
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.A. për shkak të veprës penale shtytje në vrasje.
Gjykata ka marrë aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit kundër A.A. dhe të njëjtit i ka caktuar masën ndalim prej një muaji që të mos i afrohet të dëmtuarës në këtë rast, prokurores së PSRK-së Drita Hajdari në distancën prej së paku 100 metra.
Po ashtu, gjykata ka konstatuar se masa ndalim për t’iu afruar personit të caktuar kundër të pandehurit A.A. është masë e mjaftueshme dhe adekuate për zhvillimin e pa penguar të rrjedhës së procedurës penale në këtë fazë të procedurës penale.
Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.