Të harruarit, në të shumtën e rasteve konsiderohet si mungesë inteligjence. Por një studim i kryer nga Universiteti i Torontos pretendon se të pasurit një kujtesë të fortë është një aset i mbivlerësuar dhe konkludon se në fakt personat që harrojnë janë njerëz më inteligjentë.
“Është e rëndësishme që truri të harrojë detaje të parëndësishme dhe të fokusohet në gjëra që do ta ndihmojnë për të marrë vendime në botën reale. Ne e dimë që ky ushtrim rrit numrin e neuroneve në hipokampus, por janë pikërisht ato detaje nga jeta që nuk kanë rëndësi dhe që mund ta ndalojnë dikë për të marrë vendimet e duhura”, thotë Blake Richland, një prej autorëve të studimit.
Profesori Richards dhe Paul Frankland propozuan që kujtesa të përdoret për të optimizuar vendimmarrjen duke mbajtur informacion me vlerë dhe duke harruar gjërat e parëndësishme, me pak fjalë duke hapur vend për gjërat që kanë rëndësi.
Sipas ekspertëve të harruarit është më e shëndetshme sesa mbajtja mend e çdo detaji në jetë.
Për shembull, nëse truri i njeriut harron detaje specifike për një ngjarje në të shkuarën, por mban mend ngjarjen në përgjithësi, ekspertët besojnë se kjo e lejon njeriun që të gjeneralizojë eksperiencat e ardhshme më mirë se një person që mban mend më shumë detaje të eventit në fjalë.
Megjithatë, ata thonë se nëse njerëzit harrojnë gjëra të rëndësishme me një frekuencë alarmante, atëherë këtu ka vend për t’u shqetësuar. Studimi thotë se harresa e detajeve herë pas herë është shenjë e një sistemi të shëndetshëm të kujtesës, që punon siç duhet.