Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pasi bëri homazhe të shtatorja e heroit kombëtar, Zahir Pajazit, foli para medieve.
Ai tha se Kosova duhet të jetë e gatshme për çfarëdo thirrje që bën SHBA-ja për rifillimin e dialogut me Serbinë, raporton lajmi.net.
Lexo edhe:
I pyetur rreth deklaratës së kryeministrit Avdullah Hoti, se kryeministri do ta udhëheq dialogun, presidenti tha se ai është përfaqësues i vendit dhe nuk ka asnjë dilemë se kush do të udhëheq ketë proces.
“Do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitim të qytetarëve të Kosovës. Duhet të kete energji pozitive nuk jemi në garë. Presidenti përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, kompetencat janë të qarta nuk ka asnjë dilemë se kush duhet të udhëheqë dialogun”, ka thënë Thaçi.
Mes tjerash, ai ka theksuar se Kosova duhet të veprojë sa më e bashkuar, asnjë nuk mund ta individualizoj dhe personalizojë çështjet e rëndësishme të vendit.
Hoti tha dje në Akademinë e Shkencave duke shpalosur platformën e Qeverisë për dialogun se këtë proces do të zhvillojë ai.
“Dialogun e udhëheq kryeministri i vendit. S’do të bëjë garë, sepse kompetencat e mija janë të qarta për procesin e dialogut”, tha Hoti.
Ai tha se integriteti territorial është i panegociueshëm dhe se marrëveshja duhet të jetë në frymën e kushtetutës.
Hoti tha se ka një dakordim me partnerët ndërkombëtarë që të heqin pengesat për dialog, por shtoi se nëse brenda një periudhe kohore nuk arrihet sukses mund të rivendoset reciprociteti.