Beogradin e ka shqetësuar njoftimi për marrëveshjen midis Shqipërisë e Kosovës për themelimin e Bllokut të përbashkët Rregullues të sistemeve energjetike të tyre. Ai nuk ka nguruar ta quaj “Shqipëria e madhe energjetike”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se “Shqipëria e madhe energjetike” ekziston vetëm “në ëndrrat shoviniste” të disa politikanëve në Prishtinë, raportojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.
Sipas Gjuriqit, Serbia është pronare dhe ndërtuese e elektrorrjetit në Kosovë, për çka, sipas tij, ka dëshmi të panumërta.
“Në saje të angazhimit të Rrjetit Energjetik të Serbisë (EMS), dhe Elektroekonomisë së Serbisë si dhe të institucioneve përkatëse gjatë viteve të shkuara është penguar dhe ndaluar anëtarësimi i operatorit të Prishtinës i cili ilegalisht shfrytëzon një pjesë të rrjetit tonë në Kosovë në ENTSOE, ndërsa paralajmërimi për krijimin e Shqipërisë së madhe energjetike zbulon fytyrën e vërtetë shoviniste të politikës së Prishtinës”, citojnë mediat serbe komunikatën e Zyrës së Marko Gjuriqit.
Ai shton se Blloku është i pazbatueshëm në terren dhe ai duhet të ndalet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare para se të prodhojë pasoja për energjetikën rajonale, madje edhe për stabilitetin politik dhe vulos perspektivën e dialogut, transmeton Koha.net.
Serbia, duke penguar shfrytëzimin e interkonjeksionit midis Kosovës e Shqipërisë dhe anëtarësimin e Kosovës në ENTSOE pa asnjë kontribut të saj ka arkëtuar miliona euro nga vendi ynë.
Discussion about this post