Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, sipas bordit editorial të Gazetës Express, janë dy kandidatët më të mirë për kryeministër që qytetarët mund t’i votojnë në këto zgjedhje. Sigurisht që edhe LDK-së dhe LVV-së mund t’i gjejmë shumë elemente dekurajuese. Mirëpo, meqë është e pamundur që të votohet njëkohësisht për dy parti politike, për dy kandidatë për kryeministër, bordi editorial i Gazetës Express beson që për periudhën kohore në të cilën gjendet shteti ynë, Vjosa Osmani do të ishte kandidate më e mirë për kryeministre të vendit.
Editorial
Tashmë ka kaluar një kohë e gjatë që nga çlirimi i vendit. Ata që lindën në ato vite tash janë studentë ose të papunë, ata që ishin fëmijë janë bërë burra dhe gra, kurse burrat dhe gratë janë bërë pleq dhe plaka. Një numër i madh i të gjithë këtyre bashkë sot janë duke e pritur në ethe një përgjigje për aplikimin për vizë të punës për ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian.
Në vendin tonë ka ndodhur shumëçka në këto 20 vjet. Shumë ujë ka kaluar nën urë. Kanë qenë UNMIK-u dhe EULEX-i dhe bashkë me këto misione edhe administratorë dhe shefa zyrash. Gjatë kësaj periudhe kohore kanë ardhur dhe kanë shkuar komandantë të ndryshëm të KFOR-it. Qindra ambasadorë vendesh të KUINT-it erdhën këtu te ne, na ligjëruan çka është demokracia, na mësuan se çka është ekonomia e lirë e tregut, na mësuan edhe se si luftohet por edhe si kultivohet korrupsioni. Janë krijuar gjykata speciale dhe jospeciale për luftimin e krimit dhe korrupsionit, por krimi dhe korrupsioni nuk janë luftuar. Madje, sa më e madhe zhurma për luftimin e tij, ai vetëm sa është forcuar dhe etabluar. Në institucionin më të lartë të Republikës së Kosovës, në Kuvendin e Kosovës, aty ku supozohet që të nisë lufta kundër të keqes, numri i keqbërësve ka ardhur duke u rritur.
Prandaj pyetja që shtrohet dy ditë para ditës kur qytetarët e ndajnë drejtësinë, është kjo: A mundet një kriminel ta luftojë krimin? A mundet një i korruptuar ta luftojë korrupsionin? A mundet një analfabet ta përmirësojë arsimin? Këtu mund të rendisim edhe shumë “A mundet?” të tjera, mirëpo për secilën prej tyre do të marrim një “Jo, nuk mundet!”.
Albert Einstein ka thënë “problemet nuk mund të zgjidhen me të njëjtën formë të të menduarit me të cilën ne i kemi krijuar ato”. Ne nuk do të duhej t’ia besojmë zgjidhjen e problemeve në arsim atij që i ka krijuar ato; nuk do të duhej të presim që shëndetësinë ta rregullojë ai që e ka shkatërruar atë; e nuk duhet të presim që ta bëjë Kosovën një vend të përshtatshëm për investime në fushën ekonomike, ai i cili ekonominë e sheh vetëm nga prizmi i ngushtë i korrupsionit. Shteti nuk do të duhej të përdorej për eksperimente. Vitet kalojnë, Kosova po zbrazet, kurse ne kemi ngelur duke u ricikluar. Në çdo palë zgjedhje, të njëjtit vijnë me slogane kreative, sa për të shitur mjegull për disa javë fushatë zgjedhore, për t’u rikthyer në pushtet me pasion shumë më të madh sesa në mandatin pararendës për të zhvatur dhe shkatërruar. Kurse, votuesi duke e toleruar një gjë të tillë nga viktimë shndërrohet në bashkëpjesëmarrës në krim.
Në mars të vitit 1989 janë mbushur 30 vjet prej kur Kosovës Serbia ia kishte rrëmbyer autonominë që e gëzonte nën Jugosllavinë e Titos. Kosova ishte detyruar të bëhej pjesë e shtetit të sllavëve të jugut në mënyrë të dhunshme. Prelud i kësaj bashkëjetese kishin qenë masakrat e pafundme, dhuna dhe burgosjet politike. Një popull ishte detyruar të bëhej pjesë e një eksperimenti dhe inxhinieringu social. Bota kishte qenë shumë më ndryshe në atë kohë. Shumë pak mund të bëhej për ta ndryshuar atë realitet. Prandaj prindërit tanë e kishin bërë të pamundurën që të arrihej çfarëdo gjëje që do të mundë të arrihej nën atë okupim. Duke i gjetur forcat e fundit brenda vetes, duke i lënë anash ndarjet farefisnore dhe rajonale, kosovarët ishin bashkuar për të ecur përpara. E kishin krijuar universitetin e tyre, i kishin hapur shkollat anekënd, e kishin përmirësuar infrastrukturën dhe shëndetësinë. Prej një kategorie të rendit të dytë, prej një qytetari që endet rrugëve të Beogradit me sëpatë dhe sharrë në dorë, duke kërkuar që ta nxjerrë ditën me punë fizike, shqiptari, në fund të viteve të ‘80-ta, erdhi e u bë simboli i demokracisë në Evropën Juglindore. Nga një qytetar që e mbante, siç thoshin me tallje fqinjët tanë veriorë, “një gips në kokë”, u bë një që ia dha besimin një intelektuali të përmasave evropiane dhe botërore, siç ishte Ibrahim Rugova, për t’u prirë përpjekjeve për liri. Zhvillimi i shoqërisë ishte i prekshëm. Për 40 vjet jetesë të imponuar në Jugosllavi, megjithatë, paraardhësit tanë kishin arritur që t’i ndanin mirë rolet. Bujku kishte vendosur që ta punonte tokën, minatori të futej thellë nën dhe në vendin e tij të punës, keqbërësi dërgohej në burg, kurse kirurgu më i mirë në sallën e operacionit. Shqiptarët kishin filluar ta kapin hapin me shoqëritë e tjera evropiane, duke i lënë pas vetes në emancipim fqinjët e tyre shovinistë. Një shoqëri që pas Luftës së Dytë Botërore ishte tmerrësisht patriarkale, në vitin 1989 e brohoriste në sheshin qendror të Prishtinës emrin e një gruaje, siç ishte rasti me Kaqusha Jasharin. Elita politike e Prishtinës, pa kurrfarë detyrimi nga standardet e Bashkimit Evropian, përbëhej nga gratë dhe nënat tona. Jo vetëm Kaqusha Jashari, ishte Luljeta Pula Beqiri, ishte Edita Tahiri, ishte Edi Shukriu, ishin shumë e shumë gra të tjera të fuqishme, që bashkë me burrat po luftonin për liri, demokraci dhe pavarësi. Derisa në vitin 1945 udhëheqës kryesor i fshatit dhe lagjes së qytetit konsiderohej hoxha ose prifti, në vitin 1989 ky epitet i takonte mësuesit, mjekut, profesorit, filozofit dhe sociologut. Shoqëria kishte arritur të sekularizohej me shpejtësi të paimagjinueshme. Ky trend kishte vazhduar edhe përgjatë 10 viteve të okupimit. Të gjithë po luftonin, kushdo me çfarëdo gjëje që kishte në dispozicion, për ta fituar lirinë, për ta çliruar vendin nga pushtimi, në mënyrë që rruga e zhvillimit dhe emancipimit të ishte më e lehtë dhe të gjithë ne të kishim rezultate shumë më të mira. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. U treguam të pavëmendshëm në momentin kur e fituam lirinë. Nuk e kishim marrë seriozisht paralajmërimin e Faik Konicës që “armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët”. Kështu, në këto 20 vjet, sikur në rastin kurioz të Benjamin Button, në filluam të riktheheshim prapa, duke shkuar të sigurt atje ku kishim qenë në vitin 1945: drejt patriarkalizmit dhe krahinorizmit. Religjioni filloi ta zëvendësojë shkencën. I padituri të diturin. Bujku filloi të merrej me politikë, kurse minatorët ngelën të papunë. Rinia në rrugë. Të gjithë në radhë për një vizë në Perëndim. Institucionet e pushtuara prej atyre që kanë më shumë banditë në dispozicion. E gjithë kjo maskaradë, i gjithë ky regres, shitet si zhvillim dhe shitet si progres në çdo palë zgjedhje, duke e kamufluar atë me fushata të shtrenjta zgjedhore, falë miliona eurove të vjedhura në qeverisje.
Prandaj ka ardhur dita për të besuar në fuqinë tonë të brendshme. Ka ardhur dita për të besuar se ne nuk jemi kaq të dobët sa po tregohemi në praktikë, por që thjesht e kemi pasur një 20 vjetësh të ligë dhe të pafat. Alternativat janë më të qarta se kurrë më parë. Në njërën anë i kemi kandidatët për kryeministër që e kishin rastin e tyre, por që dështuan, dhe në anën tjetër i kemi dy kandidatë të tjerë për kryeministër që janë simbol i ndryshimit radikal. Nëse jemi të prirë për relativizim të së keqes, mund të gjejmë edhe brenda LDK-së dhe LVV-së elemente dekurajuese. Qoftë në formën e kapjes së shtetit, ose në formën e mohimit të shtetit. Mirëpo, këto episode janë pakrahasimisht më beninje sesa ata që gjenden në anën tjetër të spektrit politik.
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, sipas bordit editorial të Gazetës Express, janë dy kandidatët më të mirë për kryeministër që qytetarët mund t’i votojnë në këto zgjedhje. Brenda LDK-së mund të gjejmë shumë elemente dekurajuese, sikurse mund të gjejmë edhe brenda historikut të rritjes dhe zhvillimit të Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy subjekte jo rrallë kanë pasur periudha dëshpëruese. Dikush duke qeverisur me PDK-në, duke u bërë pjesë e të keqes, e dikush tjetër duke luftuar kundër shtetit të Kosovës. Mirëpo, zhvillimet e muajve të fundit, ndryshimet që këto dy subjekte politike i kanë bërë, transformimi pozitiv i tyre, krahasimi i tyre me të tjerët, nuk mundësojnë shumë hapësirë manovruese. Përkundrazi, nisur edhe nga fushata zgjedhore, qytetarët e vendit duhet të ndihen me fat për mundësitë që i kanë në këto zgjedhje. Në fletën e tyre të votimit gjenden dy figura të pakorruptuara, dy figura me një formim intelektual mbresëlënës. Mirëpo, meqë është e pamundur që të votohet njëkohësisht për dy parti politike, për dy kandidatë për kryeministër, bordi editorial i Gazetës Express beson që për periudhën kohore në të cilën gjendet shteti ynë, Vjosa Osmani do të ishte kandidate më e mirë për kryeministre të vendit. Rruga e saj politike, lufta e saj e brendshme, mbijetesa e saj në një ambient krejtësisht të papërshtatshëm, flasin mjaft për karakterin politik të saj. Të fitosh nominimin për të qenë kryeministre e ardhshme e Kosovës, në një parti të komplikuar siç është Lidhja Demokratike e Kosovës është shkollë në vetvete. Balancat brenda këtij subjekti janë të atilla sa shumë të paktë kanë qenë ata që kanë besuar që zonja Osmani do t’ia dalë në këtë betejë. Ajo këtë betejë nuk e fitoi duke pasur pas vetes banda të organizuara, nuk e fitoi as duke shpenzuar miliona euro. Ajo këtë betejë e fitoi duke e vënë në tavolinë personalitetin e saj, duke e vënë në tavolinë CV-në e saj, votat e saj. Lufta dhe fitorja e Vjosa Osmanit brenda LDK-së, zgjedhja e saj kryeministre e ardhshme e Republikës së Kosovës, do të ishin frymëzim i jashtëzakonshëm për qindra-mijëra vajza të shtetit tonë, që ndihen të pabarabarta, me të drejtë, në mesin e burrave të fortë dhe me plot muskuj. Aty ku ekziston vullneti, ekziston edhe mundësia. Fitorja eventuale e saj në këto zgjedhje nuk do të ishte një rrugë e shtruar me lule. Dyshimet që kampet e ndryshme brenda LDK-së do të mundë ta detyronin atë të futej në një koalicion të turpshëm me PDK-në, ose në një koalicion pa LVV-në, nuk janë krejt të pabaza. Një gjë e tillë, nëse do të pranohej nga zonja Osmani do të ishte një tradhti ndaj besimit që asaj i është dhënë. Ajo do të duhej të bënte çdo gjë që të mos i nënshtrohej presionit. Koalicioni i ardhshëm i LDK-së me LVV-në është rruga e vetme përpara.
Në anën tjetër, të gjithë ata që në këto zgjedhje vendosin ta votojnë Albin Kurtin për kryeministër, gjithashtu, nuk do të gabonin. Kosova nuk ka nevojë për ndryshime estetike. Pacienti ka pësuar sulm në zemër, është pothuajse klinikisht i vdekur, prandaj rruga e vetme për ta shpëtuar atë është përmes disa goditjeve të forta në dërrasë të gjoksit.
Më 6 tetor është dita vendimtare e jona.
Discussion about this post