Nuk ka dyshim se bota në dekadat e fundit ka pësuar ndryshime rapide thuajse në të gjitha rrafshet e saj. Ekonomia, shkenca, teknologjia, pikëpamje të ndryshme e sidomos rrafshet strategjike të shumë vendeve kanë pësuar ndryshime të mëdha.
Shkruan: Mustafa Bajrami
(PJESA E PARË)
Për pasojë, edhe boshtet dhe balancat mes shteteve po ndryshojnë. Bota një polare e deritanishme nuk po duket më atraktive. Praktika që vetëm një superfuqi të jetë dominuese e bota të ketë vetëm një bosht, nuk po funksionon më. Shtete të tëra po preferojnë një botë shumë polare dhe po përgatiten të përfitojnë sa më shumë nga ndryshimet rapide që po ndodhin. Franca, Anglia, Turqia, Brazili, Gjermania, Kina e Rusia duan hise më të madhe në një botë të re që po krijohet.
Për më tepër, këto ndryshime në botë kanë prekur edhe strukturën e brendshme të NATO-n. Aty po ndodhin dridhje jo të zakonshme. Para dy viteve Macron deklaroi se NATO-s i ka vdekur truri, kurse SHBA-ja e ka reduktuar bashkëpunimin me vendet anëtare të NATO-s deri në nivelin më të ulët prej se është themeluar NATO. Deklarata e Trump se do t’i reduktojnë shpenzimet për NATO-n, sepse vendet evropiane po përftojnë pa paguar hisen e tyre, tregon se Amerika nuk po tregon kujdesin e dikurshëm ndaj Aleancës Veri-Atlantike. “Tërheqja” taktike e Amerikës nga NATO, natyrisht, për t’i kursyer shpenzimet e saj, e sidomos tërheqja e saj nga Lindja e Mesme, ka bërë që ngjarjet në Mesdhe të marrin ngjyrime të frikshme. Bota po ribëhet. E si epiqendër e ndryshime që po vijnë, po del të jenë prapë Mediterani dhe Lindja e Mesme.
S’do mend se atmosfera e re e krijuar brenda NATO-s e sidomos gjendja e tendosur mes Greqisë dhe Turqisë, për aleancën më të fuqishme ushtarake të botës është një sfidë e vërtetë. Mbase, shumë e rrezikshme. Sa do që mes shteteve anëtare të saj ka marrëveshje për mos sulmim mes vete, konflikti që po troket në derë mes Greqisë dhe Turqisë, do të jetë një sprovë e madhe për qëndrueshmërinë e NATO-s. Rusia natyrisht se dëshiron dobësimin e NATO-s. Nëpërmes dobësimit të saj, ajo do të siguronte një ndikim më të madh mbi Evropën, e nesër eventualisht të jetë pjesëmarrëse aktive në strukturimin e zonave të reja të interesit edhe jashtë Evropës.
Thamë në fillim se bota ka pësuar ndryshime të mëdha dhe po vazhdon të ndryshojë edhe më tutje. Ka ndryshuar, pra, edhe Turqia. Po ndryshon i gjithë rajoni përreth Mediteranit. Izraeli po fuqizohet edhe më shumë, Emiratet nënshkruan marrëveshje të paparë deri më tani me Izraelin, Egjipti u lidh me Greqinë, Franca po rikthehet në Mesdhe, në Lindje të Mesme dhe në Afrikën Veriore. Britania dhe Rusia po i bëjnë planet përfundimtare për akomodime të reja gjithashtu të Lindje të Mesme dhe në Afrikën Veriore.
Është e vërtetë se pasuritë e mëdha të zbuluara në ujërat e Mesdheut janë shkak i mjaftueshëm për interesime kaq serioze të fuqive të rajonit dhe nga e gjithë bota. Por ato pasuri nuk janë arsyet e vetme. Pasuritë e pashtershme që fshihen nën ujërat e Mediteranit janë mjete që do të përdoren në realizimin e aspiratave të shteteve që pretendojnë të jenë vendimmarrëse në dekadat e ardhshme. Së këndejmi, ato pasuri që ende s’kanë dalë mbi ujë, po bëhen shkak për aleanca të reja mes shteteve. Vende të tëra po bëjnë përpjekje për sigurinë e tyre nacionale dhe për pozita të reja në arenën ndërkombëtare. Pozita këto që do tu sigurojnë pozicione të atilla sa të jenë edhe përcaktore rajonale në Mediteran dhe në Lindje të Mesme.
Zbehja e interesimit amerikan për Lindjen Mesme është njëri ndër shkaqet kryesore të krijimit të kësaj atmosfere të tendosur. Me “tërheqjen” amerikane nga aty, siç po shihet, Franca, Turqia dhe Izraeli do ta kenë fjalën kryesore jo vetëm në ujërat e Mesdheut. Francës do t’i nevojitet Greqia që t’i turbullojë ujërat e detit sa herë i nevojitet, Izraeli ka shtie në dorë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe eventualisht nesër Arabinë Saudite, ndërsa Turqia është lidhur aq ngushtë me Libinë, sa brigjet e Tripolitanisë së dikurshme, tani Libia, mund të konsiderohen sikur të ishin edhe të Turqisë. Egjipti dikur shtet i fuqishëm dhe vendimmarrës në Lindje të Mesme, sot nuk ka ndonjë fuqi më të madhe se sa të detyrohet të mbështet në Greqinë e së andjemi edhe për Francën.
Ti kthehemi boshtit të temës. Mosmarrëveshjet greko-turke rreth hapësirës ajrore dhe të ujërave detare janë të njohura që nga koha e rënies së Perandorisë Osmane. Tani ato mosmarrëveshje janë thelluar edhe më shumë. Rezervat e mëdha të gazit të zbuluara në Mesdhe, janë bërë edhe një shkak më shumë për acarimin e situatës. Gazi i zbuluar atje, ndjeshëm ka ndikuar që të ngritën në këmbë edhe fuqi tjera rajonale, që duan të jenë pjesëmarrëse në zonat e influencës në Mesdhe. Krahas Greqisë e Turqisë, të kyçur në lojë edhe Franca, Italia, Egjipti, Izraeli, Libia sikur edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, situatën e bëjnë edhe më të ndjeshme. Në këtë atmosferë të tendosur befas u nënshkrua marrëveshja turko-libiane, e që më vonë, si reagim ndaj saj, u nxit edhe një marrëveshje tjetër. Gjithsesi me refleksione gjeopolitike. Fjala është për marrëveshjen egjiptiano-greke.
Por, a thua cila është në të drejtë dhe a do te ketë luftë mes dy taborëve?
Sikur që ndodhë gjithmonë të ketë opinione kontradiktore mes vete në raste konfliktesh mes dy vendeve apo dy aleancave, edhe tani tek rasti konkret i konfliktit mes Greqisë dhe Turqisë po ndodhë e njëjta. Përderisa analistë perëndimorë shkruajnë se Turqia është shkaktarja e probleme, në anën tjetër Turqia dhe aleatët e saj fajësojnë Greqinë. Nga njëra anë thuhet se Turqia po përdorë migracionin për të bërë presionet, po përhapë ideologjinë osmane-islamike, po shantazhon Gjermaninë, Holandën e disa vende tjera të Evropës, pastaj se Erdogan po përdorë një gjuhë shumë agresive, nga ana e saj, Turqia thotë se po e mbron vetveten dhe të drejtën e saj ta kërkojë hakun e vetë në Mesdhe. Këta analistë perëndimorë e shohin qeverinë turke si një përzierje helmuese mes neootomanizmit, autoritarizmit, islamizmit, antikemalizmit, populizmit, militarizmit, nacionalizmit dhe anticionizmit, ndërsa qeveria turke thotë se bota perëndimore është agresive dhe e padrejtë ndaj saj. Sepse, siç thuhet në Turqi, një pjesë e botës perëndimore nuk po arrijnë dot të pranojnë realitetin se Turqia është bërë faktor dhe fuqi së paku rajonale.
Gjithashtu, disa vende perëndimore e fajësojnë Turqinë për marrëdhëniet e saj me Rusinë, të cilat megjithëse në këtë fazë janë të komplikuara, ato marrëdhënie i ofrojnë Rusisë shumë mundësi ndikimi në rajon dhe më gjerë. Personalisht mendoj se një konstatim i tillë është i paqëndrueshëm. Sepse, Turqia ka mosmarrëveshje me Rusinë më tepër se me vendet tjera të BE-së. Politikat turke bien ndesh me qëndrimet e Rusisë në Kafkas, në raport me Iranin, në Siri, në Libi e tani edhe për Greqinë. Prandaj konstatimi i disa analistëve perëndimorë se Turqia me Rusinë është më mirë se me Amerikën apo vende tjera perëndimore, është konstatim jo i bazuar në fakte të qëndrueshme. Për më tepër, teksa po flasim për marrëdhëniet greko-turke, marrë guximin të shtoj se konflikti i vjetër greko-turk, sa është rezultat i mosmarrëveshjeve historike, gjeokulturore e me ngjyrime fetare e nacionale, tani më ai konflikt është ideologjik dhe më i thellë se kurrë më parë. Pikërisht se tani konflikti në fjalë kapë përmasa gjeopolitike dhe gjeostrategjike shumë më të rrezikshme.
Për më tepër, kthyer tek pyetja e mësipërme, se a do të ketë përplasje ushtarake mes dy vendeve anëtare të NATO-s, kjo varet prej vullnetit të aktorëve në konfliktin e tanishëm. Megjithëqë ka kërcënime serioze nga të dyja anët, ende shpresohet se situata mund të tejkalohet. Varet krejt nëse këtë e dëshirojnë Greqia dhe Turqia. Shikuar nga lartë, është shumë e vështirë të përfytyrohet se një luftë e mundshme do të jetë në interes të dy vendeve, apo të njërit, apo edhe të ndonjë vendi të tretë siç është Rusia që pretendohet se ajo do të përfitonte më së shumti nga situata.
Turqia dhe Greqia e dinë fare mirë se luftërat sot janë të kushtueshme. Ato e dinë gjithashtu se sot nuk luftohet pa ndonjë arsye tepër të mëdha, sidomos ekonomike. Mund të mendohet gjithashtu se dalja e vendeve të BE-së në krah me Greqinë, sado që lë të kuptohet se Evropa ia mbanë anën Greqisë, kjo duhet lexuar edhe nga perspektiva gjeostrategjike. Që i bie se dy shtete pranojnë të ulen në tryezën e bisedimeve vetëm nëse ato dy shtete e dinë se janë deri diku të barabarta në fuqitë e tyre ushtarake. Andaj shtetet evropiane ia mbajtën krahun Greqisë. Natyrisht për t’i nivelizuar forcat dhe për tu shpresuar se një ditë, para ose pas ndonjë konflikti të mundshëm, Greqia dhe Turqia vetë do të detyrohen të ulen e të bisedojnë.
(Nesër pjesa e dytë dhe e fundit)