Iliaz Bazna, i njohur si Elyesa Bazna, konsiderohet si spiuni më i famshëm turk. Ai erdhi në Turqi nga Kosova në fillim të shekullit XX, atëherë kur Perandoria Osmane po largohej nga Ballkani. Një film i ri turk tani thur legjenda të reja për Iliaz Baznën. Detaje mahnitëse nga një portret i botuar në gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung».
Manushaqet mbi varr janë ende të freskëta. Pak njerëz e dinë se në Mynih të Gjermanisë është i varrosur Iliaz Bazna, më saktë në «Grabfeld 97, Friedhof Perlacher Forst». Mbi pllakën e granitit mund të lexohet ‘Cicero’, e poshtë emri i burrit që për vete thoshte se ka qenë “spiuni më i madhi i Luftës së Dytë Botërore”. Iliaz Bazna, emri sekret i të cilit ishte Cicero, u lind në vitin 1904 në Prishtinë, e vdiq në vitin 1970 në Mynih të Gjermanisë, ndërsa po merrte rrogë nga asistenca e të papunëve.
Në vitin 1943 Bazna ishte shërbëtor (sot do të thuhej: asistent) i ambasadorit britanik në Ankara. Atëhere Turqia ishte shtet neutral dhe shumë shtete dëshironin ta kishin aleat, ta zëmë britanikët. Gjermanët synonin të kundërtën dhe kërcënonin se do të bombardonin Stambollin dhe Izmirin nëse Turqia i shpall luftë Rajhut të Tretë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore kryeqyteti turk ishte plot e përplot me agjentë – dhe Iliaz Bazna mendonte se i plotësonte kushtet më të mira për të qenë agjent. Atë nuk e rekrutoi askush, ai vetë ia shiti dijen e tij një shteti, Gjermanisë së Adolf Hitlerit, me të cilën në fakt nuk e lidhte asgjë. Bazna nuk qe nazist, por ai e furnizoi regjimin hitlerian me dokumentet më sekrete të shteteve aleate. Iliaz Bazna çdo mëngjes ia jepte burimit të tij pantallonat e hekurosura dhe xhaketën e shkundur dhe çdo mbrëmje pizhamet dhe një tabletë për gjumë. Po kush ishte burimi i tij? Ishte Hughe Knatchbull-Hugessen, ambasador i Britanisë së Madhe në Ankara. Pasi ambasadorin e zinte gjumi, Bazna i merrte dokumentet nga kasaforta që gjendej te shtrati i ambasadorit, i fotografonte ato në dhomën e shërbëtorëve dhe i kthente te tavolina e vogël pranë krevatit. Ose e hapte arkën e diplomatit, dhe këtë e bënte me një çelës të riprodhuar. Bazna frikësohej se do të zbulohej. Po të ndodhte kjo, ai vështirë do të mbijetonte. Dokumentet që i kopjonte, Bazna ia dorëzonte ambasadorit gjerman në Ankara, Franz von Papen, i cili në fillim të viteve ’30 ishte kancelar i Rajhut.
Përse i hyri këtij rreziku Iliaz Bazna? Ka versione të ndryshme – aventurë, lakmi për para? Tani filmi artistik turk ‘Çiçero’ përpiqet që spiunin ta shndërrojë në hero, i cili paskësh vepruar me urdhër nga lart. Nga fundi i filmit si skemë shfaqet Kemal Ataturku, themeluesi i Republikës së Turqisë. Ai ka vdekur më 1938, por filmi përpiqet të na bind se Ataturku personalisht e ka urdhëruar Baznën ta shpëtojë Turqinë nga ‘lufta e ndyrë’. Sipas filmit, Bazna ishte një anëtar i një ‘organizate sekrete nacionale’. Bazna, rolin e të cilit e luan Erdal Besikçioglu, një aktor bukurosh dhe i popullarizuar në Turqi, i përgjigjet Ataturkut: ‘Zbatoj urdhrin, pasha im’. A thua Cicero ishte spiun turk? Agjent i dyfishtë?
Në filmin klasik të spiunazhit ‘Five Fingers’ të Joseph L. Mankieëicz, i cili u xhirua më 1952, ylli i Hollyëoodit, James Mason, luan rolin e Ciceros, pra të Iliaz Baznës. Në këtë film Bazna i shpëton zbulimit duke ikur në Brazil. Pas luftës ai në Rio de Zhaneiro vazhdon jetën në luks deri kur zbulohet se paratë me të cilat e kanë paguar gjermanët nuk kanë asnjë vlerë. Janë para të falsifikuara. E vërteta është se Bazna nuk ka qenë kurrë në Rio, por futet britanike që e kishte marrë nga gjermanët vërtet kanë qenë të falsifikuara. Paratë ishin shtypur në kampin e përqendrimit Sachsenhausen në veri të Berlinit. Me falsifikimin masiv të funtit nazistët synonin të dëmtonin bankën e Anglisë.
Në kujtimet e tij Bazna tregon se nëpër çfarë ‘rrugësh të çuditshme’ kanë kaluar këto para – u nisën dhe përfunduan në Turqi: “Në fillim të luftës fabrikat turke të tekstilit eksportonin pëlhurë në Gjermani”. Kjo pëlhurë pastaj shndërrohej në letër të ngjashme siç e përdorte banka angleze. Këtë Bazna e mori vesh pas Luftës së Dytë Botërore kur qe zbuluar se paratë që kishte marrë nga gjermanët ishin të falsifikuara. Dhe ku e kishte zbuluar? Në Stamboll.
Për të gjitha këto ai tregon në kujtimet e tij me titullin ‘Unë isha Cicero’. Kujtimet e tij i ka shkruar autori gjerman Hans Nogly. Ato së pari u botuan në një revistë gjermane, pastaj dolën si libër në Lichtenberg Verlag. Në kujtimet e tij Bazna tregon se ishte i pangopur për të shijuar jetën, për të pasur para e pushtet. Bazna e përshkruan veten si të shëmtuar, trupshkurtër, me hundë të trashë, në shikim të parë ‘katundar’ dhe të çorientuar. Por Bazna kishte një dobësi, një dobësi të madhe: i donte gratë, pa fund. Dhe pse në filmin turk, siç shkruan «Süddeutsche Zeitung», tregohet vetëm një lidhje amuroze e Baznës.
Iliaz Bazna nga Prishtina ishte burrë me talent. Kishte një zë të bukur, një zë baritoni. Këndonte arie të Verdit, këngë të Schubertit, dhe kështu e entuziazmonte ambasadorin britanik. Me të dashurat e tij Iliaz Bazna shkonte në dyqanet më të shtrenjta dhe kalonte kohën e lirë në hotelin Ankara Palas.
Kur Iliazi lindi në Prishtinë, vendi i tij ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Kur më 1912 në Ballkan u shemb Perandoria Osmane, familja e Baznës iku në Selanik, pastaj në Stamboll, ku Bazna ndoqi mësimet në një shkollë ushtarake. Pas Luftës së Parë Botërore Stambolli ishte i pushtuar nga trupat britanike, italiane, franceze. Që në moshën 16-vjeçare Bazna u punësua në një njësi franceze të transportit, aty mësoi të drejtojë makinën. Veturat ishin pasioni i tij. Pasi shkaktoi një aksident me një motoçikletë të një oficeri, Baznën e futën në burg dhe një gjykatë ushtarake franceze e dërgoi në internim në Marsejë (Marseille). Atje Iliaz Bazna mësoi mirë frëngjisht dhe kështu, më vonë, i bëri përshtypje ambasadorit britanik në Ankara.
Në fillim gjermanët nuk i besonin Baznës. Ai ofronte dokumente britanike dhe kërkonte shumë para. Dikur Bazna arriti ta bindte Ludëig Carl Moyzisch, i cili në Ankara punonte si atashe për tregti, por në fakt ishte pjesëtar i drejtorisë për siguri të regjimit nazist në Berlin. Kur Bazna ofroi dokumente që dëshmonin se ku saktësisht do të bombardonin gjermanët në Ballkan, Moyzisch i premtoi se pas luftës Hitleri do t’i dhurojë atij një vilë. Dokumentet e Iliaz Baznës i bënë përshtypje ministrit të Jashtëm gjerman Joachim von Ribbentropit dhe kancelarit Adolf Hitler. Thuhet se Hilteri duke u bazuar në dokumentet e Iliaz Baznës në dhjetor 1943 kishte parashikuar pushtimin e aleatëve në pranverë të vitit 1944. Sulmi në Normandi filloi më 6 qershor 1944. Aleatët e quajtën aksionin ‘Operation Overlord’ – edhe këtë informacion Iliaz Bazna ia dha gjermanëve. Por fatkeqësia e tij ishte se tashmë nuk i besonin në Berlin pasi agjenti Bazna kishte dorëzuar aq shumë dokumente, saqë ministria e Jashtme e Ribbentropit besonte se fjala ishte për një kurth britanik. Shërbimi sekret britanik pas luftës deklaroi se Bazna ka qene nën kontrollin britanik, domethënë agjent i dyfishtë, por këtë britanikët mund ta kenë thënë për të ruajtur fytyrën. Në kujtimet e Baznës nuk gjendet asnjë dëshmi që ai ka qenë agjent i dyfishtë. Paratë që i merrte nga gjermanët Bazna i ruante nën qilimin e dhomës së tij. 300 mijë funt. “Më jepte ndjenjën e triumfit të madh të ecja mbi këto para me qëndrimin përulës të shërbëtorit besnik të zotërisë tim, shkëlqesisë së tij, ambasadorit britanik Hughe Knatchbull-Hugessen. Motivi i tij ishte triumfi i burrit të thjeshtë kundër perandorisë.” – shprehej ai.
Më 1944 Bazna u largua nga ambasada britanike në Ankara. Ishte i frikësuar se do të zbulohej. Qëndroi në Ankara, mori me një qira, gjeti një dashnore me të cilën harxhonte paratë e falsifikuara që kishte marrë nga gjermanët. Njëkohësisht kishte një grua me 4 fëmijë, të cilët i përkrahte me zemërgjerësi dhe për veten e tij thoshte: «Ndërgjegjja ime është e qetë».
Pas Luftës së Dytë Botërore Bazna themeloi një firmë ndërtimi dhe ndërtoi një hotel në Bursa, buzë kodrës Uludag. Në Bursa i pëlqente hoteli «Çelik», të cilin e kishte vizituar edhe Ataturku. Pranë këtij hoteli Bazna nisi të ndërtojë «Çelik-Palas», një «pikëtakim i botës», siç mendonte Bazna. Por me kalimin e kohës bankat zbuluan se paratë e Baznës qenë të falsifikuara. Hotelin «Çelik-Palas» e ndërtoi dikush tjetër, në galeri shihen fotografitë e vizitorëve të famshëm si Audrey Hepburn dhe Shahut të Persisë. Asnjë shenjë nuk tregon se ndërtimin e hotelit e ka nisur Iliaz Bazna.
Pasi u zbulua se punonte me para të falsifikuara Iliaz Bazna iku në Stamboll. Në lagjen Laleli ai u tërhoq në një banesë të thjeshtë. U martua edhe njëherë, u bë baba i katër fëmijëve të tjerë. I përballur me varfëri, ai i shkroi kancelarit gjerman Konrad Adenauer dhe e luti për ndihmë, fundja ai kishte ndihmuar Rajhun e Tretë. Por në Gjermaninë e re askush nuk donte të dëgjonte për këtë, kërkesa e Baznës u refuzua.
Më 1960 Iliaz Bazna shkoi në Mynih. Gjeti një punë si rojtar nate – dhe e gjeti edhe biografin e tij. Mbi pllakën e varrit të tij gjendet edhe emri i një gruaje. Esra, para emrit titulli «dr.». Në kujtimet e tij Bazna shkruan se Esra ishte kushërirë e tij, të cilës ia kishte plotësuar një dëshirë: ia kishte paguar shpenzimet për studimet universitare. Ia kishte paguar me para të falsifikuara.
Discussion about this post