Pas përhapjes së lajmit se ‘Joga’ është futur si lëndë mësimore në dy shkolla të Prishtinës, ka reaguar menjëherë “Demokracia Konservatore” dhe e ka quajtur veprim të pamatur, shkruan Gazeta Mejdani.
Abdullah Klinaku, udhëheqës i Lëvizjes “Demokracia Konservatore” që është themeluar kohëve të fundit, ka shkruar se “Joga” është akt adhurimi i feve hinduiste dhe budiste. Sipas tij, këto forma adhurimi nuk përkojnë me traditën tonë fetare tradicionale.
I shquar si një intelektual dhe njohës i mirë i rrethanave politike dhe shoqërore ndër shqiptarët, Z. Klinaku ka nënvizuar se ky akt shpërfaqë hipokrizinë e institucioneve tona të cilat thirren në laicizëm, a në anën tjetër fusin lëndë mësimore fetare që nuk kanë të bëjnë me besimet tradicionale të qytetarëve të Kosovës.
Të ju rikujtojmë se “Demokracia Konservatore” ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e traditës sonë shekullore si dhe luftimin e çdo anomalie apo tendence që prishë kohezionin shoqëror të qytetarëve të Kosovës.
Më poshtë gjene të plotë reagimin e Abdullah Klinakut, udhëheqës i “Demokracia Konservatore”:
Të hapet dialogu për mësimin fetar në shkolla, “Joga” është mësim teologjik hinduist dhe budist
Klubi “Demokracia Konservatore” me shqetësim e ka përcjellur lajmin e dhënë në medie ku mësohet se dy shkolla të Prishtinës e kanë vendosur si lëndë zgjedhore për klasat e tyre lëndën e “Jogas”.
“Demokracia Konservatore” duke ju referuar doktrinës teologjike hinduse e budiste, konsideron se “Joga” është akt adhurimi sipas besimeve të sipër përmendura dhe si e tillë është jashtë korpusit të vlerave që kultivojnë fetë tradicionale te shqiptarët. Por në të njëjtën kohë shpërfaq hipokrizinë e institucioneve tona të cilat thirren gjatë gjithë kohës në laicizmin e shkollave dhe institucioneve arsimore.
“Demokracia Konservatore” i bënë thirrje Këshillit të Prindërve, institucioneve arsimore komunale dhe Ministrisë së Arsimit që të mbikëqyrin rastet e tilla duke parandaluar çdo formë të abuzimit të fëmijëve me tradita që janë jashtë korpusit të vlerave tona tradicionale.
Si dhe në të njëjtën kohë i bënë thirrje institucioneve vendore që të jenë të hapura për dialogun profesional e përmbajtësor sa i përket kërkesës së kahmotshme te bashkësive tradicionale fetare te shqiptarët për mësimin fetar në sistemin publik arsimor në Kosovë.