Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Kurti nga Prizreni është shprehur se me 14 shkurt Vetëvendosja do të jetë shumicë parlamentare, ashtu siç e ka shumicën qytetare.
“Me 14 shkurt do ta bëjmë LVV-në me shumicë parlamentare, ashtu siç e ka shumicën qytetare. Ne dëshirojmë që t’i ndihmojmë qytetarët që e kanë gjendjen më të vështirë, që janë të papunë, që kanë pagë të ulëta, që s’kanë banim të rregulluar, që s’kanë mundësi për arsim, që kanë probleme shëndetësore. Shteti dëshmohet aty ku nevoja janë më të mëdha, ata që janë multimilionera gjithmonë ia kanë bërë qarën vetit. Kemi nevojë për një qeveri të ri që e shtrinë dorën e ndihmës dhe i shikon ata që s’kanë. Drejtësi dhe punësim është parulla jonë. Me 6 tetor kishte dilema se a ta votojmë LVV-në apo LDK-në, tash s’ka dilema, unë dhe Vjosa jemi në një listë. Ne na duhen 61 deputet e sipër. Të votojmë masivisht, sikurse diaspora e dashur. Të dielën e 14 shkurtit le ta bëjmë festë të fitores së LVV-së. Unë nuk e kam parë atë vendim, kur të vjen në zyrën e LVV-së, e trajtojmë dhe e analizojmë se çfarë hapa do të ndërmarrim më tutje, që të ankohemi nëse është kështu“, tha Kurti.
Gjykata Supreme të premten ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje rreth moscertifikimit të liderit të saj Albin Kurtit, teksa ka urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që në listë t’i përfshijë Liburn Aliun dhe Labinotë Demin-Murtezin nga ky subjekt.
E nga subjekti që drejtohet nga Kurti, kanë thënë varësisht përmbajtjes së tërë versionit zyrtar, do të vendosin se a do t’i drejtohen apo jo Gjykatës Kushtetuese.
“Ende se kemi pranuar asnjë version zyrtar. Pa e lexu përmbajtjen, nuk mund të themi asgjë. Mbi bazën e asaj do t’i drejtohemi Kushtetueses”, ka thënë për Gazetën Sinjali Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i VV-së.
Ndryshe Kushtetuesja sot certifikoi edhe Shemsedin Dreshajn e AAK-së kurse e vlerësoi si të pabazuar ankesën e Nismës për moscertifikimin e kandidatëve të saj.