Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të shtunën do të vizitojë anijen turke të shpimit Fatih dhe do të njoftojë rezerva të reja të gazit natyror në Detin e Zi.
Duke folur para grupit parlamentar të partisë së tij në pushtet, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), presidenti Erdoğan tha se vendi i tij ka zbuluar një rezervë të re të gazit natyror në Detin e Zi.
Presidenti turk tha se rezerva e parë e zbuluar më 20 korrik prej 320 miliardë metra kub nga anija turke e shpimit Fatih në Detin e Zi “e bëri vendin shumë të lumtur”.
Erdoğan tha se lajme të tjera të mira për rezerva të reja do të vijnë nga aktivitetet e vazhdueshme të anijes Fatih të cilat ai do t’i njoftojë të shtunën.
“Të shtunën po shkojmë në anijen tonë të shpimit Fatih, ne do të dëshmojmë personalisht përpjekjet në fushë dhe do të njoftojmë sasinë e re të rezervës”, tha presidenti Erdoğan.
Mes përpjekjeve për të zbuluar burime të brendshme të hidrokarbureve, rreth 170 kilometra larg brigjeve veriore të Turqisë, anija Fatih në fushën e gazit Sakarya zbuloi pusin TUNA-1.
Pusi TUNA-1 ishte zbulimi më i madh në historinë e Turqisë. Zyrtarët kanë deklaruar se gazi nga pusi do të jetë gati për përdorim publik në vitin 2023.