Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se deri më tani kanë shkatërruar 172 avionë, 125 helikopterë dhe 3.168 tanke e automjete të blinduara që i përkasin Ukrainës.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se deri më tani kanë shkatërruar 172 avionë, 125 helikopterë dhe 3.168 tanke e automjete të blinduara që i përkasin Ukrainës.
Gjenerali rus e tha këtë në një dalje për gazetarët, ku bëri bëri deklarata lidhur me veprimet e njësive ushtarake ruse në luftën në Ukrainë (e cila filloi më 24 shkurt 2022).
Duke theksuar se ofensiva në Ukrainë vazhdon, Konashenkovi tha se 4 qendra komanduese, 45 zona me njësi ushtarake dhe automjete teknike, 7 depo municionesh dhe karburanti u goditën në vendbanimet Bahmut, Berestovoye, Soledar, Pokrovskoye, Konstaninovka dhe Maslyakovka në rajonin e Donjeckut me raketa me precizion të lartë të lëshuara brenda një dite.
Përveç këtyre,- vijoi Konashenkov,- kemi asgjësuar sistemin raketor të mbrojtjes ajrore Osa-AKM në afërsi të Severska dhe sistemin e drejtimit dhe radarit të mbrojtjes ajrore me raketa “S-300” në rajonin e Harkovit.
Pasi njoftoi se njësitë taktiko-luftarake ajrore ruse kanë goditur 3 qendra komanduese dhe 47 zona ku ndodheshin ushtarë dhe armë ukrainase, Konashenkovi tha se si rezultat i këtyre sulmeve janë neutralizuar 280 forca të armatosura nacionaliste dhe 59 automjete teknike ushtarake.
Duke vënë në dukje se janë goditur edhe 12 qendra komandimi të baterive të raketave dhe artilerisë si dhe 213 zona ushtarake, Konashenkov shtoi se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore kanë goditur në ajër 10 mjete ajrore pa pilot të Ukrainës në rajonet Harkov dhe Herson.
“Deri më sot kemi shkatërruar 172 avionë, 125 helikopterë, 952 mjete ajrore pa pilot, 314 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 3 mijë e 168 tanke dhe automjete të blinduara, 396 raketahedhës shumëgrykësh, 1.571 aviatorë dhe mortaja, 3.039 automjete speciale ushtarake që i përkisnin Ukrainës”,- tha Konashenkov.
*
Zelenskiy: Forcat ruse ‘rrafshuan’ rajonin e Donbasit
Presidenti ukrainas, Vladimir Zelenskiy akuzoi Rusinë se e ka kthyer në ferr rajonin e Donbasit në lindje të vendit të tij.
Në fjalimin e tij duke iu drejtuar popullit, Vladimir Zelenskiy tha se forcat ruse ‘rrafshuan’ rajonin e Donbasit dhe shtoi: “Ka sulme të vazhdueshme në rajonin e Odesas, në qytetet në qendër të Ukrainës. Donbasi është shkatërruar plotësisht”.
Lideri ukrainas tha: “Forcat e Armatosura të Ukrainës vazhdojnë operacionet e tyre për çlirimin e rajonit të Harkovit. Megjithatë, pushtuesit në Donbas po përpiqen të rrisin presionin. Është bërë ferr dhe kjo nuk është ekzagjerim. Bombardimi brutal i Severodonetsk, në vetëm një ditë pati 12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.”
“E gjithë kjo nuk ka asnjë shpjegim ushtarak për Rusinë dhe nuk mund të jetë”, tha Zelenskiy, duke shtuar: “Kjo është një përpjekje e qëllimshme dhe vrastare për të vrarë sa më shumë ukrainas të jetë e mundur. Kjo është ajo që do të cilësohej si gjenocid kundër popullit ukrainas dhe se pushtuesit me patjetër do të sillen para drejtësisë.”
Duke shprehur mirënjohjen e tij për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për miratimin e një pakete të re mbështetjeje prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe demokracinë, udhëheqësi ukrainas tha: “Deficiti mujor buxhetor në Ukrainë tani është 5 miliardë dollarë dhe ne kemi nevojë për mbështetje financiare të shpejtë dhe të përshtatshme për luftën për liri. Këto nuk janë vetëm shpenzime apo dhuratë nga partnerët. Këto janë kontributi i tyre për sigurinë e tyre. Sepse mbrojtja e Ukrainës nënkupton gjithashtu mbrojtjen e saj nga luftërat dhe krizat e reja që mund të provokojë Rusia. Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që Rusia të mos ia dalë mbanë në agresionin ndaj shtetit tonë”.
*
Mikhail Podolyak, Këshilltar i Presidentit të Ukrainës, tha se procesi i negociatave ndërmjet delegacioneve të vendit të tij dhe Rusisë është pezulluar.
Mikhail Podolyak bëri të ditur se që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, situata në Ukrainë ka ndryshuar shumë.
Duke vënë në dukje se “udhëheqja ruse ende nuk e kupton këtë”, Podolyak tha se procesi i negociatave midis delegacionit që do t’i japë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë u pezullua për shkak të dështimit të Rusisë për të marrë parasysh ndryshimet.
“Procesi i negociatave varet nga mënyra se si po shkojnë gjërat në Ukrainë. Pas Deklaratës së Stambollit, procesi u pezullua sepse nuk pati ndonjë ndryshim apo përparim domethënës. Rusia ende ruan mendimin e saj stereotip. Edhe në ditën e 82-të të luftës, Rusia në përgjithësi e bëri të mos e kuptojnë se situata në Ukrainë nuk ishte e njëjtë siç kishin menduar që në fillim. Megjithatë, theksoj se çdo luftë do të përfundojë në tryezën e bisedimeve”, deklaroi Podolyak.
Delegacionet ruse dhe ukrainase zhvilluan negociata ballë për ballë 3 herë në qytetet Gomel dhe Brest në Bjellorusi dhe një herë në Stamboll të Turqisë për të siguruar një armëpushim. Negociatat në Stamboll më 29 mars sollën përparim domethënës drejt arritjes së një armëpushimi.
*
Shtatmadhoria e Ukrainës: Ushtria ruse po forcon pozicionet e saj në rajonet lindore të vendit
Siç bën të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës përmes një deklarate me shkrim, ushtria ruse është duke forcuar pozicionet e saj në rajonet lindore të vendit për të parandaluar avancimin e Forcave të Armatosura ukrainase në këto rajone, ndërkohë që avionët rusë bombarduan objektet e infrastrukturës civile dhe ushtarake në Lindje dhe impiantet industriale në zona të tjera të vendit.
Në këtë deklaratë, ku thuhet se forcat ruse po përpiqen të pengojnë përparimin e ushtrisë ukrainase në drejtimet e Slobozhanskut e Harkivit dhe po përgatiten të hidhen në sulm përsëri në drejtim të Slovianskut, vihet në pah se trupat ruse sulmuan qytezën Drobishevo në drejtim të Limanit, si dhe në drejtim të Donjeckut me mortaja, sisteme raketore e mjete ajrore.
Pasi bën me dije se sulmet e kryera nga forcat ruse në qytetet Sirotino, Viskriva, Kamianka dhe Ugledar dështuan, Shtatmadhoria ukrainase nënvizon se ushtria ruse hapi zjarr ndaj infrastrukturës civile në vendbanimet Kamianske, Orehovo, Novoselka dhe Guliaipol, si dhe ndaj trupave ukrainase të dislokuara në Liman, Tavrida, Trudoliubovka dhe Osokorovka.
Sipas deklaratës, komplekset e infrastrukturës civile u goditën dhe ndërtesat private u shkatërruan si pasojë e sulmit me raketa nga avionët rusë në qytetin e fortifikuar të Belgorodit mbi Dniestër, në rajonin Odesës, teksa forcat ruse po kryenin një operacion shpëtimi në ujërat pranë ishullit të Gjarpërinjve, ku u godit anija ruse e zbarkimit.
“Gjatë ditës së fundit, 11 sulme të ushtrisë ruse u zmbrapsën në Donjeck e Lugansk, si dhe u shkatërruan 5 tanke, 1 sistem raketor kundërajror, 6 sisteme artilerie, 12 mjete luftarake dhe transportuese të blinduara, 1 avion «Su-25», 3 dronë dhe një raketë lundruese”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës.
Rusia: Rrëzuam 3 avionë luftarakë ukrainas pranë ishullit të Gjarpërinjve
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov, deklaroi të hënën se sistemet e mbrojtjes ajrore ruse kanë rrëzuar dy avionë luftarakë “Su-25” dhe një “Su-24” që i përkisnin Forcave të Armatosura të Ukrainës.
“Gjithashtu 10 mjete ajrore pa pilotë u shkatërruan dhe 18 predha të lëshuara nga raketahedhësit shumëgrykësh «Smerch» u interceptuan e asgjësuan në zona të ndryshme të Luganskut, Harkivit dhe Donjeckut”, theksoi gjeneralmajori Igor Konashenkov gjatë një konference për shtyp në Moskë.
Sipas tij, Forcat Ajrore Ruse goditën me raketa me precizion të lartë të lëshuara nga ajri 3 qendra komanduese, 2 stacione karburanti, 8 pika zjarri, 5 depo municionesh dhe 16 zona të përqendrimit të fuqisë punëtore dhe pajisjeve ushtarake të Ukrainës.
“Që nga fillimi i operacionit special ushtarak janë shkatërruar në total 168 avionë, 125 helikopterë, 889 mjete ajrore pa pilotë, 307 sisteme të mbrojtjes ajrore, 3.108 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 381 raketahedhës shumëgrykësh, 1.529 obusë e mortaja, si dhe 2.949 automjete speciale ushtarake që i përkisnin ushtrisë ukrainase”, përfundoi gjenerali Konashenkov.
Të paktën 3.573 civilë janë vrarë dhe 3.816 të tjerë janë plagosur nga ushtria ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, me shifrat reale që dyshohet se mund të jenë shumë më e larta.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bën me dije se rreth 6,1 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe më shumë se 7,7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.