Kompania “Artius Group” e udhëhequr nga diplomati kosovar Viktor Mehana është futur në listë të zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për shkak të dyshimeve se e njëjta ka paraqitur dokumente false në dosjen për tenderin që pretendonte ta fitonte.
Tenderi kishte pesë lote dhe peshonte mbi 1 milion euro.
Kompania “Artius Group” së paku për gjashtë muaj nuk mund të aplikojë për marrjen e asnjë tenderi.
Ky biznes që udhëhiqet nga Viktor Mehana, është futur në listë të zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Mehana i cili ushtron detyrën e zyrtarit diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dyshohet se ka tentuar ta mashtrojë shtetin duke paraqitur të dhëna të rreme në aplikimin për një tender të shpallur nga Policia e Kosovës, shkruan Insajderi.
Detyrën e diplomatit ai e mori në korrik të këtij viti. Emërim ky i bërë në ministrinë e udhëhequr nga Behgjet Pacolli.
Lidhjet e Mehanës me politikën nuk janë kaq të vonshme. Ai ka qenë edhe kandidat i PDK-së për asambleistë të Podujevës më 2013 – kohë kjo kur partinë e udhëhiqte Hashim Thaçi.
Por si tentoi Viktor Mehana ta ‘mashtrojë’ shtetin?
Në shtator të vitit të kaluar Policia e kishte hapur një tender për furnizim me pajisje të nevojshme për këtë institucion.
Tenderi peshonte 1 milion e 285 mijë e 648.60 euro, ishte i ndarë në pesë lote dhe aty kishte aplikuar edhe “Artius Group”.
Lotin e parë në shkurt të 2019 e kishte fituar po kjo kompani.
Por, 3 muaj më pas, në maj, e njëjta ishte eliminuar nga tenderi pas një e-maili që kishin pranuar nga kompania kineze prej të cilës edhe kishin kërkuar sqarime për një produkt që “Artius Group” e kishte paraqitur në katalog kur e kishte dorëzuar dosjen tenderit.
Bëhej fjalë për një këllëf të shufrës cili nuk prodhohej nga kompania kineze e cila e kishte autorizuar “Artius Group” për produktet e tyre.
“Kompania CYTAC ka autorizuar tenderuesin “Artius Group” në Prishtinë për produkte të ndryshme, por se këllëfi i shufrës në katalogun e ofruar nga kompania “Artius Group” nuk prodhohet nga CYTAC, si dhe nuk mund ta ofrojmë këtë produkt”, thuhej në përgjigjen e kompanisë kineze drejtuar Policisë, shkruan Insajderi.
Duke parë këto veprime, Policia e Kosovës konsideron se “Artius Group e ka vënë në lajthitje Autoritetin Kontraktues… duke ofruar në katalogun e CYTAC, këllëfin e shufrës i cili nuk prodhohej nga kjo kompani”.
Policia më pas kanë kërkuar që “Artius Group” të futet në listë të zezë.
“Autoritet Kontraktues – Policia e Kosovës, kërkon marrjen e masave eventuale ndaj ‘Artius Group’, konkretisht kërkon që ky operator ekonomik të futet në listë të zezë në kohë të pacaktuar për shkak se i njëjti ka paraqitur të dhëna të rreme, ku kompania prodhuese CYTAC nga Kina nuk e ka furnizuar me artikullin e kërkuar kompaninë Artius Group”, thuhet në kërkesën e Policisë, drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit më 27 shtator 2019, shkruan Insajderi.
Dy muaj më vonë – më 19 nëntor 2019 – OSHP ka vendosur pro kërkesës së PK-së.
“Artius Group… për arsye se ka paraqitur të dhëna të rreme, me ç’rast është vërtetuar se kompania prodhuese CYTAC nga Kina nuk e ka furnizuar kompaninë “Artius Group” me artikullin e kërkuar nga Autoriteti Kontraktues dhe atë për periudhën kohore prej gjashtë muaj, të njëjtit operator ekonomik ju ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik në Republikën e Kosovës që nga data 19. 11.2019 deri më 18.05.2020”, thuhet në vendimin e OSHP-së, shkruan Insajderi.
“Artius Group” mohon akuzat, padit Organin Shqyrtues të Prokurimit
Kompania e udhëhequr nga diplomati Mehana më 4 dhjetor 2019 e ka paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit.
“Organi administrativ – Paneli Shqyrtues i Prokurimit… e ka pranuar si të bazuar kërkesën e Policisë së Kosovës për diskualifikim nga pjesëmarrja në prokurim publik të “Artius Group”, lidhur me aktivitetin “Furnizim me Pajisje Policore”, thuhet në padinë e ushtruar nga Mehana në Gjykatën Themelore të Prishtinë, shkruan Insajderi.
Diplomati kosovar pretendon se ia ka ofruar Policisë katalogun me produktet e kërkuara, por kur CYTAC është pyetur rreth kësaj çështjeje të njëjtit ia kanë përcjell Policisë një katalog tjetër në të cilin nuk ka qenë artikulli i kërkuar nga Autoriteti Kontraktues.
Mehana ka thënë për Insajderin se i gjithë ky proces është manipuluar. I njëjti ka dyshime se edhe biznesmeni kinez është “kërcënuar ose korruptuar”.
“Tendenca ka qenë që unë të largohem nga ky tender, por unë do t’i shkojë çështjes deri në fund”, ka thënë Mehana, shkruan Insajderi.
Ai thotë se i lodhur nga ky rast, po edhe të tjerët si ky e kanë bërë që ta mendojë lënien e biznesit privat.
Tenderët e fituar ndër vite nga kompania e Viktor Mehanës
Mehana mund edhe ta marrë lehtë këtë veprim – pasi që nga korriku i këtij viti merr pagë nga shteti për punën që bën në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Pavarësisht pagës shtetërore dhe problemeve që thotë se ia kanë shkaktuar tenderët – po nga këto procese – Mehana vetëm gjatë vitit 2019 ka fituar rreth 100 mijë euro.
Rreth 200 mijë euro të tjera, i ka marrë përgjatë viteve 2015, 2016, 2017 dhe 2018.
Tenderët me më shumë volum parash, zyrtari i tanishëm i shtetit i ka marrë nga Institucioni i Policisë, saktësisht: 160 mijë e 655.4 euro.
Mehana do të mbahet mend edhe për tenderin e tij të fituar në vitin 2013 po nga Policia.
Atë kohë në pozitën e këshilltarit politik në Ministrinë e Punës e Mirëqenies Sociale, ai fitoi një tender publik vetëm një muaj pas themelimit të kompanisë dhe një vit pasi kishte nisur punën në MPMS.
E themeluar më 3 shtator të 2013-ës, kompania e Mehanës më 2 tetor ë atij viti fitoi dy lote të tenderit të furnizimit me rroba elegante që përfshinin setra, pantallona e këpucë për Policinë e Kosovës. Vlera e përbashkët e dy loteve të fituara ishte mbi 26 mijë euro.
Madje i njëjti atë kohë kishte rënë ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i cili ndalon zyrtarët e lartë që të mbajnë pozita menaxheriale në kompani private.
I njëjti Ligj tash nuk e penalizon atë për mbajtjen e dy pozitave, pasi emërimi e tij në MPJ, zyrtarisht nuk është politik.
Në biografinë e tij shkruan se Mehana ishte bashkëpronar në Qendrën për Aftësim Profesonal “Victoria”, nga viti 2000 deri më 2007. Ndërkohë nga viti 2007 deri në vitin 2010 kaloi në Shoqërinë Aksionare “SËISS – KOSOVA” si Menaxher për Investimet e Jashtme dhe patundshmëritë. Në qershor të vitit 2010 , ai është emëruar drejtor i kompanisë shqiptaro-sllovene “KS-TIM”, funksion të cilin e ushtroi deri në maj të vitit 2011./Insajderi/
Discussion about this post