Është koha e ndryshimit. Koha e reformave. Urime Kosovës. Qoftë e hajrit Qeveria Kurti!
Shkruan: Mustafa Bajrami
Tani më s’duhet të ketë kthim prapa. As shikim prapa. As biseda të thata s’duhet të ketë e as të mirremi shumë me atë se çka e si ka ndodhur prapa. Shikimi i Kosovës duhet të jetë përpara.
Albin Kurti po bëhet Kryeministër. Kryeminstër i Kosovës dhe i shpresës së kosovarëve. I të gjithëve neve që e dëshirojmë ndryshimin, që e duam këtë vend dhe ia duam të mirën këtij vendi.
Albin Kurti deri dje ishte në opozitë. Ai ka folur si lider opozitarë. Fjalët e djeshit të opozitarit më nuk kanë peshë. Kanë peshë ato që i thotë sot, si i thotë sot dhe sa punon sot tutje. Dashakeqët do t’ia përmendin me të keq ato që i ka thënë deri dje. Dashamirët i dëshirojnë shëndet, suksese dhe mbarësi. E ndihmojnë dhe e mbështesin. Ndihma dhe mbështetja duhet t’i vijë nga të gjithë. Nga nga pozita dhe opozita. Varësisht se kush ku gjindet e me kend punon. Secili në mënyrën e vetë dhe brenda domenit të veprimtarisë së vet. Gjithësecili ta japë kontributin e tij. Gjithësecili të punojë që të jetë bari edhe më i mirë i kopesë së vetë, se @ka qenë[ deri më tani. Të bëjë detyrën e vetë si duhet. Me qëllime sulbime, të pastra dhe me dëshirën për tu bërë edhe më mirë Kosova.
Është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe për njerëzit që duan e po presin ndryshime. Moment historik është ky. Sepse Albini ishte në front me të gjithë dhe kundër të gjthëve. Ai i tha popullit të Kosovës se dëshiron të rejën. Ndyshimin. Reformën. Të vjetrën ta paketojë në histori, thoshte Albin Kurti. Njerëzit kanë shpresa të mëdha në Albin Kurtin. Gjithandej flitet për Albinin, shpresohet në Albinin. Është kohë thuajse e njëjtë me kohën kur aq shumë shpresohej në Ibrahim Rugovën. Kur i madh e i vogël flisnin për Ibrahim Rugovën. Kur sytë i kishin të drejtuar kah ai dhe kah Zoti i Madhërishëm.
Ky është një moment historik për Kosovën. Shpresat janë të mëdha. Dua të besoj se do të bëhet më mirë. Jam i sigurt, se po patëm vullnet, do të bëhet edhe më mirë. I besoj bindshëm fjalës së Zotit se ndryshimi është në duart tona. Se ne e fllojmë ndryshimin, ne duhet të punojmë për ndryshime, e pastaj Zoti ndihmon popullin për të ndryshuar. Siç i besoj bindshëm fjalës tjetër të Tij, se, e djeshmja sot ka mbaruar. Ata që punuan, si punuan, sa punuan e çka punuan, për ta Zoti dhe historia do të vendosë t’i shpërblejë apo t’i dënojë. Varësisht prej punëve të tyre. Ndërsa sot, e tanishmja dhe e ardhshmja janë në duart e njerëzve që sot e tutje do të qeverisin. E këta të fundit, Zoti nuk do t’i pyet për ate se çka kanë punuar të tjerët para tyre, por, në mënyrë të drejtëpërdrejtë u thotë: Ju sot çka jeni duke bërë, si jeni duke punuar e sa jeni duke punuar. Kur’ani i Madhërishëm e thotë këtë, dhe në mënyrë decide.
Urime Kosovë!
Albin Kurtit, shokëve e bashkëpunëtorëve të tij u priftë e mbara…!