Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në një konferencë për gazetarë ka folur rreth zhvillimeve politike në vend dhe vonesave në formimin e qeverisë, duke thënë se partia fituese e zgjedhjeve është përgjegjëse për krijimin e institucioneve.
Haradinaj tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është kontaktuar nga askush dhe nuk është pjesë e asnjë negociate me Vetëvendosjen ose Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Në sistemin tonë parlamentar partia fituese mbahet përgjegjëse për krijimin e institucioneve”, tha Haradinaj, duke shtuar se dy herë ka formuar qeverinë dhe nuk ka qenë proces i lehtë.
Ai tha se ende kritikohet për qeverinë e madhe dhe numrin e zëvendësministrave, por sipas tij, nuk ka qenë e lehtë ta sigurojë shumicën për qeverisje.
Kryetari i AAK-së tha se ata si parti nuk munden me kërku takim as me LVV dhe as me LDK, pasi sipas tij, praktika është që partia fituese e zgjedhjeve t’i thirr partitë në takime, pastaj partitë vendosin nëse duan të shkojnë ose jo.
Haradinaj, duke folur për zhvillimet aktuale dhe çështjen e mandatarit tha se nuk mundet partia e dytë ta krijojë qeverinë, derisa nuk ka situatë të re.
“I pari krijon qeverinë tash për tash, derisa nuk ka situatë të re…”, tha ai.