Lëvizja për ndryshime tek ne ka marrë dhenë. Kjo lëvizje nuk guxon të kuptohet si iniciativë për interesa të njerëzve të rinj që po vijnë. E as të reflektojë asisoj. Kërkohet ballafaqim serioz me forcat që i kundërshtojnë ndryshimet, sepse, rruga e ndryshimeve është e mbushur me thera. Është e rëndë, e gjatë, shumë dimensionale dhe me plotë lakesa. Ndryshimi është ligj i jetës dhe i natyrës që e ka krijuar Zoti i Madhërishëm. Andaj, as mund të ndalet, as duhet të ndalet.
Shkruan: Dr. Mustafë Bajrami
Mendimi njerëzor përgjatë shekujve të historisë së formësimit të vet, dalëngadalë u zhvillua dhe fitoi variacione të ndryshme në të gjitha rrafshet e tij. Në filozofi kaloi nëpër tunelet e mitologjisë, misticizmit, sofizmit. Më pastaj, i ngjeshur nga mësimet moralo-sociale dhe politike të Sokratit, Platonit dhe Aristotelit kaloi tek Mesjeta ku u ngjyros me bojën e skolastikës e nga andej, në Kohën e Re dhe më tutje, iu shtrua ekspertizave të racionalizmit, spiritualizmit, empirizmit, metafizikës, nominalizmit, pragmatizmit e kriticizmit.
Edhe në politikë pati tundje të mëdha; absolutizmi, autokratia, teokratia, plutokratia, fashizmi, komunizmi, demokracia janë vetëm disa nga “shkollat” nëpër të cilat kaloi mendimi njerëzor. Në letërsi gjithashtu përjetoi transformime. Nga romantizmi, nëpër racionalizëm, pastaj në realizëm e deri sot në format globale të zhvillimit të vet.
S’duhet harruar metamorfozën e mendimit njerëzor edhe në religjion. Nga ateizmi, nëpërmes panteizmit dhe formave tjera të politeizmit, e në fund, duke u ndalë në monoteizëm, ai përjetoi ndryshimet dhe traumat më të mëdha. Falë përpjekjeve të njerëzve me ide dhe vizione të qarta, mendimi njerëzor u kullua nëpër të gjitha sitat e mundshme të zhvillimit të vet. Dhe, për të mbërri deri këtu, u bënë përpjekje të mëdha drejt transformimit të tij në energji kreative dhe nxitëse për aktivitete të gjithmbarshme të shoqërisë njerëzore. Njerëzit që përgatitën terrenin për ndryshime, sakrifikuan gati çdo gjë për të mirën e përgjithshme; këto dhe shumë të tjera, këta njerëz i realizuan pikërisht nëpërmes ndryshimeve. Nëpërmes reformave.
Çmimi i ndryshimit, i reformës, sa është?
Thamë edhe më lartë: Nevoja për ndryshime është ligj jetës dhe i natyrës. Si progres evolutiv që është, përfshinë edhe jetën e shoqërisë njerëzore. Në përgjithësi jeta nuk njeh qetësi. Ajo dhe qetësia janë kontradiktore mes vete. Për sa të vazhdojë jeta, shtohet edhe nevoja për ndryshime dhe reforma. Pa marrë parasysh pengesat e mëdha në rrugën e ndryshimeve, bartësit e ideve të reja bënë të pamundurën që t’i realizojnë ato. Vizionarët e këtij kalibri nuk arriti dot t’i ndalë as inkuizicioni, as nguljet në hu për së gjalli, as varjet publike, as vrasjet e as shpallja për heretikë. Kundërshtarët e ndryshimeve me gjithë ata që kërkojnë kthim prapa, kanë qenë dhe do të jenë shkaktarët kryesorë të stagnimeve dhe përleshjeve të ashpra mes njerëzve. Asnjë fjalë tjetër e dalë nga goja e njeriut nuk pati fat më të keq, por edhe ndikim më të madh në histori, sa pati fjala reformë, ndryshim. Andaj nuk është e çuditshme pse reformatorët janë njerëzit mbi supet e të cilëve u lëshuan torturat më çnjerëzore. Reforma ishte ideali i mendjendriturve, ndërsa për destruktivët dhe konservatorët ajo edhe më tutje nënkupton heretizmin dhe anarkinë. Në rrugën për t’i ndalë reformat, pushtetarët të ndihmuar nga politikanë, intelektualë e dijetarë servilë shtypën mendimin kreativ, dhe si rrjedhojë, u shkaktuan revolucione në të cilët flijuan jetën bijtë më të çmuar të shoqërisë njerëzore.
Shqiptarët, Kosova dhe nevoja për ndryshime
Në rrafshin praktik e konkret, edhe tek ne shqiptarët, në Kosovë gjithashtu, nevoja për ndryshime sa shkon e rritet. Dinamikat e jetës nuk mund të durojnë pafundësisht gjendjen aktuale. Ngurtësia dhe status quo e instaluar deri më tani duhet të tejkalohet. Koha e lypë që të ndërmerren masat e nevojshme për tu tejkaluar kjo gjendje denigruese në teatrin e jetës sonë. Shpjegimi i duhur i nevojës për ndryshime është art në vete, si i tillë, i nevojshëm të dëgjohet sa më shpesh nga masat. Në te duhet të përfshihen të gjitha shtresat e shoqërisë sonë. Sepse fryma që po përhapet është frymë gjithëpopullore.
Shoqëria jonë ka histori të bujshme me emra të mëdhenj dhe të njohur edhe përtej gjeografisë ku jetojmë. Këta emra kanë dhënë kontribute të çmueshme për njerëzimin. Në mesin e tyre ka edhe njerëz të fesë. Nuk duhet shikuar me sy të turbullte kyçjen në politikë të njerëzve që e kuptojnë fenë drejtë dhe dinë ta shpjegojnë me gjuhën dhe parametrat e kohës. Që dinë ta shpjegojnë sidomos segmentin dialektik të saj. Edhe besimtarët në Zot, njerëzit e fesë gjithashtu duhet ta japin kontributin e tyre. Siç e kanë dhënë përgjatë gjithë historisë sonë. Tek e fundit, feja është edhe një institucion më shumë në edukimin dhe emancipimin e shpirtit të njeriut. Po jo i vetmi. Ajo duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta. E këtë radhazi e kam thënë në shkrimet dhe ligjëratat e mia.
Para neve sot është një frymë e re politike që po përhapet dhe po lë gjurmë sidomos tek të rinjtë tanë. Si frymë gjithëpopullore që është, asaj po i bashkohen të gjitha shtresat e shoqërisë sonë. Kjo frymë e re që thërret në ndryshime, po e gjenë vetën tek të gjitha shtresimet shoqërore kosovare. Tek intelektualët dhe tek qytetarët e rëndomtë, tek besimtarët dhe ateistët, tek myslimanët dhe të krishterët, tek shumica dhe pakicat, tek agnostikët dhe gnostikët. Ajo po pranohet me zemër të hapur, sepse njerëzit po duan ndryshime. Të gjithë dhe pa dallime. Jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet shqiptare po kërkohen ndryshime. Po mbështetet kjo frymë gjithëpopullore që ka hedhur rrënjë në Kosovë, ndërsa degët e saj po i përhapë gjithandej ku ka shqiptarë.
Duhet pasur shumë kujdes nga gabimet që mund të bëhen. Pikëpamjet dhe qëndrimet e ngushta, përjashtuese, subjektive dhe një dimensionale mund t’i mjegullojnë vizionet e reja dhe mund t’i topisin ambiciet e njerëzve që duan të jenë aktivë dhe të bereqetshëm për shoqërinë. Botëkuptimet dhe qëndrimet e ngushta janë të dëmshme për shoqërinë tonë. Qofshin ato politike, ideologjike, sociale apo fetare.
Kjo frymë e re në Kosovë që po thërret në ndryshime, në fakt është manifestim i shpresës dhe nevojës së qytetarëve për ta ndjerë veten se munden me qenë të dobishëm për vendin dhe shoqërinë. Qytetarët nuk po e durojnë më atmosferën ku ndjehen se janë vetëm numra. Numra që plotësojnë mozaikun e kërkesave makute të klasës politike të deritanishme. Të kësaj klase politike që refuzon ndryshimet. Që mundohet rrejshëm t’i bindë njerëzit se vetëm ata kanë të drejtë. Se vetëm ata dinë e mundin. Që thonë se duhet ruajtur kjo gjendje, ndërsa e reja na qenkësh e rrezikshme. Se kinse pa ta, shtetësia e Kosovës do të shembej.
Çfarë loje e ndytë kjo me qytetarët! Çfarë mashtrimi i madh po u bëhet njerëzve të këtij vendi!
Nevoja për bashkëpunim të ndërsjellë mes lidershipit dhe qytetarëve
Të jeni të sigurtë. Rimëkëmbja e një shoqërie varet shumë nga puna kreative që del si fryt i harmonisë mes lidershipit të ndërgjegjshëm dhe qytetarëve të vetëdijshëm. Lidershipi si vullneti dhe truri, ndërsa masat si zemra dhe trupi i lëvizjeve shoqërore përbëjnë organizmin funksional të rimëkëmbjes së një shoqërie. Roli i lidershipit është shumë i madh në zhvillime të gjithmbarshme. Pra edhe ekonomike. Politikat që i promovon lidershipi, janë themeli mbi të cilin ndërtohet shpresa reale për ndryshimin e gjendjes në të mirë. Lidershipi e ka “legjitimitetin” e natyrshëm të bëjë revolucion edhe në vetëdijen gjithëpopullore. E ndryshimi i asaj vetëdije fillon me ndryshimin e vetëdijes së individëve veç e veç. Prandaj, puna me njerëz nga të gjitha rrafshet e shoqërisë është mëse e nevojshme. Pa pjesëmarrjen aktive dhe pa mbështetjen qytetare, lidershipi nuk mund të bëjë shumë, sikur që, pa ndihmën e lidershipit, masat mbesin të pakoordinuara. Thënë shkurt, energjia kreative buron në bashkëpunimin mes dy palëve.
Shpresat për të ecë përpara sendërtohet kur masat dhe elitat bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Në të kundërtën, aty nuk ka prosperitet, ndërsa shpresat mbesin vetëm ëndrra që kurrë nuk realizohen. Një shembull i keq është rasti i tanishëm Kosovës. Mbase i gjithë shqiptarëve. Pata shkruar edhe më parë për fatin e dhimbshëm që e gjeti kombin tonë. Ky fat i dhimbshëm u manifestua nëpërmes krijimit të jazeve ndarëse shumë të thella mes lidershipit dhe popullit. Mosbesimi i ndërsjellë mes elitave politike dhe qytetarëve është vrasës i ngadalshëm, por i sigurt. Krijimi i pellgjeve ndarëse mes klasës politike kosovare dhe qytetarëve të saj, ka arritur përmasa të dhimbshme. Njëjtë kështu edhe në Shqipëri dhe andej në Maqedoninë Veriore ku jetojnë shqiptarët. Sot pakkush flet mirë për politikanët e Kosovës. Aq më pak të lavdërohen. Prandaj, edhe më i pakët është numri i njerëzve që ndjejnë dhimbje për gjendjen e tyre. Armiqtë e popullit tonë këtë e dëshirojnë. Ata nuk duan që masat t’i duan të përzgjedhurit politikë të tyre. Armiqtë nuk janë të kënaqur teksa dëgjojnë se si njerëz të tërë po e duan liderin e tanishëm që po thërret në ndryshime. Që po kërkon largimin e kastës së vjetër të politikanëve të korruptuar. Të kësaj kaste dogmatike që me çdo kusht i refuzon ndryshimet. Të kësaj kaste politike e cila me fjalë të thata dhe shterpe mundohet t’i bindë të rinjtë që të shkojnë pas tyre. Se kinse janë zgjidhja më e mirë.
Ta them edhe këtë: Edhe nëse klasa e vjetër politike e thotë këtë për shkak të dashurisë që ka ndaj vendit dhe shoqërisë, kjo dashuri tani më është shndërruar në dashuri patologjike. Sepse mendojnë se vetëm ata dinë ta duan vendin. Prandaj përdorin të gjitha mjetet për t’a ndalë frymën që po kërkon ndryshime. Së këndejmi, dashuria patologjike është shumë e rrezikshme. Ajo i ngulfatë njerëzit përreth. E topitë tehun e vullnetit dhe i çmonton ambiciet e njerëzve që duan të kontribuojnë. Ajo e ngufatë edhe mendimin e lirë. Edhe aktivitetin e gjithmbarshëm. Ajo stopon ndryshimet dhe si e tillë, dëmton interesin e përgjithshëm të vendit dhe të qytetarëve të saj.
Për fat të keq, politika e deritanishme në të shumtën e rasteve kishte rënë në duart e njerëzve që nuk janë në gjendje ta kuptojnë nevojën për të ndryshuar. Së këndejmi, irracionalja zuri vendin e arsyes së shëndoshë ku pastaj u tendosën interesat e shtetit, të shoqërisë dhe të individit. Kjo kategori e njerëzve bënë ‘tregti’ të pështira me fjalë idealiste, e në fakt, idealizimin e kanë mjet për përfitime personale dhe klanore.
Kujdes të shtuar ndaj retorikave të thata dhe mashtruese
Më mbanë shpresa se mendjet e ndritura nuk do të mashtrohen më nga oratoritë e thata të klasës politike të deritanishme. Kapacitetet intelektuale të shoqërisë sonë duhet të lëvizin në drejtim të ndryshimit të gjendjes. Në fakt, ndryshimi veç ka filluar. Shpresojmë se ndryshimet nuk do të ndalen e as do të marrin kahe të gabueshme. Bereqeti i këtij ndryshimi do të shihet dhe do të preket së shpejti. Intelektualet dhe pionierët e progresit janë vënë në shërbim të reformës. Të ndryshimeve.
Dhe për fund. Askush të mos shpresojë se ndryshimi i gjendjes mund të bëhet shpejt si me shkop magjik. Nuk është punë e lehtë. Ka shumë rrafshe që kërkojnë qasje të reja dhe ndërhyrje serioze. Andaj edhe bashkëpunimi dhe bashkërenditja janë mëse të nevojshme. I nevojshëm është sidomos vetëbesimi. Mbështetja e ndërsjellë gjithashtu.
Unë i besoj kësaj fryme të re!
I ftoj edhe të tjerët që t’i besojnë!