Grupi Parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me gjendjen e rëndë në vend, organizon tryezë diskutimi me përfaqësues nga ekonomia, me bizneset e sektorit privat si punëdhënësit më të mëdhenj në vend.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është në një krizë të rrezikshme.
Në një tryezë me përfaqësuesit e bizneseve, ai tha se mënyra e qeverisjes së kryeministrit Kurti po e rrezikon substancën tonë.
“ Kosova është në një krizë që është e rrezikshme. Ky rrezik nuk është më në parametrat e zakonshëm kur qeverisja nuk është e mirë, por rreziku është se mënyra e qeverisjes është kah e rrezikon edhe substancën e asaj se kush jemi ne, për Republikën në këtë rast. Vlerësoj se Qeveria Kurti e ka zhytur Kosovën dhe ka sjellë vendin në një krizë të thellë edhe rrezikshmëri të lartë. Rrezikshmëria nuk vjen vetëm prej mënyrës se si qeveriset Kosova nga brenda, por edhe nga ajo se si janë përkeqësuar marrëdhëniet me aleatët e Kosovës. Duke parë një gjendje të tillë që po shkon në përkeqësim të mëtejmë, që po i sjellë vështirësi gjithë sektorëve përfshirë ekonominë, ne i kemi propozuar kuvendit edhe një opsion me ndryshuar gjendjen. Kuvendi si shtëpi e popullit, ka disa instrumentet, dhe një nga to më të rëndësishëm që ka demokracia, është mocioni i mosbesimit”, theksoi Haradinaj.
Kryetari AAK-së, ka kërkuar nga opozita që menjëherë t’i mbledhë 40 nënshkrime për të filluar, siç tha ai beteja e mocionit të mosbesimit.
Haradinaj vlerëson sektorin privat si shtyllë e zhvillimit të vendit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin me përfaqësues nga sektori i ekonomisë, ai privat dhe bizneset, ka thënë se ai dhe Aleanca qëndron fuqishëm në mbështetje të tyre.Haradinaj ka shpreh vlerësimin për sektorin privat si shtyllë e zhvillimit të vendit.
“Sot, bashkëbiseduam me përfaqësues të sektorit nga ekonomia, sektorit privat dhe bizneset si punëdhënësit më të mëdhenj në vend, në kuadër të ciklit të diskutimeve me përfaqësues nga sektorë të ndryshëm. Në tryezë shpreha vlerësimin e lartë për sektorin privat, si shtyllë e zhvillimit të vendit dhe adresimit të problemit kryesor, punësimit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se qasja ndëshkuese dhe armiqësore e qeverisë ndaj sektorit privat, ka sjellë ekonominë buzë kolapsit.
“Ishte dakordim i përbashkët që klima për zhvillimin ekonomik dhe të bërit është përkeqësuar skajshmërisht gjatë kësaj qeverie. Jostabiliteti politik, mungesa e një oferte konkrete për investime të huaja, procedurat e shumta burokratike, bllokimi i investimeve kapitale dhe qasja ndëshkuese dhe armiqësore e qeverisë ndaj sektorit privat, ka sjellur ekonominë buzë kolapsit”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se AAK qëndron fuqishëm krah sipërmarrësve. “Aleanca qëndron fuqishëm krah sipërmarrësve. Ne, besojmë se sektori privat si kontribuuesit më të mëdhenj në arkën e shtetit dhe rritjen e punësimit, meriton trajtim të veçantë. Ne besojmë që është urgjencë kombëtare që kjo qeveri degraduese sa më parë të largohet, në menyrë që Kosova t’i kthehet prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik”, ka përfunduar Haradinaj.
Pas takimit, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se Qeveria nuk po merret me kërkesat e sektorit privat. Sipas tij, nga diaspora ka interesim për investim, por që nuk po u ofrohen kushtet atyre.
Tahiri thekson se një mori e ligjeve janë anti-Kushtetuese dhe se qasja e kësaj Qeverie ai po e konsideron si më të dobëtën në histori.