Përndryshe në tallava politikën kosovare, çmimet presidenciale dhe këto të “Skënderbeut” fatkeqësisht në masën më të madhe janë dhënë pa kurrfarë kriteri, vetëm për ndonjë dëgjueshmëri të skajshme, blerje e heshtjes e kështu me radhë. E çka tjetër pritet në Cubistan, në shtetin e kapur nga cubat e staneve. Nëse mendoni se unë ndiej kënaqësi pse shprehem në këtë mënyrë, e keni shumë gabim.
Shkruan: Asdren Rrahmani
Faktin se java kalon aq shpejt tashmë e dini ju edhe më mirë se unë, duke pritur se çfarë risish sjellin kabllogramet e mia diplomatike këtë javë në shënimet e radhës në ditarin tim.
Në fakt, nëse e kujtoni filmin “Groundhog Day” me aktorin amerikan Bill Murray do ta kuptoni edhe atë se çfarë dëshiroj që t’ju shpalos në ditarin tim. Në ngjarjen e filmit, e alarmit në orën/radion për zgjim nga gjumi i tij e deri në momentin kur ai bie në gjumë. Me vetë faktin e përsëritjes së secilit detaj nga dita e njëjtë ai ishte në gjendje të dinte saktësisht së çka do të ndodhte në secilin hap që ai do të hidhte. Mirëpo çfarë të mire kishte ajo gjë!? Ajo ditë do të përsëritej të nesërmen me të njëjtin detaj dhe ngjarje. Kjo për pak sa dikur nuk e sjell në çmenduri protagonistin e këtij filmi.
Edhe unë zgjohem në të njëjtën rutinë pothuajse çdo ditë. Hap Facebookun. Fytyra e parë që do ta shoh do të jetë ajo e Bilall Sherifit në ndonjë konferencë për media të NISMA-s dhe sqarimin se si NISMA e ka kaluar pragun zgjedhor dhe do të jetë pjesë e Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Pastaj do të dalë lajmi se PZAP-ja sjell vendim për mosnumërimin e votave të diasporës. Kjo do të pasohet nga një status thumbues i Lutfi Hazirit ndaj partnerit të tyre potencial të koalicionit, Vetëvendosje. Kabllogrami që do ta pasojë këtë do të jetë ankesa e Vetëvendosjes në Gjykatën Supreme mbi vendimin e PZAP-së. Më vonë në mbrëmje do ta shoh Fatmir Limajn në studion televizive duke u ankuar mbi procesin zgjedhor dhe “shkeljet flagrante” të këtyre zgjedhjeve me anën e votave “kontaminuese” të sjella nga Serbia.
E gjitha kjo më përsëritet secilën ditë me të njëjtin skenar. Nuk mund të jetë “Groundhog Day” mendova në vete. Ai ishte vetëm një film i sajuar nga skenaristët e Hollywoodit. Mirëpo gjendja faktike më thoshte diçka tjetër.
Bilall Sherifi, PZAP, Lutfi Haziri, Vetëvendosje, Fatmir Limaj. Më solli buzë greminës së çmendurisë. Më duhej të gjeja fakte se nuk ishte duke më ndodhur “Groundhog Day”. Më duhej ta gjeja një detaj, i cili do të më bindte se nuk isha duke e përjetuar të njëjtën ditë sërish secilën herë.
Si edhe çdoherë tjetër, problematikës do t’i qasesha në mënyrë empirike të matshme. Do të mbaja shënime të secilës ngjarje. Ato vazhdonin që të përsëriteshin. Por natyra ime për sensin e zhvilluar mbi detajet gjithmonë triumfon. Edhe kësaj radhe ajo nuk më tradhtoi. Bilall Sherifi, PZAP, Lutfi Haziri, Vetëvendosje, Fatmir Limaj. Detaji që e bëri dallimin, ishte se pas secilës ankesë të Vetëvendosjes në Gjykatën Supreme vinte një vendim i saj për hapjen e një numri të caktuar zarfesh/kutish me vota, dhe secilën herë që ato po numëroheshin Vetëvendosjes vinte duke iu shtuar nga një deputet në Kuvendin e Kosovës. Filloi me 30, ditën tjetër me 31, të nesërmen me 32.
Këtu e kuptova se unë nuk po e përjetoja “Groundhog Day”, në fakt ishte një zhvillim real dhe normal i jetës sime.
T’ju them të drejtën kam pak problem me kuptimin e insistimit aq të madh të NISMA-s për votat e sjella nga Serbia dhe mospranimin e këtyre votave nga ana e tyre, e që si rezultat këtyre do t’ua mundësonte hyrjen në Kuvend. Në parim ata mund të kenë të drejtë, mirëpo pse kjo drejtësi kërkohet tani kur kështu ka kohë që është votuar? A nuk ishte edhe NISMA njëra nga partitë e legjislativit të kaluar të cilat në Kuvendin e Kosovës pritën me orë të tëra deputetët e Listës Serbe të zgjedhur në të njëjtën mënyrë të votave dhe tani që të formonin Qeverinë së bashku.
Epo zotëri Limaj keni pasur mundësi që të insistonit në ndryshimin e ligjit zgjedhor që atëherë dhe tani nuk do të ishin këto probleme. Por ato vota nuk ju prekën juve, në fakt ju ndihmuan që ta merrnit Listën Serbe në gjirin e mega-koalicionit tuaj për formimin e Qeverisë. Aq sa i përket konsistencës tuaj në kërkim të legjitimitetit. Sa më përket mua, ju dëshiroj qëndrim të përhershëm jashtë pragut zgjedhor dhe kurrë më mos jua pafshim surratin në politikëbërjen kosovare ty dhe sojit tënd. Kjo ishte dëshirë e imja, mirëpo juve ju kisha këshilluar që ta lejoni Qeverinë e re që të propozojë ndryshimet në ligjin zgjedhor dhe të cilat do t’i evitonin shumë mAngësi të evidentuara deri më tani. Ju do të mund të garoni në një garë të radhës, fer dhe të hapur (me pretekstin se do të ekzistoni ende si parti politike deri më atëherë).
Kabllogrami diplomatik i radhës paksa më zuri ashtu të papërgatitur. Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Shpend Maxhuni, kishte dhënë dorëheqje. Qeveria ende larg formimit, por hallkat e para të kapjes së shtetit veçse kanë filluar të çkapen. E kur atë dorëheqje e bën kryespiuni, a mund të jetë ky një ogur i mirë se ai është në dijeni të diçkafit e shumë shpejt do të shohim edhe shumë shokë të tij t’i bashkëngjiten atij me dorëheqjet e tyre.
Dorëheqjes së tij shije të hidhur i la kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, i cili e dekoroi atë me çmimin “Skënderbeu”!? Se për çka, qysh e tek, atë vetëm Ramushi e di, ndërsa se a ka të drejtë ligjore që si kryeministër i dorëhequr ta dekorojë drejtorin e dorëhequr, kjo po që është një pyetje shumë legjitime. Analogjia më e përafërt do të ishte sikur dikush i cili dorëzohet në gjysmën e maratonës ta dekorojë dikë, i cili është rrëzuar në çerekun e saj.
Përndryshe në tallava politikën kosovare, çmimet presidenciale dhe këto të “Skënderbeut” fatkeqësisht në masën më të madhe janë dhënë pa kurrfarë kriteri, vetëm për ndonjë dëgjueshmëri të skajshme, blerje e heshtjes e kështu me radhë. E çka tjetër pritet në Cubistan, në shtetin e kapur nga cubat e staneve. Nëse mendoni se unë ndiej kënaqësi pse shprehem në këtë mënyrë, e keni shumë gabim. Shumë më me dëshirë do të dëshiroja që për këto personazhe të kisha argumente që të shkruaja në superlativ, mirëpo unë nuk disponoj me të tilla, ndërsa ato me të cilat disponoj nuk më lejojnë që t’i quaj ndryshe apo të krijoj mite të paqena për ta. Atë nuk ua kam për borxh, edhe fundja në një borxh të tillë as që do të mund që të më fusnin. Çështje integriteti kjo.
Ramush Haradinaj nuk ktheu përgjigje në pyetjen e gazetarëve se me çfarë kriteri ishin ndarë 70.000 euro për të intervistuarit në Gjykatën Speciale. Dikush kishte marrë 40.000, e dikush 10.000. Ramushi heshti, sepse përndryshe do ta thoshte atë që e ka thënë edhe disa herë të tjera: “kam vendosë, sepse kom mujtë edhe kom dashtë”.
Puna kolosale e cila e pret Qeverinë e re në fillimin e çkapjes së këtij sistemi shtetëror në secilën pore të saj nga matrapazët mafiozë, të cilëve tashmë forca politike dhe e pushtetit po u rrëshqet nga duart, do të kërkojë kohë, energji, determinim dhe bashkëpunim të të gjithë qytetarëve, që më në fund të fillohet të ndërtohet një Kosovë e drejtë për të gjithë, një Kosovë e meritokracisë, jo e fëmijëve të privilegjuar, dhëndurëve, baxhanakëve, balldëzkave, servilëve e dashnoreve. Kjo do të jetë koha e fundit që ne të ngjitemi në vagonin e fundit të trenit të quajtur shtetndërtim. E kam shkruar edhe shumë herë më parë, Kosova nuk ka kohë dhe 20 vjetët e humbur ose thënë ndryshe 20 vjetët e vetëshkatërrimit tonë si shoqëri e pasluftës do t’i bartin pasojat e veta edhe për një kohë të gjatë.
P. S. Albin, çka po bën, qysh je, a po lodhesh? Muaji im i mjaltit me ty po shkon për mrekulli, por unë me padurim e pres që ti t’i përvishesh punës, të përvjelësh mangët dhe të punosh për përmbushjen e premtimeve dhe përkushtimin e personalitetit tënd për përafrimin e platformave partiake ndërmjet partnerëve potencialë të koalicionit pranë Qeverisë së re të Kosovës. Punë të mbarë!
Discussion about this post