LDK duhet të jetë partia e vetme në botë (së paku në shtetet me organizim demokratik), e cila lejon që për koalicion qeveritar të negociojnë tre persona që në zgjedhjet parlamentare nuk kanë marrë asnjë votë, sepse as që kanë kandiduar.
As kryetari i LDK-së (I. Mustafa), as dy nënkryetarët e saj (A. Veliu dhe L. Haziri) nuk kanë vota nga zgjedhjet në nivel nacional.
Që të tre janë bllokues – në mënyra të ndryshme – të një marrëveshjeje për qeverisje bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Në zgjedhje kryetari dhe dy nënkryetarët e tij i kanë futur të tjerët, këta i kanë marrë votat, ndërsa treshja sundimtare tash vendosë për çdo gjë.
Në të vërtetë treshja tallet me votuesin, ruan privilegjet, mban rrjetet e veta nëpër forume formale partiake dhe në institucione. Kështu do të jetë për aq kohë sa ata që kanë fituar vota nënshtrohen dhe pranojnë të dirigjohen nga tre burra pa vota.