Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar akuzat e palës serbe ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se po bën shou me aksionet në veri të Kosovës dhe se këtë po e bën në kohën e zgjedhjeve.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, eurodeputetja gjermane ka thënë se aksioni i fundit që u perceptua si një aktivitet parazgjedhor, u përdor për të rritur tensionet. Por, sipas saj, aksioni i fundit i zhvilluar në pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë veriun, kundër kontrabandës, ishte i koordinuar me KFOR-in.
“Meqenëse erdhi vetëm dy ditë para zgjedhjeve, shumë e perceptojnë këtë si pjesë të aktiviteteve parazgjedhore për të rritur tensionet. Nuk më takon mua të spekuloj për të. Fakti është se ne kemi parë rregull të ndryshëm të operacioneve në të gjithë vendin e jo vetëm në veri, se në veri ishte gjykatësi serb ai që udhëhoqi këtë operacion dhe se ai ishte i koordinuar me KFOR-in”, ka deklaruar von Cramon për “Bota sot”.
Ajo ka thënë se presin rezultate nga qeveria aktuale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të mbetet e lartë në agjendën e kësaj qeverie në Kosovë dhe ne presim të shohim rezultate konkrete që do të ndjekin proceset gjyqësore”, është shprehur më tej raportuesja për Kosovën.
Sipas saj, përdorimi disproporcional i forcës, veçanërisht në Zveçan, “është për të ardhur keq”.