Futbollistët e Juventusit kanë shënuar fitore të vlefshme në udhëtim kundër Romës së papërshtatshme në “Olimpico”, duke u rikthyer kështu në krye të tabelës në Serie A, pasi që Inter dështoi të mposhtë Atalantën.
Të përzgjedhurit e Sarri erdhën shumë shpejt deri te goli i epërsinë, ku vetëm pas tre minutash lojë Merih Demirel tundi portën kundërshtare për 1:0.
Ndërsa Cristiano Ronaldo ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë në minutën e dhjetë, duke dyfishuar shifrat prej 2:0 në favor të Juventusit, pasi më herët Dybala u ndal në mënyrë të palejuar brenda zonës së rreptësisë.
Skuadra e Romës në pjesën e dytë kishte më tepër raste shënimi, por pa mundur t’i konkretizojnë ato.
E gjithë kjo deri në minutën 68 kur Diego Perotti shënoi gol nga penalltia, pas shikimit të VAR-it se Alex Sandro kishte luajtur me dorë, transmeton KosovaPress.
Juventus arriti të shënojë golin e tretë përmes Higuain, por që u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Kollarov i Romës në minutën 81 pati rast të shënojë nga afërsia, por portieri Szczesny nuk lejoi të befasohej.
Fat të madh skuadra e Juventusit pati edhe në minutën e dytë të kohës shtesë kur nga afërsia Dzeko nuk arriti të shënojë gol, duke dërguar topin lart mbi portë.
Pas kësaj fitoreje, Juventus merr kreun e tabelës me 48 pikë nga 19 ndeshje, dy më shumë se Inter në pozitën e dytë. Roma mbetet në pozitën e pestë me 35 pikë, po aq sa ka edhe Atalanta një vend më lart dhe e cila dje nxori një barazim si mysafir me skuadrën ‘nero-azure’./Gazeta Mejdani/