
Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj në një intervistë për Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, duke komentuar letërkëmbimin Thaçi-Rasmussen të cilën e bëri publike kryeministri Albin Kurti, tha se ai do ta përkrahte shkarkimin e presidentit Thaçi.
“Unë jam për me shkarkua Thaçin sot, por edhe Kurtin. Me shkarku Presidentin sot dhe me çu edhe Kurtin në zgjedhje”, tha Haradinaj.
Haradinaj shtoi se qasja e Kurtit është e dëmshme për vendin, duke e quajtur atë mashtrues.
“Qasja e Kurtit është e dëmshme për vendin, është mashtrues dhe po shkon në drejtim të gabuar. Cilit Kurt mi besua atij që e shpallke tradhtar të kombit Shpend Ahmetin pse ia jepte dorën Hashim Thaçit, a Kurtit që i thotë Thaçit po i bashkojmë potencialet patriotike dhe intelektuale. Ndryshimet e qëndrimeve të tij 100% e bëjnë atë mashtrues”, tha Haradinaj.
Duke folur për shkarkimet nga Qeveria Kurti, Haradinaj tha se “ka plot që e meritojnë me u shkarkua, por ka edhe të atillë që janë profesionistë”.
Më tej Haradinaj shtoi se e ka mirëpritur zvogëlimin e Qeverisë.