
Në këtë internet kafehanen tonë moderne, tema e diskursit të mllefosur përcaktohet nga krerët politikë – një postim për rivalin “frikacak e djallëzor” që do të përballet me reagimin për “tradhtarin teveqel” mjafton – dhe aktivistët e militantët virtualë do të hidhen në betejë, njëjtë si ata të dehurit e kafehanes së dikurshme.
Shkruan: Agron Bajrami
Njeriu ulet. Shikon përreth. Merr një pije. Dy. Tri. Dëgjon bisedat me vëmendje. Mendon në vete. Pajtohet me ato që thuhen. Politika nuk është për gjithkënd. Merr edhe një pije. Dëgjon më shumë. Kundërshton diçka në vete. Merr edhe një pije. I bashkohet bisedës.
– Politika është biznes. Politika nuk është sport. Politika nuk është inat.
Nuk pajtohet. Kundërshton hapur. Merr edhe një pije. Kërkon llogari. Jo prej kamerierit, por prej bashkëbiseduesit.
– Politika është biznes. Politika është sport. Politika është inat.
Merr edhe një pije. Dehja ngre tensionin. Biseda shndërrohet në monolog. Zëri ngrihet, shteret. Grushti godet tavolinën. Gotat thyhen. Mangët tërhiqen. Përvilen. Shqyhen. Bashkëbiseduesi shtrëngohet. Rrëmuja krijohet. Më shumë gota thyhen. Të gjithë në këmbë ngrihen. Muzika ndërpritet. Britmat shtohen. Dëgjohet dhe një flakaresh. Dy-tri sharje. Kamerieri kërkon pronarin. Pronari ngre zërin. I jep fund telashit: Nuk ka politikë në kafehane!
Mbrëmja mbaron. Dyert hapen. Gjithë jashtë. Biseda qetësohet në rrugë. Mospajtimi kthehet në pajtim.
– Biznesi është politikë. Sporti është politikë. Inati është politikë. Shihemi nesër…
* * *
Dikur debatet e nxehta për politikën bëheshin në kontekstin e tymit të cigares, alkoolit të tepruar dhe gjakrave që nxeheshin deri tek dera e daljes nga kafeneja. Kryesisht. Dhe bëheshin jo nga njerëz që marrin vendime politike, por prej atyre jeta e të cilëve prekej nga vendimet e marra. Kryesisht.
E vendimet, rëndom, merreshin ditën. Në zyre të shtetit. Në mbledhje formale. Dhe bëheshin publike në rrugë zyrtare, me njoftim institucional. Në orar të punës. Ashtu që njerëzit të mos krijonin përshtypjen se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme, që rrjedhimisht do të kuptohej edhe si e rrezikshme apo së paku problematike.
Sot jo. Njerëzit që dikur fjaloseshin për politikë në skutat e kafeneve, pas gotave të mjaftueshme të rakisë që garantojnë edhe shfajësimin, edhe harresën, sot nuk janë të vetmit që marrin pjesë në grindje kafehanesh për politikë. Sot, grindavecët kryesorë janë sekretarë partiakë, deputetë, ministra, kryetarë partish, kryeministra e presidentë. Grindjet, tani, nuk bëhen nëpër kafehane rustike, por në debate televizive, ndërsa tani, në kohë pandemie, edhe më shumë janë bartur nëpër rrjete sociale. Sot edhe vendimet e rëndësishme kumtohen në Facebook. Në gjysmë të natës. Servohen si befasi e pakëndshme për audiencë virtuale, jeta e së cilës ndikohet prej postimit të shefit politik. Popull virtual.
Në këtë internet kafehanen moderne, tema e diskursit të mllefosur përcaktohet nga krerët politikë – një postim për rivalin “frikacak e djallëzor” që do të përballet me reagimin për “tradhtarin teveqel” mjafton dhe aktivistët e militantët virtualë do të hidhen në betejë, njëjtë si ata të dehurit e kafehanes së dikurshme. Do të pasojnë përplasje. Sharje. Fyerje. Shpifje. Kërcënime. Hetime, gjobitje e dënime. Por, kësaj radhe, nuk ka pronar që e ndal muzikën, as që e mbyll lokalin. Nuk ka ajër të freskët që e zbut dehjen. Nuk ka pajtim pas mospajtimit.
Shumica dërrmuese, ky popull virtual, nuk marrin pjesë në këto sherre politike, por megjithatë janë aty, shikues të heshtur, dëshmitarë të poshtërimit të ndërsjellë, kolektiv, që krerët politikë ia vendosin vendit si një kurth të fshehtë, në të cilin biem të gjithë ne.
Një fjalë e liderit shpirtlig, një thirrje online, dhe ushtria e dehur politike është e gatshme. Jeta është politikë. Politika është jetë. Lideri është Zot. Kundërshtarët e Zotit janë ushtri e Djallit. Lufta kurrë nuk përfundon.
* * *
Me vite politika ka ngritur zërin kundër medias, ka kërkuar përgjegjësi, kanë hartuar legjislacion për të kufizuar mundësinë e raportimit nga mediat, nën pretekstin se shpifin, dezinformojnë, nxisin urrejtje, ushqejnë konfliktin. Mirë, në raste edhe mund të kenë pasur të drejtë – ka pasur dhe ka tepër shumë media e gazetarë që nuk i respektojnë standardet profesionale, dhe që punojnë për llogari të një interesit të veçantë politik e grupor, duke shtrembëruar të vërtetën, duke raportuar të pavërtetat, duke sajuar lajme. Por, shumica dërrmuese e tyre, mbase të gjithë, janë media e gazetarë të blerë nga politika.
Dhe, në anën tjetër – çka të themi për vetë politikanët? Këta që nëpër Facebook, Twitter, Youtube e kudo që munden lansojnë shpifje për njëri-tjetrin dhe këdo që i kundërshton apo kritikon? Çka të themi për gjithë ato akuza për krime, tradhti, vrasje, hajni, manipulime, korrupsion – që ia bënë politikanët njëri-tjetrit, e që kurrë nuk morën përgjigje gjyqësore? Kush jep përgjegjësi për fjalën e thënë prej tyre? Kush jep përgjegjësi për nxitjen e urrejtjes mes njerëzve të vendit? Për ushqimin e diskursit të kafehanes plot tym e raki, rrahjes së gjokseve e gotave të thyera, e sulmeve fizike? Kush prej politikanëve gjykohet për gënjeshtrat e qëllimshme që i bëjnë? Kush prej tyre humb pozitën, privilegjet, statusin partiak e politik, kur kapet në gënjeshtër?
Përgjigjja është e thjeshtë: Asnjë. Sa më shumë që gënjejnë për “kauzën” e partisë e grupit të interesit, aq më shumë promovohen dhe përparojnë në shkallën e pushtetit.
Kjo është e vërteta e kafehanes politike të Kosovës, ku dehja nuk vjen nga rakia, por nga uria për pushtet. Me çdo kusht, pa asnjë skrupull dhe me çdo çmim.
Sepse për këta: Politika është pushtet. Pushteti është politikë.