Siç thamë edhe në pjesën e parë të këtij shkrimi, Libani dhe të gjitha shtetet tjera arabe lindën nga shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe nga ujditë e marrëveshjet pas Luftës së Parë Botërore.
Shkruan: Mustafa Bajrami
Shpërbërja e Perandorisë Osmane i gjeti arabët të papërgatitur për t’u përballur me sistemin e ri ndërkombëtar. Përgjatë epokës osmane marrëdhëniet e arabëve me botën kalonin nëpërmes Stambollit. Ata nuk patën mundësi të shprehnin fjalën e tyre në ndarjen që po iu bëhej më pastaj as nën orientimin e Lidhjes së Kombeve. Louise Fawcett, në librin e tij “Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lindjes së Mesme”, thotë se bota arabe u nda midis Fuqive fituese si një formë e re shteti kolonial, i njohur si mandat”.
Popujt arabë të cilët ishin kyçur në lëvizje të ndryshme për rrëzimin e Perandorisë Osmane, nuk e kishin llogaritur se do të ballafaqohen me probleme shumë serioze. Ata nuk arrinin dot të gjenin as edhe një koncenzus të vetëm rreth strukturës së shteteve që i donin, si dhe nuk e kishin llogaritur se do të përballeshin me fuqitë evropiane të cilat kishin krijuar një rend të ri ndërkombëtar, krejtësisht të panjohur për ta. Për më tepër, sipas këtij rendi të ri, ndërkombëtarizimi i shteteve kushtëzohej nga njohja e sovranitetit nga jashtë, “shtetet nuk gëzojnë sovranitet tjetër përveç njohjes së tij prej të tjerëve”. Rregullat e reja të lojës për formimin e shteteve nuk ishin në dorën e tyre por ishin në dorën e Fuqive të Mëdha që kodifikonin normat, sistemet dhe parimet për kufijtë, për luftën e për paqen, të njohura si e Drejtë Ndërkombëtare. Thënë shkurt, edhe për Libanin që po krijohej, institucionet e sistemit të ri botëror ishin të huaja dhe të panjohura. Libani, përgjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, i ishte dorëzuar padronëve kolonialë, e sidomos diplomacia dhe e drejta e komunikimit në marrëdhëniet e tyre të jashtme.
Në një atmosferë të këtillë fillojnë përpjekjet e themelimit të shtetit të Libanit. Të mos harrojmë, Libani si pjesë integruese e Perandorisë Osmane, përgjatë 5 shekujve thuajse kurrë nuk kishte pas probleme as sektare, as nacionale e as ideologjike. Perandoria Osmane kishte zhvilluar një politikë deri atëherë të panjohur për botën. Në secilin vend ku shtrihej, për guvernatorë emëronte njerëzit e atij vendi. Qetësia politike e fetare filloi të prishet në fillimet e shekullit XIX, atëherë kur Libani filloi të shndërrohet në epiqendër të nacionalizimit arab, fillimisht kundër Perandorisë Osmane. Në Liban filluan të vijnë misionarë nga Evropa, e në vitin 1831 hapen shkollat e para jezuite. Më pastaj, kuadrot e dala nga këto shkolla, në vitin 1875 themelojnë Universitetin Amerikan të Bejrutit. Universiteti Amerikan dhe shoqëri të ndryshme atje me të madhe përhapin idenë për nacionalizmin arab. Pavarësia dhe shtetësia e sotshme e Libanit i obligohet sidomos kësaj kohe dhe njerëzve të kësaj kohe që donin një Liban shtet laik dhe të pavarur.
Pas luftës së Parë Botërore, tokat e Libanin pushtohen nga forcat britanike dhe franceze. Në Konferencën e Parisit, të krishterët maronitë kërkuan një Liban nën mbikëqyrjen e Francës. Në princip, kjo ide maronite u pranua dhe si rezultat i kësaj, në Konferencën e San Remos të mbajtur në prill të vitit 1920, Libani dhe Siria definitivisht i jepen Francës. Në San Remo ishin tubuar kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Italisë, si dhe dy të deleguar nga Japonia. Takimi i San Remos ishte kryekëput një takim për të rënë dakord mbi ndarjen e tokave arabe. Si rezultat i këtij takimi Franca merr mandatin mbi Shamin (Siria dhe Libani i sotshëm), çka shënoi fundin e Mbretërisë Arabe të Faisalit në Damask, mbretëri kjo që ishte formuar si shpërblim ndaj Faisalit që luftonte forcat e Perandorisë Osmane.
Me 23 maj të vitit 1926, francezët përgatisin një kushtetutë dhe ia dorëzojnë Libanit. Sipas kësaj kushtetute, Libani është shtet i pavarur, por që Ministria e Jashtme dhe tërë diplomacia mbetet në duart e Parisit. Përgjatë kësaj kohe për president i Libanit ishte emëruar Bishare el-Huri që vinte nga radhët e të krishterëve orthdoks. Me datë 9 shtator të vitit 1936, Franca u premton sirianëve dhe libanezëve se pas tri viteve si shtete të pavarura do të lejohen edhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
Përgjatë Luftës së Dytë Botërore, shpërbëhet parlamenti libanez. Mes viteve 1945-1958 në Liban punohet shumë për arritjen e marrëveshjeve të reja mes të krishterëve dhe muslimanëve. Gjithashtu, përgjatë kësaj kohe, në Liban fillojnë të përhapen rryma të huaja të cilat dalëngadalë po i gërryenin në themel marrëveshjet e arritura deri atëherë mes sekteve dhe pjesëtarëve të feve të ndryshme. deri atëhershme. Naserizmi egjiptian që ishte “baba” i nacionalizmin arab si dhe komunizmi që po luftonte edhe nacionalizimin por edhe islamin, ishin dy më kryesoret. Bashkimi i Sirisë me Egjiptin në vitin 1958 nën udhëheqjen e Xhemal Abdul Naserit, të cilin e mbështeste me të madhe edhe Tito i Jugosllavisë, në fakt ishte fatal për Libanin. Në Liban, nacionalistët arabë fillojnë shtypjen e muslimanëve, e në anën tjetër, fillon vërshimi i palestinezëve edhe më shumë drejt Libanit.
Më tutje, dështimi i arabëve në luftën arabo-izraelite të vitit 1967, kishte shkaktuar një pezëm të madh në gjithë botën arabe. Në të njëjtën kohë, ajo disfatë kishte ngjallë ndjenja të fuqishme për hakmarrje kundër Izraelit. Në vitin 1969, në Karjo lidhet marrëveshja mes qeverisë libaneze dhe OÇP-së së Jaser Arafatit, ku sipas kësaj marrëveshje OÇP-së i lejohet të armatosë palestinezët brenda Libanit. Në vitin 1970 dështon përpjekja palestineze për ta rrëzuar Mbretin Husein në Jordani, e për pasojë, Jordania e fillon një fushatë të egër kundër palestinezëve. Është i njohur “Shtatori i Zi” si simbolikë e masakrave që bëri ushtria jordaneze mbi popullatën e pafajshme palestineze.
Libani nëpër vite
Megjithëqë ky shkrim nuk pretendon të ofrojë ide e fakte përfundimtare rreth Libanit, në pika të shkurtra lexuesi mund të gjejë sadopak disa data dhe analiza sporadike interesante. Është në interesin e lexuesit shqiptar të dijë për të kaluarën historike të Libanit, të libanezëve dhe të tokave që sot quhen Republika e Libanit.
Kështu, në vitin 1200 p.e.s., në ato toka vijnë e vendosen fenikasit ku edhe i hedhin farat e para të civilizimit të atëhershëm fenikas. 500 vjetë më vonë, në vitin 724 p.e.s. ato toka pushtohen nga asirianët. Në vitin 710 p.e.s. libanezët sërish i çlirojnë tokat e tyre. Në vitin 587 p.e.s. Babilonia e pushton Libanin. Kur në vitin 364 p.e.s., Aleksandri i Madh korrë fitore ndaj persianëve në tokat e Anadollit, nëpërmes Sirisë shkon në Liban dhe vendoset aty. Dyndja e parë e të krishterëve maronit në Liban fillon libaneze në 451 pas Krishtit. Njëqind vjet më vonë, saktësisht në vitin 551, Libanin e godet një tërmet i fuqishëm dhe e bënë rrafsh me tokë. Shkaktohen mbi 35.000 viktima.
Muslimanët e marrin Libanin në kohën e halifatit të Ebu Bekrit. Në vitin 661 Muaviu emevit ia bashkangjet Libanin, Sirisë-Damaskut. Në vitin 996, Ed-Durziu fillon ta përhapë në Liban tarikatin durzij. Në luftën e kryqzatave të vitit 1110, Libani bie në dorën e evropianëve. Mes viteve 1298-1301, muslimanët shiit së bashku durzitët i fillojnë revoltat kundër memalikëve. Në vitin 1516, Sulltan Selim Javuzi e pushton Libanin dhe nga andej niset për në Egjipt.
Më pastaj, në vitin 1912 Italia fillon bombardimin e Bejrutit për t’i bërë presion Perandorisë Osmane të largohet nga Lindja e Mesme. Sipas marrëveshjes së njohur Sykes-Picot, Libani i lihet në dorë Francës.
Përgjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët ia dorëzojnë udhëheqjen e Libanit qeverisë së Vichy-t, një francezi vazal i Gjermanisë Naziste.
Kur në vitin 1948 themelohet shteti i Izraelit, me qindra mijë palestinez dëbohen nga tokat e tyre dhe vendosën në Liban. Në vitin 1985 sulmohet ambasada amerikane në Bejrut dhe vriten 63 vetë. Në vitin 1985 Izraeli tërhiqet nga Jugu i Libanit të cilin e kishte pushtuar në vitin 1967. Po atë vit të krishterët dhe muslimanët lidhin marrëveshje paqeje dhe fillon rindërtimi i vendit. Në vitin 1987 Siria pushton pjesën lindore të Libanit. Në vitin 1990 përfundojnë luftimet e brendshme dhe themelohet qeveria e mbështetur nga Siria. Në vitin 1992 Refik el-Hariri zgjidhet për kryeministër dhe jep dorëheqje në vitin 1998. Në vitin 2005 el-Haririt i organohet një atentat me një makinë bombë dhe vritet në mes të Bejrutit.
Po atë vit nga Libani largohet edhe ushtari i fundit i Sirisë. Një vit më vonë, Izraeli i shpallë luftë Libanit, e pas 34 ditë luftime të ashpra, ushtria izraelite detyrohet të tërhiqet nga aty, duke lënë pas vete 1200 viktima.
Për shkak të luftimeve në Siri, në vitin 2012 në Liban kalojnë mbi 50.000 refugjatë sirianë, ndërsa në vitin 2014 në Liban arrijnë mbi një milion refugjatë sirianë. Para do ditëve, saktësisht e 4 gusht të vitit 2020 në Bejrut ndodhë shpërthimi tragjik i përmasave të Horishimes, Nagasakut e Çernobilit ku mbesin të vrarë mbi 170 qytetarë e mbi 5 mijë të tjerë të plagosur. Ai shpërthim Libanin e kthen prapa për dekada.
Edhe sot e kësaj dite në Liban janë të fuqishme familje të njohura të cilat kishin dhënë emra të mëdhenjë në politikën libaneze. Nga të krishterët janë emrat si Xhemail, Shemun, el-Huri, Edde etj. Nga Sunnitët janë të njohur familjet si Selami, Kerrami, Sulhi, el-Hariri, ndërsa nga shiitët janë el-Berri, Nasrallah, e nga Durzët familja më e njohur është Xhanpollati. Shqiptarët të përfaqësuar sidomos nga familja Arnauti, kanë pasur emra të mëdhenjë në të gjitha këto grupime fetare, respektivisht politike. Shqiptarët arnautë, varësisht prej feve të tyre, kanë qenë pjesëmarrës edhe tek katolikët e krishterë edhe tek orthodoksët, edhe tek sunnitët, edhe tek shiitët. Por asnjëherë nuk kanë arritur të jenë qenie e pavarur, sikur të tjerët. Arsyeja kryesore e këtij, qa quaj, dështimi i shqiptarëve atje, është pafuqia e shteteve shqiptare të ndikojnë në politikat e libanit dhe të Lindjes së Mesme, si dhe neglizhimi i lobit shqiptar në botë që u ka bërë shqiptarëve të Lindjes së Mesme, e sidomos shqiptarëve të Libanit.
Kur Saad el-Hariri i kishte thënë ato fjalë në takim me delegacionin shqiptar, në fakt, ai kishte aluduar në fqinjët e Libanit, shtete këto që ishin krjuar pas rënies së Perandorisë Osmane. Ishin krijuar në atë mënyrë që kurrë të mos ndjehen të qeta e as t’i lënë të qetë fqinjët e tyre.
Lufta civile që filloi më 1975 vazhdoi deri në fillim të viteve 1990, la pas vete mbi 150 mijë të vrarë, 1 milion të plagosur dhe mbi 350 mijë të zhvendosur. Kryeisht të ikur jashtë vendi por që kurrë më nuk janë kthyer. Në këtë luftë të brendshme ishin të involvuara Izraeli, Siria dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës.
Lufta civile në Liban ishte rezultat sidomos i ndasive ekstreme mes medhhebeve fetare dhe ideologjike. Si dhe i ndërhyrjes së disa shteteve që kishin interesa të ndryshme në atë pjesë të botës. Themelimi i Izraelit, ardhja e qindra mijë refugjatëve palestinezë si dhe Lufta e Ftohtë janë indikatorë të drejtpërdrejtë të gjendjes së tendosur të Libanit. Përderisa maronitët mbështeteshin nga Izraeli dhe disa vende perëndimore, muslimanët kishin filluar një luftë të përgjakshme mes vete. Kryesisht mes shiitëve dhe sunnitëve. OÇP-ja e Jaser Arafatit herë ndërhynte në politikën e brendshme libaneze, e herë i armatoste refugjatët palestinez brenda Libanit. Vende të ndryshme u siguronin armë grupeve ndërluftuese, ndërsa Siria dhe Izreali herë-herë ndërhynin me shtritë e tyre në ato luftime. Menjëherë pas fillimit të luftës civile, Siria solli në Liban 16 mijë ushtarë aktiv, ndërsa Izraeli në vitin 1978 dhe më 1982 pushtoi jugun e Libanit. Izraeli u tërhoq nga Libani në maj 2000, duke lënë një zonë të çmilitarizuar në jug të vendit.
E për fund, për të parë se nëpër çfarë peripeci ka kaluar Libani dhe klasa politike e saj, tregojnë edhe shifrat, emrat dhe ngjarjet e më poshtme.
16 korrik të vitit 1951, në Jordani me atentat vritet Rijad es-Sulhi, kryeministri i parë e Libanit. Në vitin 1977 vritet Kemajl Xhanbollati, udhëheqësi i Lëvizjes socialiste. Në vitin 1978 virtet lideri i të krishterve libanes, Tony Franci. Në vitin 1982 vritet presidenti i krishter libanes, Beshir Xhemail. Në vitin 1987 vritet kryeministri i vendit Rashid Karami. Në vitin 1989 virtet poashtu muftiu i Libanit, Shejh Hasan Halid. Po atë vit vritet edhe presidenti i vendit Rene Muavad. Në vitin 2005 virtet ish-kryeministri i vendit Refil el-Hariri. Po atë vit vritet edhe gazetari më i njohur libanez, kundërshtar i fuqishëm i regjimit të Asadit, Semir Kasir. Po në këtë vit vritet sekretari i përgjithshëm i partisë komuniste libaneze, George Havi. Po në këtë vit vritet edhe deputeti dhe gazetari Xhibran Tuvejni. Në vitin 2006 vritet Ministri i Industrisë Pijer Xhemail. Në vitin 2007 vritet deputeti Velid Idu. Në vitin 2007 poashtu vritet Antvan Ganim, lider i Partisë së krishtere në Liban. Në vitin 2012 vritet ish-shefi i Inteligjencës libaneze, i afërt me Refik el-Haririn, Visam Hasani. Me 4 gusht të vitit 2020 ndodh shpërthimi katastrofik në Bejrut ku mbesin të vrarë 150 persona dhe mbi 6 mijë të tjerë të plagosur.