Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq ka thënë se në kuadër të rinisjes së dialogut, kanë arritur progres dhe se javën e ardhshme pritet detajizim i çështjeve.
”Kemi bërë progres edhe tek tema e zhvillimit ekonomik, detajet tjera do t’i mësoni ditëve në vazhdim. Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajizojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale, duhet vullnet të të dy palëve dhe dedikim mbështetës”, tha ai për televizionin publik.
Hoti ka thënë se çështja kryesore është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
“Mund të ketë biseda të natyrës teknike. Jemi plotësisht të angazhuar dhe besojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që na japin. Çështja me objektivë të qartë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Aq sa mund të them e di që ka komunikim të ngushtë mes palës së SHBA-së dhe BE-së”, deklaroi ai.