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa SHBA-të dhe Sovjetët zunë pozicionet që dikur i kishin nën kontrolle Franca dhe Britania. Që të dyja këto ish-superfuqi pretendonin kontrollin mbi Kanalin e Suezit, duke e shtyrë çështjen e Kanalit të pranohej nga bota si çështje ndërkombëtare.
Në fakt, Egjipti nacionalizimin e Kanalit e konsideronte punë të kryer dhe në përputhje me ligjet e vendit në fuqi. Kajroja zyrtare ishte e pa kompromis karshi përpjekjeve të jashtme për ta bërë Kanalin problem ndërkombëtar. Ky insistim, Egjiptit po i siguronte ndikim të madh edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Arsyetimi i dalë nga një vendim i Kombeve të Bashkuara lidhur me pronësinë e shteteve të burimeve natyrore si dhe këmbëngulja e Bashkimit Sovjetik për të drejtën në tregtimin me armë, Egjiptin e forcuan edhe më shumë. Avokimi kësisoj i Egjiptit forcoi pozitën e tij si një vend kyç në botën arabe dhe rriti popullaritetin e Naserit midis arabëve.
Popullariti të cilin e fitoi Naseri e ndihmoi atë të bëhej emër i madh në botë, ndërsa Egjiptit i siguroi rol të rëndësishëm në Lëvizjen e të Painkudruarve. Përtej kësaj, Egjipti arriti të mbajë nën kontroll Kanalin e Suezit dhe të diktonte lëvizjet nëpër vendet arabe që nisën luftën për tu çliruar nga kolonializmi francez dhe anglez.
Në këto rrethana të krijuara atëbotë, qeveria amerikane mbështeti haptazi Egjiptin. SHBA-të kishin nevojë për popullaritet si vend mbrojtës i shteteve arabe karshi ish-kolonizatorëve evropianë. SHBA-të, në fakt veç kishin filluar ta fitonin simpatinë e kombeve të rajonit. Në të njëjtën kohë amerikanët i shkaktuan debakël të madh në rajon, ish-kolonialistëve nga Evropa. Gjithashtu, edhe në raport me Bashkimin Sovjetik që tregonte ambicie për të qenë vendimmarrës në Lindjen e Mesme, amerikanët dolën në rend të parë.
Megjithatë, krizat e njëpasnjëshme në Lindje të Mesme disa herë favorizuan në reputacion edhe të Bashkimit Sovjetik. Në kohën e Naserit, sovjetikët mbështetin fuqishëm Egjiptin. Ata deklaronin se e drejta sovrane e Kanalit të Suezit i përket Egjiptit. Ky qëndrim i sovjetëve u shpalos botërisht në Konferencën e Londrës në gusht të vitit 1956.
Meqenëse Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë që njohu Izraelin de jure, kjo superfuqi kishte nevojë të riparonte imazhin e saj negativ në botën arabe. Në këtë drejtim, sovjetikët përdorën dy metoda shumë efikase: Mbështetën Egjiptin në çështjen e Kanalit të Suezit, dhe filluan ndryshimin e diplomacisë ndaj politikave ndërkombëtare që i kishte vendosur më parë Stalini. Formula e re sovjetike “të jetohet së bashku në paqe” zëvendësoi atë të dikurshmen, “proletarizëm në gjithë botën” të Stalinit. Futja në lojë e kësaj doktrine të re, Bashkimit Sovjetik i ndihmoi shumë karshi përpjekjeve amerikane për ta izoluar “Ariun Polar” në Lindje të Mesme. Mund të thuhet se mbështetja e Bashkimit Sovjetik ndaj Egjiptit përgjatë Krizës së Kanalit të Suezit, ishte pika kulminante që ua mundësoi rusëve implementimin e doktrinës së re sovjetike. Kjo doktrinë që thërriste për paqe globale, Bashkimit sovjetik i siguroi një akomodim solid nëpër vende të ndryshme të botës, por fillimisht në Lindje të Mesme.
Gjithsesi, Kriza e Kanalit të Suezit thelloi tejmase armiqësinë arabo-izraelite. Pas Luftës së vitit 1948 që erdhi si rezultat i krijimit të shtetit të Izraelit, sulmi i Izraelit në bashkëpunim me Francën dhe Britaninë në rajonin e Kanalit të Suezit ishte lufta e dytë e madhe arabo-izraelite.
Kur u hap për herë të parë Kanali i Suezit, dhe çfarë ishte kontributi i shqiptarëve në këtë punë madhështore?
Ideja e lidhjes së Mesdheut me Detin e Kuq, e nga andej edhe me Oqeanin Indian daton nga koha e faraonëve. Ramsesi i II-të është faraoni i parë në kohën e të cilit hapet Kanali i Suezit. Megjithëqë rezulton me sukses, pas një kohe kanali mbyllet për shkak të rërës së shkretëtirës të cilën e hidhnin erërat e forta mbi të. Kanali shumë shpejt doli nga përdorimi. Më vonë, romakët do të bëjnë përpjekje për ta riparuar, por asnjëherë nuk arritën ta bëjnë të përdorshëm si duhet.
Përgjatë kohës së Halifatit Islam, Omer Ibnul Hattabi jep rekomandimet e tij për themelimin e pesë qyteteve kryesore në botën islame, e në ndërkohë, urdhëron guvernatorin e Egjiptit, Amr bin Asin të hapë Kanalin e Suezit. Kjo është hera e parë që kanali funkcionalizohet si duhet . Për tri vite rresht u punua pandërper, kanali zgjerohet deri në 11 metra, u thellua 7 metra dhe vazhdoi të përdorej për 300 vite me radhe, deri në fund të shekullit X-të.
Në shekullin e 16-të, portugezët nisen drejt ujërave të Oqeanit Indian dhe marrin nën kontroll ‘Rrugën e Erëzave’. Përgjatë këtyre ekspeditave portugeze janë të njohura masakrat e tyre që i bënë popullatës së pafajshme muslimane përgjatë brigjeve të Afrikës Veriore. Këto ekspedita portugeze Perandoria Osmane i konsideroi kërcënim serioz ndaj tokave lindore të saj. Përballë këtij rreziku, Veziri i Madh Sokullu Mehmet Pasha dhe kapiteni Derya Kiliç Ali Pasha bënë përpjekje të hapnin serish këtë kanal që lidhte Mesdheun me Detin e Kuq. Megjithatë, mundi i tyre disa vjeçare dështoi për disa arsye.
Edhe Napoleon Bonaparta pas pushtimit të Egjiptit punoi në hapjen e Kanalit të Suezit. Megjithatë, inxhinieri francez Le Pere, i cili ishte ngarkuar me punët e kanalit, bëri një matje të gabuar duke thënë se Deti i Kuq ishte 10 metra më i lartë se Mesdheu. Për këtë arsye, Napoleoni hoqi dorë nga ideja e hapjes së kanalit.
E tani vjen radha e shqiptarëve. Mehmet Ali Pasha, një shqiptar nga Kavalla gjeneral në ushtrinë osmane, pushton Egjiptin dhe fillon ndryshimet radikale në Veri të Afrikës dhe në tokat e Shamit. Konsiderohet njëri prej njerëzve më të fuqishëm të asaj kohe, në fillim shumë i afërt dhe i dëgjueshëm i Sulltanit, e më vonë, ndër më të rrezikshmit për mbijetesën e Perandorisë Osmane. Është po ky shqiptar që jep rekomandimet për hapjen e Kanalit të Suezit. “Ëndërr e jetës sime është hapja e këtij kanali” kishte thënë disa herë Mehmet Ali Pashë Kavalla, ky strateg arbëror që thoshte se është shqiptar dhe si shqiptar dëshironte të vdiste. Në një rast, konsulli francez, Mourriez e kishte pyetur përse aq shpesh e përsëritë se je shqiptar. Ai i përgjigjet. “I tillë jam dhe gjuha ime është shqipja. A nuk më kini dëgjuar kur u flas njerëzve dhe rojeve të mia? Shqiptar jam, e shqiptar do të vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë”!
Edhe Fan Noli e përshkruan Mehmet Ali Pashë Kavallën me fjalët më admiruese: “Pashai shqiptar ishte vërtetë fetar, por jo fanatik. Ky fakt e bënte atë të hapur ndaj ideve perëndimore, sepse prej fanatizmit nuk vjen asgjë e mirë”.
Megjithatë, Muhamed Ali Pasha nuk arriti ta realizonte projektin që e kishte përgatitur më parë. Këtë do ta nisë trashëgimtari dhe i biri i tij Said Pasha (sund: 1854-1832). Said Pasha kishte kontraktuar një kompani franceze për menaxhimin e punimeve, ndërsa për punë krahu angazhon kryesisht vendasit egjiptianë. Punimet përfundojnë dhjetë vite më vonë. Ismail Pasha (sund: 1863-1879), djali i Said Pashës, nipi i Mehmet Ali Pashë Kavallës është ai i cili përfundon punimet në Kanalin e Suezit. Kanali lëshohet në përdorim në vitin 1869. Përgjatë këtyre dhjetë vjet punime të rënda, ku çdo gjë bëhej me punë krahu, aty derdhën djersën e tyre mbi 200.000 mijë punëtorë, nga të cilët, për shkak të kushteve tepër të rënda të punës, vdiqën mbi 120.000. Trembëdhjetë vjet vonë, në vitin 1882 anglezët pushtojnë Egjiptin dhe marrin kontrollin e Kanalit të Suezit. Perandoria Osmane, së cilës i takojnë merita të mëdha në hapjen e këtij kanali, bënë disa luftëra ta rikthejë pronësinë e tij. Megjithatë, deri në rënien e Perandorisë, të gjitha përpjekjet osmane dështuan.
Çka është dhe ku pozicionohet Kanali i Suezit?
Kanali i Suezit është kanal artificial detar me një gjatësi 193.3 kilometra ndërmjet Detit Mesdhe dhe Detit të Kuq. E ndanë kontinentin e Afrikës nga kontinenti i Azisë dhe për këtë arsye është lidhja më e afërt detare midis pjesës perëndimore dhe asaj lindore të Tokës.
Kanali i Suezit ka rëndësi të madhe strategjike. Është rruga më e rëndësishme e kalimit të mallrave nga e gjithë bota si dhe shërben për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Mesme. Lidhë Detin Mesdhe me Oqeanin Indian përmes Detit të Kuq, duke lejuar që të kryhet transporti detar nga Evropa në Azi dhe Afrikë, si dhe anasjelltas. Pozita strategjike dhe rëndësia e tij kaq e madhe për tregtinë ndërkombëtare, e bënë burim të pakontestueshëm të konfliktit midis fqinjëve të Egjiptit, e në anën tjetër, edhe të superfuqive që garonin për dominim përgjatë Luftës së Ftohtë.
Kanali i Suezit mban emrin e qytetit përreth të cilit kalon. Suezi është qytet-lima me një milion banorë. Siç cekëm më lartë, kryetari i atëhershëm i Egjiptit, Xhemal Abdul Naser e nacionalizon kanalin në vitin 1956 ku dhe bëhet shkak i luftës së dytë arabo-izraelite. Më saktë, Franca, Anglia dhe Izraeli kryejnë invazion ndaj Egjyptit në vitin 1956 ku qyteti i Suezit shkatërrohet dhe boshatiset tërësisht. Më pas OKB-ja do t’i jep kanalit dhe Rrafshnaltës së Sinait statuse neutrale. Pas luftës së tretë arabo-izraelite të vitit 1967, fillon ri-ndërtimi i qytetit të Suezit dhe kthimi i banorëve në te. Në vitin 1975 kanali rinovohet sërish dhe hapet për komunikacion po atë vit.
Një histori e shkurtër e Kanalit të Suezit dhe disa të dhëna interesante në lidhje me te
-Kanali i Suezit hapet në vitin 1869. Atëbotë ishte i gjatë 164 km me një thellësi 8 m. Madhësia maksimale e anijeve të lejuara të kalojnë përmes kanalit midis viteve 1869-1956 ishte 22 ft tërheqje dhe 5000 DWT peshë e ngarkuar.
-Kohë pas kohe deri në vitin 1956, kanali arrin gjatësinë 175 km, thellësinë 14 m, ndërsa gjerësia e tij bëhet 148 metra. Midis 1956 dhe 1962, madhësia e anijeve që lejoheshin të kalonin përmes kanalit u ndryshua në 35 ft tërheqje maksimale, dhe 30000 DWT peshë të ngarkuar.
Deri në vitin 1962, thellësia e kanalit u rrit në 15.5 m, ndërsa gjerësia nga 148, në 189 m. Midis 1962-1980, dimensionet e anijeve që lejoheshin të kalonin përmes kanalit u ndryshuan në një maksimum 38 ft draft dhe 60000 DWT të peshës së ngarkuar.
Në vitin 1980, gjatësia e kanalit ishte 189.80 km, thellësia 19.5 m, gjerësia në sipërfaqe 263 m. Në vitin 1994, thellësia e kanalit rritet në 20.5 m, ndërsa gjerësia e tij prej 11 m në 170/200 m. Midis viteve 1980-1994, madhësia e anijes së lejuar për të kaluar nëpër kanal u ndryshua në një maksimum prej 53 ft tërheqje dhe pesha e ngarkuar 150000 DWT.
Deri në vitin 1996, thellësia e kanalit u rrit në 21 m. Midis viteve 1996-2001, dimensionet e anijes që lejoheshin të kalonin përmes kanalit u ndryshuan në një maksimum prej 58 ft drafti, dhe një peshë të ngarkuar prej 185000 DWT.
Deri në vitin 2001, gjatësia e kanalit ishte 191.80 km, thellësia 22.5 m, gjerësia në sipërfaqe 303 m, dhe gjerësia në 11 m thellësi ishte 195/215 metra. Midis 2001-2010, madhësia e anijes së lejuar për të kaluar nëpër kanal u ndryshua në një maksimum prej 62 ft tërheqje dhe një peshë të ngarkuar prej 210000 DWT.
Që nga viti 2010, gjatësia e kanalit arrin në 193.3 km, thellësia në 24 m, gjerësia në sipërfaqe 313 m, dhe gjerësia në thellësinë 11 m, 205/225 m. Prej vitit 2010, madhësia e anijes së lejuar të kalojë përmes kanalit është ndryshuar në një maksimum prej 66 ft të tërheqjes dhe një peshë të ngarkuar prej 240000 DWT.
Në vitin 2015, Egjipti hapi kanalin e dytë, i cili u ndërtua paralelisht me një pjesë të kanalit më 6 gusht 2015.
Kostelacionet gjeostrategjike rreth Kanalit të Suezit
Britanikët, francezët dhe izraelitët kishin vendosur ta luftonin Naserin në Egjipt. Në bazë të marrëveshjes, këto tri vende do ta sulmojnë Egjiptin fillimisht në Sina dhe Suez, e pastaj nga të gjitha anët. Megjithëqë presidenti amerikan Eisenhower merr vesh për këtë marrëveshje të rrezikshme tri-palëshe, atij i ishte thënë mashtrueshëm se fjala është për një sulm të mundshëm ndaj Sirisë. Jo ndaj Egjiptit. Edhe pse presidenti amerikan në fakt e dinte të vërtetën, ai detyrohet të heshtë për shkak se nuk dëshironte t’i humbte votat e hebrenjve në zgjedhjet që ishin afër. Sidoqoftë, Moshe Dajan tinëz mobilizoi brigada të tëra dhe në natën e 29 tetorit e sulmon Egjiptin duke i bënë në befasi edhe egjiptianët dhe amerikanët. Izraeli synonte shkatërrimin e ushtrisë egjiptiane të cilën e shihte si kërcënim serioz, dhe, natyrisht deshironte neutralizimin e bazave palestineze në Gaza. Nga ana e tyre, synimet angleze dhe france ishin të shtinin në dorë Kanalin e Suezit, ta rrëzonin Naserin dhe në fund t’i jepnin goditjen përfundimtare nacionalizmit arab që kishte marrë dhenë.
Kështum sulmi ajror izraelit filloi mbi bazat egjiptiane në Sinai, ndërsa kolonat e blinduara depërtonin thellë në Gadishull. Anglezët dhe francezët i dhanë ultimatum Kajros për tu tërhequr, por në anën tjetër vazhdonin bombardimet e bazave egjiptiane në thellësi të Egjiptit. Egjipti kërcënohet haptazi edhe me bombë atomike sikur në Hiroshima dhe Nagasaki. Si rezultat, ushtria egjiptiane detyrohet të tërhiqet nga Sinai. Eisenhower i cili në këtë kohë ishte i preokupuar me ngjarjet në Hungari dhe me zgjedhjet në SHBA, shprehi zemërimin e tij të madh ndaj mosdëgjimit të aleatëve dhe punës së tyre që bënë pas shpindes së tij. Fill pas kësaj, me 1 nëntor sponsorizoi një rezolutë të KB për një armëpushim të detyrueshëm.
Shikuar nga lartë, në këtë luftë të madhe i vetmi fitues real në rrëmujën e Suezit doli të jetë Bashkimi Sovjetik. Përtej afirmimit që po e fitonte ditë e më shumë në Lindje të Mesme, nga ana tjetër, tanket sovjetike hyjnë në Budapest, shtypin tmerrësisht popullatën e atjeshme dhe vrasin thuajse të gjithë udhëheqësit e vendit. Sovjetikët, që në fakt po shfrytëzonin nacionalizmin arab dhe për të fituar terren në Lindjen e Mesme, furnizuan me armë nga Çekosllovakia qeverisë Egjiptiane dhe e ndihmuan Egjiptin të ndërtonte digën në Asuan. Ata shfrytëzuan refuzimin amerikan të mbështesin projektin. Në ndërkohë, Bashkimi Sovjetik bëri edhe një hapë më tutje. Nikita Hrushov doli me një qëndrimin të ashpër si asnjëherë më parë. Ai kërcënoi seriozisht SHBA-në dhe Evropën se do t’i binte raketat bërthamore në Evropën Perëndimore, nëse forcat izraelite-franceze-britanike nuk tërhiqen.
Goditja izraelite e 29 tetorit të vitit 1956 ishte fatale për Egjiptin. Trupat britanike dhe franceze zbarkojnë në Port Said dhe Port Fuad dhe marrin kontrollin e zonës përreth Kanalit të Suezit.
Ngjarjet e tetorit 1956 rreth Kanalit të Suezit qitën në pah disa momente të rëndësishme në arenën ndërkombëtare: Përshpejtuan nevojën e një bashkimi të mundshëm evropian, rasti i Hungarisë ua qartësoi evropianëve perëndimorë edhe më shumë natyrën e regjimit sovjetik, Kanali i Suezit ngjalli zemërimin amerikan karshi evropianëve, dhe si përfundim, SHBA-të tanimë më duke ekspozuar fuqinë e tyre të vërtetë, filluan akomodimin gjithandej ku më parë qëndruan për dekada anglezët dhe francezët.
Pra, katalizatori kryesor për sulmin e përbashkët Izrael-Britani-Francë ndaj Egjiptit, ishte nacionalizimi i Kanalit të Suezit që e bënë Naseri në korrik 1956. Në fakt, tendosja e rajonit filluar edhe më parë. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, ushtria egjiptiane bënte presion mbi ushtrinë britanike e vendosur atje në bazë të një Traktati Anglo-Egjiptian të vitit 1936. Egjiptianët synonin largimin e anglezëve dhe kolonizatorëve tjerë nga vendet arabe. Forcat e armatosura të Naserit u përfshinë në beteja sporadike me ushtarët izraelitë edhe përgjatë kufirit midis dy vendeve. Dihet mirëfilli, udhëheqësit egjiptian asnjëherë nuk e fshehën antipatinë egjiptiane ndaj shtetit të Izraelit.
Pse ndërhyri SHBA-ja në Krizën e Kanalit të Suezit?
Administrata e Presidentit Eisenhower ishte e shqetësuar tejmase nga kërcënimi bërthamor i Bashkimit Sovjetik. Ai paralajmëroi Moskën se deklaratat e pakujdesshme rreth armëve bërthamore vetëm do t’i përkeqësonin gjërat. Në ndër kohë i shkroi Hrushovit duke i thënë të përmbahej nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në konfliktin e Suezit. Eisenhower gjithashtu lëshoi paralajmërime të rrepta për francezët, britanikët dhe izraelitët që të hiqnin dorë nga fushata e tyre dhe të tërhiqeshin nga toka egjiptiane. Eisenhower ishte i mërzitur në veçanti me britanikët, për shkak se mos informimit të drejtë ndaj SHBA-ve. Amerika i kërcënoi të tri kombet me sanksione të rënda ekonomike nëse vazhdojnë sulmet mbi Egjiptin. Kërcënimet e Eisenhower dhanë rezultate. Forcat britanike dhe franceze u tërhoqën deri në dhjetor; Izraeli iu nënshtrua presionit amerikan në mars të vitit 1957, dhe kështu u detyrua të heq dorë nga kontrolli mbi Kanalin e Suezit.
Përfundim
Kriza e Suezit shënoi përdorimin e parë të një force paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. Forca e Emergjencës e Kombeve të Bashkuara (UNEF) ishte një grup i armatosur i dërguar në zonë për të mbikëqyrur përfundimin e luftimeve dhe tërheqjen e tre forcave okupuese.
Pas krizës së Suezit, Britania dhe Franca, dikur perandori që po sundonin botën, detyrohen të tërhiqen dhe t’i lëshojnë rrugë SHBA-ve. Si rezultat i kësaj humbje në terren dhe në imazh, dy muaj më pas, kryeministri britanik Anthony Eden, jep dorëheqje.
Pas luftës së tretë Arabo-izraelite (qershor 1967), Egjipti mbylli Kanalin e Suezit. Për gati një dekadë, Kanali i Suezit u bë një prej problemeve më serioze të botës së atëhershme. Në vitin 1975, si një gjest qëllim mirë për paqe në rajon, presidenti egjiptian Anvar el-Sadat rihapi kanalin e Suezit. Nga ajo kohë e deri më sot, Kanali Suezit ka vazhduar të funkcionuari si një prej kanaleve detare më të rëndësishme në botë.
Kanali i Suezit i sjell të hyra Egjiptit deri në 13.5 miliard dollarë në vit. Në kohën e pandemisë, të hyrat egjiptiane nga ky kanal kanë pësuar rënie 5 miliard dollarë. Ndërsa humbjet që u shkaktuan nga rrëmuja e këtyre ditëve, Egjiptit dhe botës i kanë sjellë telashe të pariparueshme.
Sot e kësaj dite, Kanali i Suezit është nën menaxhimin e Egjiptit. Pas turizmit, Kanali i Suezit është burimi i dytë më i rëndësishëm për ekonominë egjiptiane.