Në pjesën e parë të këtij shkrimi thamë se zbehja e interesimit amerikan për rajonin, mund të konsiderohet njëra prej arsyeve kryesore e tendosjes së situatës. Gjithashtu, dalja në skenë e forcave të reja pretenduese për rajonin, ka çorientuar baraspeshën e deriatëhershme edhe ashtu jo shumë e qëndrueshme. E prishja e kësaj barazpeshe ka shkaktuar edhe tendosjet e tanishme.
Shkruan: Mustafa Bajrami
Por, ku është gjeneza e problemit dhe si do të përfundojë ky konflikt kaq i rrezikshëm? Apo, sa ndikoi tërheqja së paku e pjesshme e SHBA-ve nga Lindja e Mesme në krijimin e kësaj rrëmuje? Sa do të ndikohet bota përreth Mediteranit në rast të ndonjë konflikti ushtarak midis Greqisë dhe aleteve të saj, dhe Turqisë me Pakistanin që ky i fundit është besatuar se “do t’i ndihmojmë vëllezërit turq deri në frymën e fundit”? Për më tepër, sa do të preken vendet që kanë interaktivitet me shtetet brigjet e të cilave puqen me ujërat e Mesdheut, dhe, më afër, çka do të ndodhë me Shqipërinë e cila është mjaftë e paqartë sa i përket pretendimeve greke për zgjerim kah ujërat shqiptare?
Që në fillim dua t’i hedh pakëz dritë një çështjeje e cila do ta bënë më të kuptueshme analizën që e keni përpara.
Përgjatë historisë, kur është fjala për interesa vitale, dmth, kur duhej të vendosej se cila palë të merr primatin në rajonin për të cilin e kemi fjalën, Perëndimi jo rrallë e ka përshkruar dhe e ka pa Islamin si kërcënim nga i cili duhet mbrojtur. Nëpër studime të shumta perëndimore, Pejgamberi i Islamit pasqyrohet si njeri i shpatës, jo i paqes. Përdorimi i termeve denigruese për Islamin, si radikalizëm, terrorizëm, islami politik, islamizëm e të ngjashme, në fakt janë terme përçmuese nëpërmes të cilave Islami pasqyrohet si vrazhdësi që duhet luftuar. Këtë sekuencë, Turqia e ka ditur edhe më parë, e di edhe tani. Mbase, hiç më larg se në vitin 1989, Margaret Thatcher, e njohur si zonja e hekurt, decidivisht pati deklaruar: Bashkimi Sovjetik po bie. Pas tij, për Perëndimin rreziku më i madh është Islami. Kthyer pas, rrëshqitja e Turqisë kah Perëndimi nuk ishte diçka të cilën atëbotë turqit e kishin dëshiruar. Ajo ishte më shumë një imponim kohe pas rënies së Perandorisë Osmane. Aq më tepër, Turqia e asaj kohe e ndjente thellë rrezikun nga Rusia leniniste komuniste, andaj u detyrua t’i afrohej edhe më shumë Perëndimit. Perëndimi e ka “shfrytëzuar” Turqinë si pararojë kundër rrëshqitjes së komunizmit drejtë jugut kah ujërat e nxehtë, ndërsa Turqia në Perëndimin gjeti mbështetje në shumë rrafshe të saj. Pas luftës së Dytë Botërore, Turqia u pranua në NATO, e NATO siguroi një krah të fuqishëm edhe në Lindje. Sidomos Turqia ishte siguruar edhe më shumë nga Rusia komuniste. Megjithatë, jo gjithmonë raportet Turqi-Perëndim ishin të mira. Me gjithë “bereqetet” që i vinin nga Perëndimi, populli turk ishte lodhur nga diktati i vendeve të fuqishme perëndimore. Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Perëndimit u lëkundën sidomos pasi Turqia invadoi Qipron në vitin 1974. SHBA-të i vendosën embargo Turqisë, e Turqia nguli këmbë të mos zmbrapsej. Marrëdhëniet mes dy poleve pësuan rënie të madhe. Bashkimi Sovjetik e shfrytëzoi tendosjen e raporteve turko-perëndimore dhe filloi t’i afrohet Turqisë edhe më shumë. Për pasojë, apo, si shfrytëzim rasti, 5 vite më vonë Bashkimi Sovjetik pushton Afganistanin. Tani më shtrirja e komunizmit kah ujërat e nxehtë u bë kërcënim serioz për Perëndimin. Më vonë, pushtimi i Afganistanit i kushtoi Perëndimit dhe vendeve muslimane me qindra miliarda dollarë dhe me miliona viktima. Për 12 vjet rresht u luftua për dëbimin e sovjetëve nga Afganistani. Së këndejmi, edhe nëse afërsia “e detyrueshme” mes Turqisë dhe Perëndimit nuk është ndonjë “udhëzim hyjnorë” para të cilit duhej përkulur, ajo ishte dhe vazhdon të jetë e rëndësishme për të dyja palët. Prandaj kemi thënë se prishja eventuale e sërishme e raporteve midis tyre, botës do t’i shkaktonte probleme serioze. Sidomos tani kur Rusia fuqishëm është kthyer në arenën ndërkombëtare, dhe Kina që ka lkundur barazpeshat ekonomike dhe strategjike të botës. Aq më shumë tani, kur këtyre interesave ideologjike, gjeopolitike e gjeostrategjike, i janë shtuar edhe interesat vitale ekonomike.
Turqia e viteve të fundit më nuk është e interesuar gjithaç të jetë pjesë e BE-së, ani pse ende e ka në agjendën e saj. Që nga koha e pas Luftës së Ftohtë, Turqia ka punuar shumë drejt pavarësimit ekonomik dhe diplomatik. Ajo tani preferon marrëdhënie ‘sy me sy’ me shtete të ndryshme. Në këtë drejtim ajo ka punuar shumë me Anglinë, Rusinë, Gjermaninë, Kinën, Venezuelën, Brazilin e me disa vende tjera.
T’i kthehem boshtit të temës. Edhe pse Turqia 62% të energjisë e siguron nga prodhimi vendor, gjë që ka lënë prapa Gjermaninë me vetëm 42% si dhe Britaninë me vetëm 33% të prodhimit vendosr të energjisë, ajo, si vend pretendues të jetë ndër dhjetë shtetet më të fuqishme të botës, kuptohet se ajo ka nevojë për më shumë burime energjetike. Përveç zbulimit të gazit natyrorë në Detin e Zi, sasitë e mëdha të naftës dhe gazit në Mesdhe, Turqisë do t’i siguronin potencial të madh për të realizuar aspiratat e saj. Turqia insiston të jetë faktor, fillimisht në rajonin që po vlon, pastaj në Lindje të Mesme e Afrikën Veriore, e pastaj dhe gjetiu në botën e re që po krijohet.
Megjithëqë deri më tani as Turqia e as Greqia nuk e kanë filluar luftën, Ankaraja zyrtare e di mirë rregullin e pashkruar në marrëdhëniet ndërkombëtare se ai që nuk është prezent diku, ose është humbës, ose nuk mund të vendos për asgjë. Sikur që e di se të jesh i fortë juridikisht, në arenën ndërkombëtare jo gjithmonë kjo fuqi është potencial i mjaftueshëm që të vendosë në favor tëndin në tavolinë të bisedimeve. Aq më tepër Turqia është e vetëdijshme se kur është fjala sidomos për Lindjen e Mesme, aty vetëm nëpërmes prezencës ushtarake mund të vendos për diçka, apo eventualisht të përfitojë ndonjë gjë të rëndësishme.
Turqi e cila viteve të fundit po e sfidon botën, që tani udhëhiqet nga një president të cilin qarqe perëndimore e cilësojnë si njeri që përdorë një gjuhë mjaftë kërcënuese, ajo haptas deklaron se nuk është më ajo e vjetra. Sikur disa vende të tjera, edhe Turqia parapëlqen një botë me shumë boshte. Një botë ku kombe të tëra do të ndjeheshin më të pavarur dhe me perspektiva më të mëdha për të ardhmen e tyre. Për shkak të pozitës së saj strategjike, Turqia këmbëngulë të jetë fuqi e rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Ajo është bërë fytyra dhe përmbajtja e një bote të re shumëpolare. Botë për të cilën Erdogan pati paralajmëruar nga foltorja e Kombeve të Bashkuara se bota nuk është vetëm pesë shtete, por është më e madhe se pesë shtete. Është Turqia që eksporton mbi 220 miliardë dollarë e importon vetëm 19 miliardë sosh. E cila para 18 viteve nuk kishte mundësinë të realizonte asnjë mega-projekt pa ndihmën e FMN-së, e sot është fuqia e 13-të ekonomike e botës. E cila thotë se është e treta në botë për nga fuqia blerëse, dhe ndër shtetet e pakta ku qytetari nuk paguan asgjë nga xhepi për shërim e barna. Që ka arritë të bëhet ndër 4 vendet më të fuqishme me aeroplanë pa pilot, ku 7 kompani të saj prodhuese në industrinë ushtarake janë në mesin e 100 kompanive më të fuqishme të botës. Kjo Turqi e cila haptas deklaron se është e dyta në botë në ndërtimtari, dhe e para në Evropë në prodhime bujqësore dhe në industrinë e ushqimit.
Andaj, bazuar në ligjin e eminacionit që thotë se gjërat fillojnë rrjedhin jashtë kur ato mbushen, si uji që fillon të derdhet nga gota kur ajo mbushet, edhe Turqia e cila në shumë segmente është vetëplotësuar, natyrshëm ndjenë nevojën e shtrirjes së ndikimit edhe jashtë kufijve të saj. Njëjtë kështu veprojnë edhe Brazili, Kina, Rusia, deri më tani SHBA-të e më parë edhe Holanda, Spanja, Franca dhe Anglia. Nisur nga kjo dhe marrë parasysh aspiratat turke, Turqia me insistim kërkon hise në ujërat e Mesdheut. Aq më shumë kur thotë se një pjesë e atyre ujërave i takojnë asaj, siç i takojnë edhe vendeve tjera që e rrethojnë Mediteranin.
Shtrohet pyetja: A thua Mesdheu do tu del boll shteteve që po luftojnë për pasuritë e fjetura nën ujërat e tij? Përgjigja ime është, jo. Sepse vetëm palët fituese në konflikt dalin të kënaqura. Humbësi gjithmonë e vajton rastin. E pra, sikur shtetet tjera që bëjnë përpjekje të dalin fituese, edhe Turqia i jep vetes të drejtën të jetë palë fituese e të mos vajtojë pastaj për rastin e humbur.
Turqia konsideron se i është bërë padrejtësi e madhe në ndarjen e ujërave të Mesdheut. Greqisë i është dhënë hapësirë detare deri 560 kilometra kah kufijtë detarë të Turqisë, ndërsa Turqisë i është lejuar të ketë dalje në det vetëm 6 kilometra në drejtim të ujërave greke. Në anën tjetër, Turqia është e nevrikosur nga prezenca dhe interesimi i madh i Francës për rajonin. Analistët turq shkruajnë se nëse Franca paskësh të drejtë të vijë në Mesdheun Lindorë dhe të përfitojë nga aty, si është e mundur të ndalohet Turqia kur ujërat e Mesdheut Lindorë puqen me brigjet e saj?
Në rregull, nëse Turqia sot po ballafaqohet drejtpërdrejt me Greqinë, sepse kanë mosmarrëveshje rreth ujërave dhe kufijve, pse atëherë vendet arabe si Emiratet, Arabia Saudite dhe Egjipti janë kyçur këtu dhe po i ndihmojnë Greqisë?
Këtu çështja ka të bëjë me gjeokulturën si problem evident për shekuj me radhë. Historikisht dihet se civilizimin islam e përbëjnë tri kultura kryesore; ajo perse, arabe dhe kultura turke-osmane. Këto tri kultura plotësojnë mozaikun e asaj që quhet gjeokulturë islame. Mes tyre gjithmonë ka pasur konflikte e disa herë edhe luftëra të përgjakshme. Arabët nuk pajtohet dot e as mund të pranojnë që persët apo turqit të udhëheqin më shoqëritë muslimane. Ballafaqimet ideologjike midis bartësve të këtyre tri kulturave, shumë herë ishin më të ashpra se ballafaqimet e tyre me jomuslimanët. Lënë mënjanë Iranin shiit, sot e për dekada me radhë shtrohet pyetja intriguese: Cili nga këto dy kombe, turqit apo arabët do ta udhëheqin me ummetin islam? Kush do t’u prijë muslimanëve? Prandaj, vetëdija arabe nacionaliste, shumë herë e ngjyer me ngjyrën islame, e përfaqësuar kësaj here nga Egjipti, Emiratet dhe Arabia Saudite, është aktive dhe dëshiron zmbrapsjen e Turqisë. Dëshiron përballje dhe hakmarrje ndaj ekspansionit turk gjithandej në botën arabe.
Së këndejmi, nuk është vështirë të kuptohet përse këto vende arabe u rreshtuan me Francën dhe i dolën në krah Greqisë. Franca ka gjetur një moment ideal për t’iu hakmarrë Turqisë e cila preku interesat franceze në Irak, në Siri, në Somali, në Sudan e së fundmi edhe në Libi. Franca hapats doli kundër prezencës ushtarake dhe ideologjike të Turqisë në Siri, dhe “luftoi” me mish e me shpirt kundër prezencës turke në Libi. Për më tepër, sa herë që Turqia bënë përpjekje për t’iu afruar Libanit, Algjerisë, Tunizisë, Marokut e Mauritanisë, Franca i joshë ato vende për ta refuzuar cilindo bashkëpunim që prodhon afërsi të ngjashme si midis Turqisë dhe Libisë. Vizitat kaq të shpeshta të Emanuel Macron që po i bënë javëve të fundit në Lindje të Mesme dhe vendet tjera arabe të Afrikës Veriore, duhet shikuar pikërisht nga kjo perspektivë. Marrë parasysh këtë ndjeshmëri gjeokulturore mes arabëve dhe Turqisë, vendet arabe më lehtë pranojnë të bashkëpunojnë me Francën apo cilin do shtet tjetër perëndimorë kundër Turqisë, se sa të pranojnë që turqit, aq më pak persët të jenë “liderë” apo pjesëmarrës aktiv në përcaktimin e së ardhmes së Lindjes së Mesme. Gjithsesi, Lindja e Mesme është e infektuar nga “sëmundje” të ndryshe gjeopolitike, gjeostrategjike dhe gjeokulturore. Do të marrë shumë kohë derisa të shërohet. Arabët më nuk është në lojë as edhe kur është fjala për vetë shtetet e tyre.
Bri gjithë kësaj, megjithëqë një numër jo i vogël i diplomatëve perëndimorë thonë se të bësh marrëveshje me regjimet arabe, është sikur të nënshkruash mbi rërë, Perëndimi është ai që regjimet arabe i ka sjellë ose me zarf, ose në mënyra të ndryshme u ka ndihmuar të marrin pushtetet në duart e tyre. Regjimet arabe janë të urryera tmerrësisht nga qytetarët e shteteve të tyre. Si të tilla që janëm, ato regjime ndjehen të rrezikuara nga brenda e nga jashtë. Nga brenda ballafaqohen me pakënaqësitë e masave, andaj çdo revoltë popullore e shtypin me gjak, e nga jashtë frikohen prej shteteve fqinje. Nën këto rrethana, shtetet arabe të krijuara ashtu që kurrë të mos ndjehen të qeta e as të sigurta, edhe sot e kësaj dite harxhojnë me qindra miliarda dollarë për armatim, veç për tu mbrojtur nga fqinjët e tyre. Nga kjo perspektivë, regjimet arabe e shikojnë Turqinë dhe Iranin si shtete me rrezikshmëri të lartë dhe permanente. Për tu kuptuar pra edhe më mirë gjendja e tanishme në rajon, situatën duhet shikuar edhe nga kjo perspektivë e dhimbshme.
Kur është fjala për raportet e ndjeshme mes Turqisë dhe Izraelit, përveç faktit se kemi të bëjmë me pikëpamje të ndryshme fetare, por edhe ideologjike në këto dy dekadave të fundit, sot në pyetje janë edhe interesat ekonomike. Kemi thënë më parë, pas zbehjes së prezencës amerikane në rajon. Franca, Turqia dhe Izraeli janë tri vendet kryesore që po “luftojnë” për supremaci sidomos ekonomike. Tek e fundit, edhe pse Turqia e kohës kur udhëhiqej nga CHP-ja e Ismet Inonusë është vendi i parë muslimanë që kishte njohur Izraelin, mes Turqisë dhe Izraelit kishte edhe ndjeshmëri të niveleve të ndryshme. Megjithatë, “allësh-verishi” mes dy vendeve sa shkonte e shtohej. Raporteve të tyre ekonomike nuk i pengoi as ngjarja e anijes Marmara. Sipas të dhënave që i përmend drejtori i Turksam, Prof. Dr. Sinan Ogan dikur deputet nga partia e CHP-së, një vjet pas ngjarjes së anijes Marmara, mes Turqisë dhe Izraelit kishte shkëmbime tregtare për 35% më shumë se vjet para asaj ngjarje. Prandaj, me gjithë faktin se Turqia e kohës së Erdoganit ka ftohur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, natyrisht për shkak të interesimit të Turqisë ndaj botës arabe, raportet ekonomike dhe tregtare turko-izraelite fare pak janë tendosur. E nëse tani i shohim të tendosura, janë pikërisht për shkak të tendosjes së interesaaave ekonomike.
Prezencën turke në Lindje së Mesme dhe në Afrikën Veriore duhet lexuar nëpërmes shifrave ekonomike dhe ushtarake para çdo mënyre tjetër. Edhe diplomacisë turke duhet lexuar nga këndvështrimi i shifrave ekonomike. Fuqia ushtarake e mbështetur nga fuqia ekonomike është ajo që përcakton fuqinë diplomatike të një shteti. Mund të ketë pas raste kur diplomacia e një vendi të jetë treguar efikase edhe pa ndihmën e fuqisë ushtarake, por, këto janë raste të izoluara. E kur është fjala sidomos për Lindjen e Mesme, vetëm shtetet e fuqishme që ushtarakisht janë prezente atje, mund të zhvillojnë diplomaci të fuqishme. Turqia si “trashëgimtare” e Perandorisë Osmane, është mase e vetëdijshme për këtë fakt, andaj ajo me insistim punon që ushtria e saj të jetë prezentë në atë rajon të botës. Nga këtu, presidenti i Turqisë nuk lëshon pe dhe insiston në shtimin e pranisë ushtarake, përkundër zërave opozitarë që disa herë e kundërshtojnë praninë ushtarake të Turqisë atje. Kohëve të fundit, këtyre zërave i janë bashkuar edhe një numër jo i vogël i akademikëve dhe intelektualëve turq, ku këta të fundit po i bëjnë presione qeverisë për rregullimin sa më të shpejtë e marrëdhënieve me Sirinë, Izraelin e sidomos me Egjiptin. Nisur nga këto rrethana, opozita turke e udhëhequr nga republikanët vazhdimisht e kanë kritikuar qeverinë e Erdoganit se ka dështuar në politikën e jashtme, sidomos karshi vendeve arabe. Erdogani fajësohet edhe për tendosjen e marrëdhënieve turke me shumë vende arabe. Sipas opozitës turke, Turqia nuk ka treguar aftësi të mjaftueshme për të udhëhequr me rajonin rajonin. Përveç me Katarin që është i madh sa një lagje e vogël e Stambollit, e së fundmi edhe me Libinë, Turqia nuk ka marrëdhënie të mira thuajse me asnjë vend tjetër arab. Megjithëqë faktet historike tregojnë se cili do shtet në botë që tregon ambicie për zgjerim dhe ekspansion, shtetet tjera reagojnë duke e bllokuar në mënyra të ndryshme, opozita turke insiston ta cilësojë diplomacinë vendit si dështuese e dëmshme. Personalisht mendoj se jo të gjitha këto kritika janë të qëndrueshme. Sepse Turqia megjithatë është në Siri, në Irak, në Katar, në Sudan, në Eritri, në Libi dhe në Somali. Pastaj, vetë fakti se Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Egjipti janë ngritur kundër saj, tregon qartë se Turqia është bërë faktor determinues në atë zonë të botës.
Kthyer tek rasti i Turqisë me Greqinë, megjithëqë është shumë vështirë, një marrëveshje e mundshme mes këtyre dy vendeve mund të ndodhë ose nëpërmes presioneve të fuqive të mëdha, që në rastin e Turqisë është e pamundur, sidomos pas zbehjes së interesimit amerikan në Lindje të Mesme, ose mund të lejohet një konflikt mes dy vendeve, por jo i përmasave sa të involvohen shtete të fuqishme. Dhe kështu, si rezultat, dy vendet do të detyrohen të ulen në tryezën e bisedimeve. Shikuar nga lartë dhe folur nga përspektiva siç i kam përcjellur ngjarjet, çështja e Mesdheut nuk mund të zgjidhet më me mënyrë diplomatike. Në lojë janë fuqi ushtarake me ndikim, andaj kthim prapa vështirë të ketë. Forca do të vendosë, sepse dërgimi i gjithë atij potenciali në rajon, tregon seriozitetin e situatës.
Por, çka ka të bëhet me rastin e Shqipërisë dhe përse Greqia pikërisht tani dëshiron të zgjerohet kah ujërat shqiptare?
Përgjigja më e shkurtër do të ishte: Greqia kurrë dhe asnjëherë nuk ka ndalë pretendimet e saj ndaj ujërave dhe tokave shqiptare. Është shumë e çuditshme që Tirana zyrtare i doli në krah Greqisë pikërisht në kohën kur kryeministri grek deklaron se vendi i tij donë të zgjerohet kah ujërat e Shqipërisë. Nëse zgjerimi i Greqisë në detin Jon nuk ka të bëjë me Shqipërinë, siç thuhet nga disa politikanë me peshë në Shqipëri, dhe nëse është thjesht çështje e brendshme greke, atëherë me çfarë logjike diplomatike dhe shtetërore Tirana zyrtare e duartroket planin e ri të Greqisë?!
Zgjerimi i ujërave territoriale greke në detin Jon, kryekëput do të ishte në dëm të Shqipërisë. Ky zgjerim nuk ka asnjë lidhje as me marrëveshjen e zonave ekonomike detare të nënshkruar nga Greqia me Italinë, e as me marrëveshjen e zonave ekonomike detare të nënshkruar nga Greqia me Egjiptin. Italia dhe Egjipti janë qindra kilometra larg brigjeve greke. Zgjerimi i ujërave territoriale greke në detin Jon ka lidhje pikërisht me Shqipërinë dhe vetëm atë të do ta dëmtojë. Të mos harrojmë, sipas nenit 3 të Konventës së Ligjit të Detit (UNCLOS) apo Konventa e Montego Bay-t, një shtet e ka të drejtën e zgjerimit të ujërave territoriale deri në kufirin e 12 miljeve, po ama, bisedimet njëvjeçare mes Greqisë dhe Shqipërisë për delimitimin e ujërave detare që përfunduan në vitin 2009 me një marrëveshje të nënshkruar, atë marrëveshje e anulon Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Partia Socialiste atëherë në opozitë, pati akuzuar qeverinë e PD-së se shiti detin dhe favorizoi Greqinë. E çuditshmja është se po të njëjtit sot insistojnë në delimitimin e ujërave detare me po të njëjtën Greqi. Domethënë, insiston në një marrëveshje që edhe Gjykata Kushtetute e ka refuzuar. Një gjë e tillë mendoj se nuk është e paqëllimtë, dhe do të dëmtojë interesat e shtetit shqiptar. Rrjedhimisht edhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Shkrimin dua ta përfundoj me një thënie të ish-Presidentit të Turqisë me prejardhje kurde, Turgut Ozal, i cili në vitet e 80-ta pati thënë: Do ta preferoja një Turqi me ashtu siç ka qenë deri më sot, se sa të bëhet e pasur si vendet e pasura me naftë, por që popujt e atjeshëm nuk arrijnë dot t’i shpëtojnë vrasjeve, krimeve dhe luftërave të përgjakshme.
Se a ja ka qëlluar Ozal me këtë thënie, apo politika e tanishme turke do të del e qëlluar, mbetet të shihet pas përfundimit të betejës për Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme.
Pjesën e parë e gjeni në kët link: https://mejdani.com/wp-admin/post.php?post=43624&action=edit