
Kandidati për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se nëse arrin të bëhet kryetar i partisë, ata me kënaqësi do ta pranojnë ftesën e Lëvizjes Vetëvendosjes për takim rreth çështjes së presidentit dhe formimit të institucioneve të reja.
“Natyrisht që do të takohemi. Dialogu është i vetmi mjet që njeh LDK-ja”, theksoi Haziri para hyrjes në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.
Ai foli edhe për kundërkandidatët e tij, për të cilët është shprehur me plotë admirim.
“Të gjithë kandidatët janë të mirë. Kuvendi ka me zgjedh kryetarin e ri, është kuvend i jashtëzakonshëm për herë të parë në 31 vjet. I respektoj, janë koleg të mirë. Cilido që zgjidhet do të jetë primare puna e përbashkët. Është mundësi e barabartë dhe është mirë që demokracia në LDK funksionon. Reforma e parë është ndërhyrja në kuvendet e degëve të LDK-së nëse bëhem kryetar”, u shpreh Haziri.
Haziri theksoi se nëse fiton ai, kundërkandidatët e tij, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa, do të jenë brenda Kryesisë, ndërkaq u shpreh i befasuar me tërheqjen e kandidaturës të Anton Qunit.