Për arrestimet e sotshme foli edhe Policia e Kowsovës. Operacioni policor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës.
“Sot me 30 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë. Me respekt, Zyra për informim e PK-së”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Arrestimi i katër personave u bë gjatë një kontrolli që kjo njësi në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kreu në dy lokacione të ndryshme në Prishtinë.
Ata dyshohet se i kanë kryer këto vepra në cilësi të personave zyrtarë në Ndërmarrjen Publike Telekomi i Kosovës.
Njëri nga të dyshuarit ka ushtruar funksionin e drejtorit të marketingut dhe tjetri drejtorit të Financave.
Burime brenda prokurorisë bëjnë të ditur se të arrestuarit dyshohen se kanë keqpërdorur për përfitime personale një kontratë në mes të Telekomit dhe një operatori ekonomik, vlera e të cilës arrinte në 327 mijë e 514 euro.
Ndërkaq, dy të arrestuarit e tjerë dyshohen se kanë përpiluar dhe firmosur dokumentet e falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme, në emër të personave të tjerë.