Qytetarët e Kosovës nga nesër,1 janar, do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të Zonës Shengen deri në 90 ditë brenda periudhës prej 180-ditësh.
E duket se kosovarët e kanë pritur gjatë këtë të drejtë të mohuar padrejtësisht ndër vite, shkruan lajmi.net.
Kjo merr fund me ditën e parë të vitit 2024, ku janë planifikuar udhëtime në numër të madh.
Në faqen e aeroportit “Adem Jashari”, bëhet e ditur se janë planifikuar 31 fluturime vetëm për nesër.
Fluturimi i parë do të jetë në qytetin e Vjenës, ku vet kryeministri Albin Kurti e ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, do t’i përcjellin këta qytetarë, e më pas do të mbajnë konferencë për medie.
Udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turistë, por edhe t’i vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm. Një qytetar mund të qëndrojë 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Zonës Shengen./Gazeta Mejdani/