Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut ka deklaruar se kanë pranuar të dhëna nga shërbimet turke në lidhje me militantët e organizatës terroriste ISIS dhe familjarët e tyre që kanë shtetësi gjermane, duke shtuar se “ata që kanë kryer vepra penale, duhet të dalin para gjykatës”, raporton AA.
Ministri Maas qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë së Veriut, ku është pritur nga homologu i tij, Nikolla Dimitrov, ndërsa pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.
Në pyetjet e AA-së se sa militantë të DEASH-it do të ekstradohen në Gjermani, ministri Maas tha se ata janë në komunikim me shërbimet turke dhe se gjatë kësaj jave kanë pranuar të dhëna prej autoriteteve turke.
“Për ne është shumë e rëndësishme të shohim se a bëhet fjalë me të vërtetë për shtetas të Gjermanisë dhe a kanë lidhje me Shtetin Islamik (DEASH) dhe nëse ka, çfarë është ajo lidhje, që të mund të vendosim nëse ka këso lidhje, a janë shkelur ligje të caktuara. Nëse kanë kryer ndonjë vepër penale atëherë ata duhet të dalin para gjykatës dhe të bartin përgjegjësi. Ekziston dialog intensiv me shërbimet turke për t’u sqaruar të gjitha këto çështje, që ne të jemi në gjendje që të njohim nëse bëhet fjalë për njerëz të cilët kanë kryer vepra penale në kuadër të Shtetit Islamit (DEASH) dhe në mënyrë të duhur të mbartin përgjegjësi”, tha Maas.
Më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Süleyman Soylu, lidhur me ekstradimin e pjesëtarëve të DEASH-it tha se “Gjermania dhe Holanda kanë deklaruar se do të pranojnë pjesëtarët e DEASH-it, me bashkëshortet dhe fëmijët e tyre që u përkasin vendeve të tyre”.
Discussion about this post