Socialdemokratët u ndanë. Çfarë do të thotë kjo për “koalicionin anti-Salvini” në Romë? Pas katër javësh ai duhet të paraqesë një buxhet të pranueshëm nga BE për Italinë.
Qeveria e re italiane ka vetëm një javë që ka filluar nga puna, kur njëra nga tre partitë e koalicionit u përça. Senatori socialdemokrat Matteo Renzi njoftoi në intervista në gazeta se do të braktisë “Partinë Demokratike (PD)” të tij dhe do të themelojë një lëvizje të re. Rreth 20 deputetë nga Dhoma e parë e parlamentit dhe rreth 10 senatorë nga Dhoma e dytë do ta ndjekin pas.
A e kërcënon tani Italinë një krizë e re qeveritare? Vetë Matteo Renzi thotë jo. Ai i pati telefonuar kryeministrit Giuseppe Conte të hënën dhe e pati siguruar se deputetët renegatë në koalicionin e brishtë të përbërë prej populistëve (5 yje), Socialdemokratëve dhe partisë së vogël Majtiste (Leu) do ta mbështesë edhe më tej qeverinë.
Së bashku ata patën parandaluar që të ketë zgjedhje të reja dhe që kreu radikal i djathtë i partisë Lega dhe ish-ministri i Brendshëm Matteo Salvini të marrë drejtimin e qeverisë, shkroi Matteo Renzi në faqen e tij në “Facebook”. “Ne kemi arritur një fitore në Parlament dhe kundër Salvinit për të shpëtuar Italinë, por kjo nuk është e mjaftueshme.” Renzi njoftoi se ai dëshironte të ndërtonte një “shtëpi të re me të tjerët për të bërë një politikë ndryshe”.
Renzi dëshiron ta provojë përsëri
Matteo Renzi ka të ngjarë që nuk e ka gëlltitur rrethanën që ju desh të japë dorëheqjen në dhjetor 2016 pas një referendumi të humbur si kryeministër dhe më vonë gjithashtu iu desh të hiqte dorë nga kryesimi i Partisë Socialdemokrate.
Politikani 44-vjeçar i përkiste krahut më të djathtë të Socialdemokratëve dhe është konfrontuar vazhdimisht me liderin aktual të partisë, Nicola Zingaretti, i cili përfaqëson krahun e majtë. Shumë analistë italianë thonë se Renzi dëshiron të jetë përsëri me çdo kusht kryeministër, në mënyrë që të vazhdojë reformat e nisura prej tij në vitin 2014.
Populistët e Lëvizjes 5 yje nën udhëheqjen e Ministrit të Jashtëm Luigi Di Maio, Renzit nuk i hyjnë shumë në punë. Megjithatë, ai dëshiron të vazhdojë të votojë me koalicionin në parlament. “Di Maio nuk më bind”, i tha Renzi gazetës “La Repubblica”. “Nuk mund ta mbarosh të gjithë punën politike përmes votimit në internet, për mua politika është diçka e ndryshme nga një algoritëm që duhet ndjekur.” Renzi e ka fjalën këtu me sa duket për kërkesën që anëtarët e Lëvizjes Pesë Yje të votonin në një platformë private në internet të quajtur “Rosseau” në lidhje me koalicionin dhe shumë ligje të tjera.
Renzi njoftoi se tani dëshiron të zhvillojë me ndjekësit e tij në parlament një vizion për të ardhmen dhe më pas të themelojë një parti të re. Se si do të quhet ajo, këtë kryengritësi socialdemokrat nuk e zbuloi. Ai përfytyron me sa duket diçka si lëvizja “En marche” e Presidentit Francez Emmanuel Macron, shkruajnë gazetat italiane.
Shumica në Senat po lëkundet
Se sa shpejt do të pasqyrohet ndarja e socialdemokratëve në punën konkrete të qeverisë, është e paqartë. Në dhomën e parë, Dhoma e Deputetëve, koalicioni qeverisës e ruan shumicën e tij edhe pa trupën e Renzit. Në Senat, në dhomën e dytë dhe po aq të rëndësishme, megjithatë, puna është më e vështirë. Atje, koalicioni, i cili përfshin edhe partinë e vogël të krahut të majtë “Liberi e Uguali”, ka të ngjarë të ketë vetëm një shumicë të vogël mandatesh.
Detyra më e rëndësishme, sipas kryeministrit Conte, i cili nuk i përket ndonjë partie, është miratimi i një buxheti për vitin 2020, i cili të mund të miratohet nga Komisioni Evropian. Italia ka shumë borxhe dhe ka nevojë urgjente për të nxitur ekonominë e saj dhe për të ulur shpenzimet e qeverisë.
Vetëm disa ditë më parë, Ministri i ri Italian i Financave, Roberto Gualtieri (PD) u premtoi homologëve të tij në BE në një takim joformal në Helsinki një “qeveri të qëndrueshme” që dëshiron të imponojë një buxhet në përputhje me kërkesat e BE-në, po të kishte pak më shumë kohë për ta bërë këtë.
Salvini është i lumtur
Drejtuesi radikal i djathtë i partisë “Lega”, ish-ministri i brendshëm, Matteo Salvini ndërkohë triumfon në “Twitter”: “Së pari, ai (Renzi) mbledh postet, pastaj ai gjen një parti të re. E trishtueshme, çfarë po bën ai për të shpëtuar karrigen e tij. Koha ka mëshirë. Italianët do t’i ndëshkojnë këta shitës. ” Salvini këmbëngul që pas një krize të mundshme të qeverisë, së shpejti do të mbahen zgjedhje të reja. Sipas sondazheve, të cilave nuk mund t’u besosh shumë në Itali, në këtë moment ai do t’i fitonte ato./DW
Discussion about this post