Një familjar i viktimës Lulzim Spahiu, i vrarë mëngjesin e sotëm, i ka rrëfyer Kohës Ditore versionin e tyre të ngjarjes.
Shehad Spahiu ka deklaruar se viktima nuk kishte njohje të mëhershme me policin që kreu vrasjen.
“Në bazë të informatave që kemi, ato informata janë jozyrtare, rasti ka ndodhur shkaku i aksidentit. Me atë polic nuk janë njohur dhe nuk kanë pas probleme. I ndjeri u kon duke shku në Prizren me kamion për me i shit do gjedhe, se në këtë mënyrë ka mbijetu. Në rrugën qarkore të Gjilanit janë aksidentu. Edhe ai polici ka dal ka shti në të ndjerin i cili ka qenë në kamion”, ka thënë Spaihiu.
I ndjeri, në atë moment po shoqërohej edhe nga djali i tij.
“Kurse djali i të ndjerit i cili ka qenë në kamion së bashku me të ka dal nga kamioni dhe ka ikë për me shpëtu. Djali është 20 vjeçar. Kurse i ndjeri 47 vjeçar. Trupi i të ndjerit është në obduksion”, ka thënë ai.
Familja kërkon drejtësi.
“Kërkojmë zbatimin e ligjit sepse njerëzit po vriten dhe askush nuk po mban burg”, ka thënë ai.
Ndërsa familjarët e tjerë të cilët nuk deshën që të prononcohen me emra po e vlerësojnë se familjari i tyre është ekzekutuar nga polici. Ata kërkojnë nga organet e drejtësisë që rasti të procedohet dhe autori të ndëshkohet.
“Për ne është ekzekutim sepse është qëlluar në një distancë shumë të afërt. Ai e ka pas xhamin e kamionit të hapur dhe ka shti tri herë. Nuk i ka dhanë hapësirë por e ka ekzekutuar. Ne kemi marrë kamionin dhe e kemi pa se brenda ka qenë me gjak. Me vra një njeri në atë mënyrë është ekzekutim”, ka thënë njëri prej familjarëve.
Discussion about this post