Duke përmendur burime ushtarake, disa media greke raportuan se ushtria greke është në gatishmëri të lartë dhe janë anuluar mungesat me leje për ushtarët
Vendimi i Turqisë për të shpallur eksplorime të reja ka ngritur sot alarmin në Mesdheun Lindor në Greqi përderisa Athina u përgjigj me njoftimin e vet dhe duke e vënë në gatishmëri marinën e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas NAVTEX-it (teleksi navigues) të Turqisë për eksplorimin, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë lëshoi një deklaratë duke i kërkuar Turqisë të përfundojë aktivitetet e saj në jug të ishullit Meis (Kastellorizo) në Egje, ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Qeverisë.
Sipas një kumtese nga Kryeministria e Greqisë, Mitsotakis gjithashtu realizoi një telefonatë me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel për të diskutuar zhvillimet e fundit në rajon, si dhe marrëveshjen e diskutueshme të kufirit detar mes Greqisë dhe Egjiptit të javës së kaluar, ndërsa është paraparë edhe një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ndërkohë, duke përmendur burime ushtarake, disa media greke raportuan se ushtria greke është në gatishmëri të lartë dhe janë anuluar mungesat me leje për ushtarët.
Ministri i Punëve të Jashtme të Qiprios Greke, Nikos Christodoulides, zhvilloi sot një bisedë telefonike me homologët e tij grek dhe egjiptian për të diskutuar zhvillimet e fundit.
Duke i dhënë një mbulim të gjerë në lajme, mediat në Qipron Greke njoftuan se veprimet e fundit mund të krijojë tensione midis Greqisë dhe Turqisë.
Mediat gjithashtu raportuan për komentet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan të bëra më 7 gusht ku ai akuzon Greqinë se ka dështuar të përmbushë premtimet e saj dhe njoftimin se Turqia do të rifillojë kërkimet e energjisë në rajon.
Si pjesë e aktiviteteve të kërkimit të hidrokarbureve të vendit, Turqia njoftoi përmes NAVTEX aktivitetin e ri të kërkimit sizmik të anijes kërkimore sizmike MTA Oruç Reis në Mesdheun Lindor duke filluar nga sot.
“Anija jonë për Kërkime Sizmike MTA Oruç Reis u nis nga Antalya për misionin e saj të ri në Mesdhe dhe arriti në zonën ku do të punojë. 83 milionë janë pas teje, Oruç Reis”, tha ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Fatih Dönmez.
Anija Oruç Reis, së bashku me anijet Ataman dhe Cengiz Han, do të vazhdojnë aktivitetet sizmike në Mesdheun Lindor deri më 23 gusht.
Muajin e kaluar, pasi Athina kundërshtoi studimin sizmik të bërë nga Ankaraja zyrtare në një zonë në jug të ishullit Meis, ose Kastellorizo, përpjekjet diplomatike gjermane ndihmuan në zbutjen e tensionit midis Turqisë dhe Greqisë.
Mirëpo, tension midis dy fqinjëve ka ringjallur veprimi i diskutueshëm i Greqisë javën e kaluar për të nënshkruar një marrëveshje të diskutueshme për caktimin e kufijve detar me Egjiptin, për të cilën Turqia thotë se shkel shelfin e saj kontinental dhe të drejtat detare.
Ankaraja ka akuzuar prej kohësh Greqinë për ndjekjen e politikave maksimiste në Mesdheun Lindor dhe ka theksuar se pretendimet e saj detare shkelin të drejtat sovrane të Turqisë.
Turqia, si një shtet garantues i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës greke qipriote në Mesdheun Lindor, duke pohuar se edhe TRNC po ashtu ka të drejta mbi burimet në këtë zonë.