Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, ka thënë se nuk pret që të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një deklaratë për KP, Shala duke komentuar ngecjen në negociatat mes dy partive, ka thënë se VV-ja e LDK-ja e “kanë gënjyer tërë Kosovën me premtimet e tyre, se po vjen një qeveri e shpresës”.
“Siç po shihen deri më tani këto dy parti jo vetëm elektoratin, tërë Kosovën e kanë gënjyer me premtimet e veta, sepse po vjen një qeverisje e ‘shpresës’. Ku po shihet se nga qeverisja e ‘shpresës’ nuk ka asgjë tjetër veç se të dyja partitë janë duke vrapuar pas pozicioneve për individë dhe ku ka mbet Kosova. Duhet që sa më shpejt të dy partitë t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të krijojnë institucionet”, ka thënë ai.
“Unë mendoj që nuk do të ketë marrëveshje brenda këtyre dy partive, sepse dy partitë nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës dhe janë vetëm duke e shtyrë sot për nesër. Por edhe Albin Kurti (kryetar i VV-së) nuk është i gatshëm që të marrë këtë qeverisje në këtë situatë të vendit”, ka shtuar ai.
Në zgjedhjet e 6 tetorit koalicioni Nisma-AKR-PD siguroi gjashtë ulëse në Kuvendin e Kosovës.