I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, do të japë dorëheqje nga posti i tij si ambasador në Gjermani. Pasardhësi i Grenell si ambasador i SHBA’së në Gjermani pritet të jetë John Ratcliffe
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në rrjetin social Twitter nga gazetari i Daily Wire, Ryan Saavedra.
“Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Richard Grenell, e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë se ai do të japë dorëheqje nga pozita e ambasadorit amerikan në Gjermani sapo John Ratcliffe të konfirmohet nga Senati në këtë pozitë”, ka shkruar Saavedra.
Ndërkaq postimin e Saavedras në Twitter, e ka shpërndarë edhe djali i presidentit Trump, i cili e ka falënderuar Grenellin për kontributin e tij.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump kishte emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani Richard Grenell si Drejtor në detyrë të Zbulimit Kombëtar.
Richard Grenell është i dërguar i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë Serbi.
Njeriu më i fuqishëm i botës, Donald Trump, kishte thënë se do të emërojë një ambasador të ri në Berlin pasi Grenell është emëruar Shef i Agjencive të Sigurisë Kombëtare në SHBA.
“Do ta emëroj një ambasador në Gjermani”, iu ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për një udhëtim në Indi.
Derisa ishte ambasador në Gjermani, Grenell ishte emëruar i dërguari i posaçëm i SHBA’së për bisedimet Kosovë – Serbi.
Trump pati deklaruar se ka në mendje pesë kandidatë për pozitën e shefit të inteligjencës amerikane, njëri prej të cilëve do të bëhet drejtor i përgjithshëm.
“Në një të ardhme jo edhe aq të largët, do t’i bëjmë të ditur emrat e këtyre kandidatëve”, ka thënë Trump.