Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur mbështetjen për “Ballkanin e Hapur”, por ka deklaruar se suksesi për këtë integrim ekonomik duhet të përfshijë gjashtë shtetet e rajonit.
Në samitin e sotëm në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Escobar përmes një video-lidhjeje tha se ShBA përkrah të gjitha iniciativat ekonomike që afrojnë regjionin dhe promovojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Nisma “Ballkani i Hapur” është vetëm një nga iniciativat për bashkëpunim rajonal. Ne i përkrahim të gjitha iniciativat ekonomike që e afrojnë regjionin, promovojnë paqe dhe stabilitet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Besojmë se nëse ka ndonjë sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë, secila iniciativë për integrim ekonomik duhet t’i përfshinë gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë. Këtu dua t’i jap disa propozime. Kjo është një iniciativë e shkëlqyeshme që vjen në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, por shpresoj që të jetë më e qartë si të funksionojë të ardhmen”, tha ai.
Lidhur me këtë, Escobar paraqiti disa propozime për “Ballkanin e Hapur” dhe kërkoi që mos të dublifikohen nismat rajonale për bashkëpunim ekonomik dhe të ketë plan konkret për zhvillim në Ballkanin Perëndimor.
Krahas kësaj kërkoi që ideja e “Ballkanit të Hapur” të qëndrojë si projekt ekonomik dhe të fokusohet për krijimin e mundësive të njerëzve në rajon.